Saturday, November 1, 2014

Kosova apo Harmagedoni

Fletëz e një ditari

Autor: Skënder Nitaj, 9 maj 1999, Tiranë,
Botuar nga gazeta "Bota Sot", Prishtinë, 2000

Bibla flet për Harmagedonin si për një vend në të cilin Perëndia do të zhvillojë një luftë të drejtë. Kjo luftë e perëndisë do të përgatisë rrugën për një botë të re të drejtë. Udhëheqësit e botës e përdorin për t’iu referuar një Luftë të Tretë të mundshme Botërore. Kurse, mediat botërore, sot, flasin për Kosovën, si për një vend në të cilin NATO-ja, kryen sulme ajrore me bomba kundër caqeve ushtarako-policore serbe, e ndonjëherë edhe ndaj caqeve të përziera ushtarake e civile. Ky intervenim do t’i hapë rrugë një rendi të ri botëror, ose ndoshta një lufte të re botërore. Këtë me sa duket e kishte paraparë edhe Nostradamusi.

Një hipotezë dhe një realitet, tejdukshmërisht të ngjashme, që ka të ngjarë që një ditë të puqen në një pikë. E, në këtë pikë gjithsesi se qëndron Kosova. Zaten, në Globin e Botës, Kosova zë vend sa një pikë, por, ama tash ajo qëndron si një pikë kancerogjene. Dhe ditët e ardhshme (që kush e di se sa do të jenë në numër), do të tregojnë më së miri, se si pjesa tjetër e botës do të veprojë: do ta gjejë ilaçin për këtë pikë të sëmurë të trupit të vet; do të lejojë që kjo pikë kancerogjene të jap metastazat e veta, apo e ndodhur në udhëkryq Hamletian, do të provojë ta shkulë nga vetja e saj këtë pikë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse.

Gjetja e ilaqit, don të thotë të zgjidhet nyja kosovare për një kohë të gjatë, por jo gjithmonë kemi zgjidhje të drejtë dhe pa dhembje. Një dhe e vetme e drejtë, që do të arrinte t’i shuajë edhe dhembjet e mëdha të shqiptarëve, do të ishte Pavarësia e Kosovës, kurse çdo zgjidhje tjetër e dytë apo e tretë, vetëm sa do t’i shtonte dhembjet e vuajtjet edhe ashtu të mëdha të shqiptarëve, përderisa do të shtoheshin edhe apetitet idioteske të bishave serbe, për tokat tjera të shqiptarëve dhe mishin e gjakun e tyre.

Problemi i Kosovës ishte dhe mbeti Alfa dhe Omega e problemeve të pazgjidhura në ish krijesën fantome Jugosllavi, si dhe në Ballkan. Ky problem i parapriu luftës në Slloveni, Kroaci e Bosnjë. E tash, çdo gjë është kthyer në zanafillën e problemit - në Kosovë. Aty është kthyer lufta, krimi, etno-gjenocidi, hipokrizia, satana, hollokausti dhe mesjeta. Po përsëritet historia për të satën herë, si të ishte kjo një spirale e Arkimedit. Kosova po noton në detin e lotëve dhe gjakut, si dhe shiut të pandërprerë që sikur don të na tregojë që edhe Zoti vajton për ne, apo në rastin më të keq - don të na japë edhe Ai dënimin goditës! Vallë, e kemi merituar një dënim të tillë?...

Kriza e Kosovës, në fakt është një krizë e trashëguar, ndër vite, ndër dekada, ndër shekuj. Protagonistë në terren të kësaj beteje për Kosovën janë vendasit e dëbuar forcërisht - shqiptarët dhe mysafirët e paftuar nga karpatet - serbos(k)llavët. Por, jo të pa hak e hile, në këtë lojë të ndyrë përreth dhe brenda Kosovës, qëndrojnë edhe të tjerët, qe ne i quajmë “Fuqi të mëdha”. Prandaj edhe në Kosovë, sot ka “krizë” e jo “luftë”, ka luftë e jo paqe, ka robëri e jo liri. Na mbetet të shpresojmë (për të mirën tonë) se kësaj radhe këto “Fuqi të mëdha” do të bëjnë atë çka duhet bërë, sepse në të kundërten disa faqe historie nga ky fillim shekulli tregojnë se pas dy luftërave ballkanike plasën edhe dy luftëra botërore.

Kush do të provojë ta zhdukë Kosovën nga faqja e dheut, do të duhej zhdukur edhe gadishullin e Ballkanit dhe tërë Evropën. Edhe Evropa është një gadishull, kurse Kosova nuk është Troja. Në të kundërten le të bashkohen të tërat me Atlantidën, e le të fluturojnë lirshëm albatrosët me shqiponjat.

Në ndryshim nga luftërat e njerëzve, që vrasin si të mirët dhe të keqinjtë, Harmagedoni do të shkatërrojë vetëm të keqinjtë. Pas Harmagedonit, nuk do të mbetet as një pjesë e kësaj bote të ligë, Mbretëria e Perëndisë do të jetë Qeveria e vetme që do të sundojë tokën, satanai dhe demonët e tij do të zhduken.

Nëse Shekulli i Ri, nuk do të sjellë Ilirinë e Vjetër, atëherë le të ndodhë Harmagedoni!...






Wednesday, September 10, 2014

Historiku i zhvillimit të arsimit shqip në Komunën e Deçanit

ARSIMI – SHTYLLË E QENDRESËS DHE VETËDIJËS KOMBËTARE

(në 30-vjetorin e themelimit të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan)
Sivjet, nxënësit dhe arsimtarët si dhe qytetarët e Deçanit me rrethinë kremtojnë një jubile të rëndësishëm për arsimin, edukimin dhe kulturën e kësaj treve në përgjithësi. Pikërisht në maj të maj të vitit 1967, u themelua Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” i cili për tridhjetë vjet të ekzistencës së vet do të lë gjurmë të pashlyeshme në historikun e arsimit shqip të Deçanit dhe fshatrave përreth.

Shkollat e para dhe mësuesit

Popullsia e kësaj treve ka një traditë të pasur kulturore dhe arsimore, mirëpo shënime rreth zhvillimit të shkollave hasen tek në fillim të këtij shekulli. Natyrisht, që këto shkolla do të punojnë herë në gjuhën shqipe e herë në atë serbe, varësisht nga rrethanat politike të kohës. Kështu, më 1906 në Manastirin e Deçanit punon shkolla në gjuhën serbe, kurse më 1909 në Xhaminë e Carrabregut punon shkolla në gjuhën shqipe me alfabet arab, me mësues mulla Adem Dautaj. Një zhvillim më të mirë të shkollës në gjuhën shqipe e hasim në periudhën e Luftës së Parë Botërore (1915-18). Kështu, së pari më 1915 hapet shkolla në Dranoc, në xhaminë e fshatit dhe një vit më vonë edhe në Junik, Strellc dhe Irzniq.
Në shkollën e Dranocit qenë përfshirë rreth 80 nxënës, të gjithë djem nga fshatrat e regjionit të Vokshit, si dhe fëmijë serbë nga Lloqani. Shkolla punonte në dy ndërrime e mësimi mbahej nga Ibrahim Fehmiu (i cili do të punojë më pas edhe në shkollat në Junik e Irzniq). Një vit më vonë do të vijë edhe mësuesi i dytë, Haxhi Hasi, nga Shqipëria. Në shkollën e Junikut mësues ishte Tahir Efendi Shehiqi, kurse në shkollën e Irzniqit Latif Shaqiri. Shkollën në Strellc e udhëhoqi Nexhip Draga, kurse 175 nxënësit e kësaj shkolle i mësonin edhe mësuesit Muharrem Blakçori, Xhevat Kelmendi e Ndue Varfri. Në këto shkolla mësoheshin lëndët: gjuhë shqipe, arithmetikë, gjeometri, gjeografi, histori, njohuri natyre, mësim fetar, bukurshkrim, këngë, vizatim, punëdore, fizkulturë dhe mirësjellje, deri sa në shkollat në serbishte më kryesore ka qenë lënda mbi fenë. Kushtet për punë në këto shkolla ishin mjaft të vështira. Në Dranoc, mësimi zhvillohej në korridorin dhe në ballkonin e xhamisë. Orendi nuk kishte fare, pos disa bankash të vjetra dhe të ndonjë tabele primitive. Tekstet ishin të pakta dhe ato silleshin nga Shqipëria.
Asnjë nxënës nuk e kreu shkollën, sepse pas tre vjet pune, më 1918, regjimi i Mbretërisë SKS i mbylli këto shkolla dhe nuk lejoi që të përdorej asgjëkundi fjala dhe shkronja shqipe. Kështu, nxënësit shqiptarë, me mundime të mëdha, do të jenë të detyruar të ndjekin mësimet në serbishte, në shkollat që do të rihapen, më 1922 në Deçan e Strellc, më 1924 në Junik dhe më 1927 në Irzniq. Shkolla e Deçanit prej vitit 1927 do të kalojë në lokal shoqëror (tash lokali i vjetër i shkollës fillore).
Shkollat në Deçan, Junik, Strellc e Irzniq do të punojnë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore pa ndërprerje, përsëri në gjuhën shqipe me mësues nga Kosova e Shqipëria. Kështu, Beqir Kastrati do të emërohet kryemësues në shkollën fillore të Deçanit, kurse drejtor i shkollës Haki Taha. Në këtë shkollë do të punojnë edhe mësuesit Haki Bardhi, Beqir Pozhegu etj. Edhe shumë mësues tjerë të njohur frekuentuan gjatë kësaj periudhe (1941-45) por edhe më pas, nëpër shkollat fillore të Deçanit e fshatrave përreth, duke sjellë rezultate të pamohueshme në arsimimin e popullatës së këtushme gati krejt analfabete dhe duke ngritur tek ta idealet dhe aspiratat për liri dhe pavarësi. Megjithëse frontet e shumta të luftës kishin gëlltitur shumë të rinj të moshës shkollore, një pjesë arriti që të shkollohej dhe t’i bashkohej armatës jo të numërt të mësuesve të kohës dhe kështu të kontribuonin në vënjen e gurthemeleve të shkollës shqipe.

Gurthemelet e shkollës shqipe

Përfundimi i luftës, popullsinë e këtushme, si kudo nëpër Kosovë, do ta gjejë në skamje e mjerim të madh. Njerëzit, që kryesisht merreshin me veprimtari bujqësore e blegtorale, kishin rënë në një varfëri të madhe, kurse sëmundjet e shumta epidemike si rezultat i luftës e ngarkonin edhe më shumë jetesën e tyre. Kur i shtohet kësaj edhe (ri)okupimi sllavo-komunist, atëherë mund të paramendohet se çfarë drame po përjetonin shqiptarët këndej kufirit. Mirëpo, si gjithnjë gjatë historisë, populli do t’i nxjerrë nga gjiri i vet bijtë dhe bijat më të mira të kombit, ashtu që këta të bëhen fli për çështjen madhore të kombit. Dhe duke qenë arsimi – shtyllë e qendresës kombëtare, detyrë prioritare e këtyre patriotëve të kombit ishte vënia e gurthemeleve të shkollës shqipe. Prandaj, edhe sukseset në arsim që do të pasojnë i gjejmë në kontributin e pakontestueshëm të të gjithë atyre pionierëve të arsimit, të cilët nuk kursyen asgjë dhe jo rrallë flijuan vetveten, duke u gjendur në udhëkryqe të vështira e të kurdisura nga pushteti komunist.
Fillimi ishte shumë i vështirë. Mungesa e lokalit, mjeteve të punës e sidomos e kuadrit mësimdhënës ishin mjaft të ndjeshme, sikurse edhe faktet se mbi 90 për qind e popullsisë ishin analfabetë, 95 për qind të mësuesve ishin të pakualifikuar, ndërsa arsimtarë dhe profesorë s’kishte fare. Por, këto vështirësi do të tejkalohen në saje të angazhimit të të gjithë njerëzve arsimdashës, e para se gjithash në saje të mësuesve të parë – veteranëve Bardh (Ukë) Nitaj, Ramë (Shaban) Alaj, Avdyl (Nush) Çekaj, Haxhi (Mahmut) Aliçkaj, Hasan (Beqir) Baçaj, Ahmet (Avdyl) Povataj, Fazli (Jahë) Binakaj, Jusuf (Sadik) Nimonaj e shumë të tjerëve, të cilët karrierën e mësuesisë e filluan duke hapur shkolla nëpër fshatrat e ndryshme të Deçanit, por edhe gjetiu nëpër Kosovë, kudo që ndjehej nevoja. Nuk duhet harruar këtu as mundin e djersën e mësuesve tjerë të ardhur nga viset e Kosovës, siç ishin Islam Spahiu, Qazim Zhubi, Njazi Fehmiu, Haki Rraci, Hasan Zeka, Sali Prizreni, Ramiz Musa, Pajazit Nushi, Ramiz Pupovci etj.
Ndërtesa shkollore kishte vetëm në Deçan e Irzniq. Në Junik, nxënësit mësonin në xhami dhe në kullat  Ali Bajraktarit, ndërsa në Gramaçel në kulla të Kamer Sylës, Kuqit e Malokëve. Pas 27 viteve, do të rihapet shkolla në Dranoc, ku në fillim mësimi do të mbahet në xhaminë e fshatit e më pas në shtëpinë e imamit të xhamisë dhe në shtëpinë e Sava Popoviqit (i vrarë si çetnik). Në këtë kohë, kompetentët e arsimit të Kosovës (në krye me prof. Zekerja Rexhën) angazhonin edhe shumë të rinj gjimnazistë në procesin mësimor, duke i aftësuar nëpër kurse pedagogjike për mësues, pasi që nevoja për hapjen e shkollave dhe kurseve analfabetike e shëndetësore sidomos nëpër fshatra ishte e madhe.
Kështu, shumë të rinj deçanas i vijuan këto kurse, duke iu bashkuar mësuesve të tjerë në procesin mësimor ose duke hapur shkolla të reja në Deçan e rrethinë, si dhe gjetiu nëpër Kosovë. Shumë sish vazhduan të shkolloheshin në nivele më të larta, paralelisht me punën e mësuesit që e kryenin. Prandaj, kjo ishte e mirëseardhur, pasi në ndërkohë përpos shkollave fillore do të hapen edhe gjimnazet e ulëta (progjimnazet) si në Deçan, Gramaçel, Irzniq etj. Këto progjimnaze më vonë do të shndërrohen në shkolla të plota fillore (8 vjeçare). Kështu, në vitet e rasformimeve të rretheve dhe krijimit të sistemeve komunale, rrjeta shkollore në Komunën e Deçanit numëronte 5 shkolla të plota fillore (Deçan, Junik, Irzniq, Gramaçel e Strellc) dhe tetë paralele të detashuara të këtyre shkollave, ku mësimet i vijonin afro 5 mijë nxënës.

Themelohet gjimnazi “Vëllezërit Frashëri”

Ata nxënës që kryenin shkollën fillore shpeshherë nuk kishin mundësi t’i vazhdonin mësimet në shkollat e mesme të qyteteve të Kosovës për shkak të kushteve ekonomike dhe largësisë, andaj ndihej nevoja e hapjes së ndonjë shkolle të mesme në komunë. Kështu, falë angazhimit të disa mësimdhënësve, qysh në vitin shkollor 1958-59 në lokalet e shkollës fillore të Deçanit, do të fillojnë nga puna tri paralele të detashuara, të Gjimnazit, shkollës së mesme bujqësore dhe shkollës së mesme ekonomike – të Pejës, ku do të përfshihen nxënësit e rritur që më parë nuk patën mundësi të shkolloheshin gjetiu. Mësimet në paralelen e Gjimnazit dhe në atë të shkollës bujqësore zhvilloheshin shqip, derisa në paralelen e shkollës ekonomike serbisht. Në këto paralele mësimet nuk i vijoi asnjë vajzë shqiptare, pasi që mësimi zhvillohej në ndërresën e dytë dhe të tretë. Pas daljes së gjeneratave të para këto paralele u shuan. Mirëpo, pas përpjekjeve të serishme u arrit që në vitin shkollor 1962/63 të hapen paralelet e ndara të Shkollës Normale të Pejës, të cilat po ashtu punojnë në lokalet e shkollës fillore të Deçanit, në gjuhën shqipe dhe serbokroate, me arsimtarë vendës dhe disa tjerë nga Peja. Nxënësit në këto paralele i kryenin dy klasët e para, për të vazhduar më pas në ndonjë shkollë tjetër normale. Kësaj radhe u përfshi edhe një numër i konsiderueshëm i vajzave shqiptare, të cilat pasi kryejnë normalen, fillojnë punën mësuese në shkollat fillore të këtushme. Edhe këto paralele ndërpresin punën pas tre vjetëve.
Duke e parë nevojën për shkollimin e mesëm të të rinjve deçanas, pasi ishin shuar paralelet e ndara të Pejës, në një mbledhje të Kuvendit Komunal të Deçanit (në maj të vitit 1967), deputeti i dhomës për kulturë dhe arsim, profesori Bardh (Ukë) Nitaj inicioi hapjen e një gjimnazi të plotë dhe të pavarur në Deçan. Pas një sërë debatesh dhe polemikash, dominoi mendimi i intelektualëve dhe i dashamirëve të arsimit dhe kështu kuvendi miratoi propozimin dhe emëroi Komisionin amë për themelimin e Gjimnazit në Deçan. Komisioni prej 5 anëtarëve në krye me prof. Bardhin, i kreu të gjitha përgatitjet e duhura brenda një afati rekord dhe kështu me Vendimin nr. 01-5162/9 dt. 07.XII.1967 të K.K. Deçanit, u themelua Gjimnazi i plotë dhe i pavarur “Vëllezërit Frashëri”.
Gjimnazi i Deçanit do të fillojë nga puna ne vitin shkollor 67/68, fillimisht ne lokalin e vjetër te shkollës fillore në Deçan, kurse prej vitit shkollor 72/73 do të kalojë në objekte të reja, ku kushtet për zhvillimin e procesit mësimor do te jene shume me te mira. Gjimnazi filloi punën me profesorët Sali Imami, Bajram Januzaj, Njazi Ferizaj, Mehmet Kërveshi, Gëzim Basha, Selim Begolli, Ismajl Dula, Bardh Nitaj etj. Në vitin e parë të punës, klasën e parë e filluan 176 nxënës, prej tyre 12 vajza. Mirëpo, nga viti në vit Gjimnazi do të shënojë rritje si nga aspekti sasior ashtu edhe nga ai cilësor. Kështu, pas disa viteve ky gjimnaz do t’i ketë paralelet e veta të ndara edhe në Junik, Irzniq dhe Isniq, ashtu që shkolla në vitin shkollor 1980/81 do t’i ketë mbi 2300 nxënës, prej tyre 700 vajza si dhe një kuadër mjaft të profesionalizuar mësimdhënësish. Gjimnazi i Deçanit ishte njëri ndër tre gjimnazet e Kosovës që së pari filloi zbatimin e reformës për arsimin e mesëm të orientuar. Nxënësit e profesorët e këtij gjimnazi për sukseset e tyre të treguara në gara, manifestime e raste të tjera do të nderohen me shpërblime, mirënjohje e dekorata, kurse në rastin e jubileut të gjimnazit, në maj të vitit 1977 nxjerrin fletushkën “Rreze Drite”, e cila bëhet një tribunë mendimesh, veprash dhe krijimesh.
Paralelisht me themelimin e gjimnazit, më 1967 themelohet Bashkësia Komunale e Arsimit, pasi që më parë ishte themeluar edhe Fondi për Arsim e Kulturë. Me mjetet që kishin në dispozicion këto dy institucione u arrit të ndërtohen objekte të reja shkollore në Deçan, Gramaçel, Junik, Isniq, Dranoc, Lumbardh, Maznikë e Prapaçan. Shkolla të reja do të ndërtohen edhe në Strellc të Epërm, Irzniq dhe Prejlep, falë përgjigjes tej plani të huas popullore për arsim, të deçanasve. Edhe dy institucione të rëndësishme do të themelohen më vonë në komunën e Deçanit, më 1973 Inspeksioni Komunal i Arsimit dhe më 1982 Enti Komunal Pedagogjik. Këto, pra, ishin vitet vendimtare në arritjet në lëmin e arsimit, edukimit dhe kulturës në përgjithësi. Orientim kryesor ishte ngritja e institucioneve komunale, zgjerimi i rrjetit shkollor, ngritja dhe sigurimi i kuadrove, përmirësimi i kushteve të mësimit nëpër shkolla dhe ndërtimi i objekteve të reja shkollore.

Vitet e gjata të mbijetesës

Derisa vitet e 70-ta ishin vite të arta për arsimin dhe shkollën shqipe, vitet e 80-ta dhe 90-ta do të jenë vite të përjetimeve të rënda, por edhe vite të gjata të mbijetesës. Ngjarjet e vitit 1981, por edhe ato që do të pasojnë, nuk do të kalojnë pa pasoja edhe për arsimin deçanas. Kështu shkollat fillore të komunës  e sidomos Gjimnazi i Deçanit do të sulmohen në mënyrë të egër duke i konsideruar si çerdhe të nacionalizmit e separatizmit shqiptar. Dhjetëra nxënës e profesorë së bashku me drejtorin e kësaj qendre do të përjashtohen nga kjo shkollë, e shumë prej tyre edhe do të dënohen me vite të tëra burg. Ishte pra, kjo koha kur pushteti komunist eleminonte ata të cilët me mundin e djersën e derdhur ndër vite kishin arritur që shkollës shqipe t’i jepnin fizionominë e një shkolle moderne e të përparuar. Por, me gjithë këto erëra që ngjanin me ato të mesjetës, shqiptarët do të dinë t’i bëjnë ballë furtunës së kohës. Dhe, kështu jo vetëm që nuk do të ndalet hovi i zhvillimit por orientimi i njerëzve arsimdashës do të jetë zgjerimi i rrjetit shkollor, duke ndërtuar shkolla të reja (Jasiq, Voksh të Madh, Pobergjë, Baballoç, Shaptej, Beleg, Ratishë, Kodrali, Gllogjan, Llukë, Pozharë etj.), ose duke i pavarësuar ato (Prapaqan, Prejlep, Restavicë), ashtu që në vitin shkollor 88/89 do të funksionojnë 10 shkolla fillore (në Deçan, Isniq, Prapaqan, Junik, Irzniq, Dranoc, Gramaçel, Strellc të Epërm, Prejlep e Restavicë) me 9 paralele të ndara, si dhe shkolla e mesme “V. Frashëri” në Deçan. Në të gjitha këto shkolla do të punojnë rreth 500 mësues, arsimtarë e profesorë, kurse numri i nxënësve do të arrijë shifrën rekorde prej 10 mijë nxënësve fillor dhe 2500 nxënësve të mesëm.
Goditja më e rëndë arsimit shqip, iu dha me suprimimin e Autonomisë së Kosovës në mars të ’89-shes. Kështu, nuk do të shkojë larg dhe prej shtatorit ’91 mbyllen të gjitha shkollat e fakultetet në Kosovë, pasi më parë ishin mbyllur dhe ndaluar edhe institucionet më të larta arsimore. Por në mars të vitit 1992, populli edhe një herë në këtë shekull do t’i hapë zemrat, dhe kullat e gurit që nuk mundi t’i rrëzojë asnjë armik, do të bëhen tempuj diturie, si dikur nëpër mote... Kështu, në rrethanat aktuale të okupimit, edhe popullsia e Deçanit me rrethinë, e cila është në shumicë absolute shqiptare, po bën sakrifica të mëdha për të mbijetuar këtë errësirë që e ka pllakosur tërë Kosovën. Përpos organizimit në sfera të ndryshme vitale të jetës, kujdes i veçantë po i kushtohet edhe organizimit sa më të mirë të procesit edukativo-arsimor. Shkollat punojnë sipas varianteve C, B dhe A (në rastin e lirimit të lokalit). Aktualisht, në komunë punojnë 14 shkolla fillore, si dhe shkolla e mesme me 7 punktet e veta, me drejtimet e gjimnazit dhe shkollës teknike. Rezultatet janë inkurajuese, me gjithë dhunën që ushtrohet përditë ndaj nxënësve e pedagogëve të tyre. Është kjo dhunë shkaku që sot numri i nxënësve në mërgim shënon rritje, derisa këtu në Kosovë, ky numër është në rënie. Është po kjo dhunë shkaku që sot të mos jenë mes nesh Rasim Molliqaj, Haki Povataj, Salih Hadërgjonaj, Mentor Tolaj, Naim Turkaj, Armend Daci, Edmond Hoxha, Luan Haradinaj e dhjetëra të tjerë të rënë anekënd Kosovës. Prandaj, edhe sakrificat e shqiptarëve për shkollën shqipe e për atdheun e lirë janë më se të arsyeshme dhe më se të domosdoshme.
Thirrja e përbashkët e të gjithë atyre mësuesve të parë, e të gjithë atyre nxënësve këmbëzbathur por krenar, e të gjithë atyre luftëtarëve për liri e pavarësi, e të gjithë atyre të rënëve për këtë dhe, është më shumë për arsimin dhe shkollën shqipe, sepse këto janë shtylla të qëndresës kombëtare.

19 qershor 1997, Deçan                                                   Skënder (Bardh) NITAJ


P.S. U shfrytëzuan materiale të botuara dhe të pabotuara!

Numri i parë, i botuar më 3 shtator 1997, gazeta “Bujku” (Rilindja), faqe 6, me titullin kryesor: Shkolla – shtyllë e qëndresës dhe e vetëdijes kombëtare
Numri i dytë, i botuar më 4 shtator 1997, gazeta “Bujku” (Rilindja), faqe 7, me titullin kryesor: Themelohet gjimnazi “Vëllezërit Frashëri”

Saturday, May 3, 2014

Dëshirë e ndalueme (përmbledhje e letrave të shkruara nga Mehmet Dermani)

Dëshirë e ndalueme


(Përmbledhje e letrave të shkruara nga Mehmet Dermani)


Mehmet Dermani (1911-1986)
“Pllumbi ynë i dashtun, S.!”

“Letrën tande plot ngushllime për zemrat tona të lëndueme e muarem dhe na gëzoj shumë që nipat e mbesat tona marrin pjesë në fatkeqësinë tonë dhe na japin shpresa të sigurta që këtë t’a riparojnë me dashuninë e tyne që kanë për ne. Prandaj, të falemnderit shumë dhe dëshirojmë që këtë t’ua shpërblejmë në raste gëzimesh në familjen tuej. Letra e juej na gëzoj shumë, ashtu siç na gëzon çdo lajm i mirë që ti nuk mungon me na dhanë. Sikur e kupton edhe ti vet, na gëzon vet ekzistenca e juej, pothuej e vetme që mendon për ne.”

“Na pëlqejnë letrat tua si i shkruen me nji stil sikur t’ishe i rritun. Besojmë se për këto lavdërime që i meriton nuk të rritet mendja, por këto duhet të nxitin gjithmonë për përparim. Na gëzon fjala jote, se do të na shkruejsh shpesh e do të na vejsh në dijeni mbi gjendjen e familjes tuej, se na tash vetëm juve u kemi atje e nga ju presim çdo gjë.”

“Kështu jemi të gëzuem edhe për gjendjen e mirë të familjes, mbasi përveç juve nuk kemi për cillin të mendojmë tjetër. Për sukseset tueja në mësime ndiejmë kënaqsië dhe shprehim bindjen se këto do të ndjekin gjatë gjithë jetës tande si nxanës e student.”

“Na po mundohemi me u mbajtë, por pleqnia na ka lodhë shumë. Për ditë po biem ma poshtë, por u mësuem, edhe me këtë gjendje e nuk na ban shumë përshtypje. Me lëvizë nuk po mundemi e kjo na e shton mërzinë, sikur edhe vetmia. Letrat tueja na shtojnë kurajën me e ndjekë jetën tonë monotone në rrugën e vet.”

“Edhe malli i ynë për juve asht i madh dhe vetëm letrat tueja na e hjekin, por vetëm për disa çaste. Sidoqoftë kur mësojmë se ju jeni mirë e mendoni edhe për ne, ndiejmë ngushllim të madh. Oh, sa shpresa kemi pas ushqye se të paktën A. me nusen do të vijshin nji herë me na vizitue, por tash që ata u banë prind me fëmijë, nuk na mbetet tjetër veç të presim ndonji herë ty o pllumbi ynë i dashtun. Qofshim gjallë deri atëherë! Rritu ashtu si duhet e si duem na e ata që të duen, se atëherë do të bahesh i vlefshëm për vetën tande e për ne të tjerët. Besojmë se do të na kujtojsh gjithnji me letra e me zemër, ashtu sikur u kujtojmë edhe ne juve. Derisa të na punojë dora nuk do të kursehemi me u kujtue me letra - dhe letrat tua i presim si ilaç të zemrave tona.”

“Për gjyshin Ukë që mbahet i fortë gëzohemi së tepërmi dhe i dërgojmë shumë të fala. Gjithashtu na vjen mirë që e vizitoni shpesh edhe fshatin e lindjes dhe keni të drejtë, se klima e atjeshme dhe bollëku sidomos në pemë e vlejnë udhëtimin deri atje që nuk mbanë ma tepër se nji orë. Unë, edhe pse jam i lodhun me gjithë qejf do ta përballojsha nji udhëtim të tillë. Por, ... Kur të shkojsh në bashqet e Drenishtës e të shijojsh aromën e dardhave shumë t’ambla, na kujto edhe ne që kemi aq shumë kujtime e mallë për atë vend. Mos harro t’ju japish të fala gjithë atyne që na kanë njoftë e që akoma jetojnë!...”

“Kur mërzitemi i vështrojmë fotografitë tueja që i kemi vue në nji vend të dukshëm e çmallemi, sidomos me Titin që na vështron me syë të bukur dhe me gishtat në gojë sikur na thot: “më dueni edhe pse nuk me njihni”, ose sikur e din se ne e duem shumë. Nuk e dijmë edhe sa do të rritet Titi e sa dhëmbë të tjerë do t’i dalin derisa të shifemi me të e me ju të tjerët?!... Ndoshta asnjiherë, por këtë nuk duem me e besue. Të shpresojmë!... Përndryshe, Titit të vogël i puthim sytë me dashtuni dhe i urojmë shëndet e rritë. Halla e juaj dëshiron edhe një vajzë prej nuses së A. dhe qysh tash e pagëzon me emnin DËSHIRA!”

“Edhe për fotografinë ju falemnderit! Kemi kaq ditë që e vështrojmë dhe nuk do të ngihemi derisa të kemi fatin me të pa ty n’origjinal. Duke shiquar fotografitë e juaja që nuk janë të pakta, na duket se kemi ardhë tek ju në vizitë e jemi çmallë.”

“Natën e Vitit të Ri, ju sigurisht do të mblidheni të gjithë bashkë e pa tjetër që do të defr’eni pak. Nuk ka dyshim se n’atë rast do të na kujtoni edhe ne pelqve që të vetmuem do të mbajmë atë natë para syve fotografitë tueja dhe në zemër e në mendje kujtimet ma të mira e shpresat e përhershme që ndonjiherë kjo festë të na bashkojë trupnisht e jo vetëm me fantazië. Prandaj u transmetojmë dëshirat tona dhe urimet e përzemërta që Viti i Ri të jetë prurësi i gëzimeve për gjithë pjesëtarët e familjes tuej dhe që ky vit të na afroj kohën aq të dëshirueshme prej të dy palëve që t’i shtërngojmë dorën njëri-tjetrit!”

“Tue pritë gjithmonë të rejat për ty e familjen mbarë e përfundojmë këtë letër, e ty të përqafojmë me shumë mallë e dashtuni e t’urojmë gjithë të mirat e kësaj bote të cillat i meriton me të drejtë!”

“Nuk dyshojmë se do të na shkruejsh shpesh!”

“Dhjetor, 198_, Selenicë”                               “Daja Mehmeti dhe halla Shpresa”

“P.S. I kam ba nji porosi të vogël Sh. në letrën që i kam dërgue. Në qoftë se ma kryen atë, i lutemi që të mos harroji me shti në pako edhe nji kravatë për moshën time në ngjyrë kafeje ose si t’a mendojë vet, mbasi këtu gjinden në përgjithësi për mosha të reja e më shumë hile!”

                                                                    “Daja Mehmeti”  


(Përmbledhje e letrave të shkruara, nga patrioti Mehmet Dermani, i internuar (bashkë me gruan e tij besnike Shpresa Kikino – Dermani) në Selenicë të Vlorës, dërguar nipit të tij, Skënder Nitaj, në Kosovë, gjatë viteve të ‘80-ta)

Sunday, April 20, 2014

Bardh (Ukë) Nitaj (biografi e shkurtër)

Bardh (Ukë) Nitaj

(6 maj 1919 – 8 dhjetor 1995)
                                                                                                  
(Biografi e shkurtër)

Bardh (Ukë) Nitaj (6 maj 1919 – 8 dhjetor 1995)
Bardh Nitaj u lind më 6 maj 1919, në fshatin Dranoc të Vokshit, komuna e Deçanit. Rrjedh nga një familje fshatare, me vlera të larta kombëtare.

Bardhi, shkollën fillore e kreu në Deçan. Vazhdoi mësimet në gjimnazin e Pejës, por për shkak te pjesëmarrjes se tij ne lëvizjen e rinise përparimtare u përjashtua nga ky gjimnaz si nxënës i klasës se II-te. Bardhi mësimet i vazhdoi ne Gjakove ku i kryen 3 klase qytetëse te shkollës se mesme.

Gjate kohës se okupacionit nazifashist Bardhi, ishte pjesëmarrës aktiv ne rezistence. Në mes tjerash, si i ri që ishte, bëri edhe përcjelljen e ilegaleve-delegatëve për në Malësinë e Gjakovës, ku ne Bujan (me 31 dhjetor 1943 e 1 dhe 2 janar 1944), u mbajt Konferenca e parë themeluese e Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit. Angazhohet në Brigadën e 25-të Shqiptare të Malësisë së Gjakovës, si luftëtar i saj.

Ne fillim te vitit 1945, ne Pejë Bardhi vijoi një kurs tremujor sanitar. Pas kryerjes se kursit, Bardhi u caktua te punoje si infermier sanitar ne Deçan, me ç’rast kreu detyra me rëndësi për shëndetin e popullatës, e cila ishte kapluar nga sëmundje të ndryshme si pasoje e luftës dhe skamjes qe mbretëronte. Ne korrik te vitit 1945, Bardhi emërohet referent sanitar ne Këshillin Popullor te Vendit në Deçan. Po në këtë vit, Bardhi bashkë me mësuesin Ramë (Shaban) Alaj themeluan shkollën fillore në fshatin e tyre të lindjes Dranoc, ku edhe punuan gjate vitit shkollor 1945/46.

Në të njëjtën kohë, Bardhi me shokët nga kursi sanitar i vazhdojnë mësimet në gjimnaz dhe kështu gjer në qershor të vitit 1946, kur shokët e arsimit të krahinës në krye me profesor Zekerja Rexhën i nxorën nga gjimnazi dhe i dërguan në kurse pedagogjike që të aftësohen për mësues. Kështu, Bardhi, prej 15 korrikut deri me 30 shtator 1946 ne Prizren kreu Kursin e Ulët Pedagogjik. Me 14 tetor 1946 Dega e Arsimit e Këshillit Popullor Rajonal për Kosove e Metohi, ne Prizren, me vendimin nr. 11.706, emëron Bardh Ukën, mësues ne fshatin Mulliq, te Këshillit Popullor të Vendit në Batushë, Rrethi i Gjakovës. Bardhi, në Mulliq, themeloi shkollën fillore “Jahë Salihu”, ku punon si mësues dhe drejtor, një vit të plotë shkollor. Në ndërkohë, Bardhi vazhdonte mësimet me korrespondencë, në Gjimnazin e Pejës. Prej 1 korrikut deri me 30 shtator 1947, ne Prizren, Bardhi kreu edhe një kurs tjetër, Kursin Tremujor Pedagogjik. 

Prej 26 tetorit 1947 e deri me 2 maj 1949, iu deshtë te shërbej ne Armatën Jugosllave në Mostar. Këtu, Bardhi kreu Kursin nënoficer sanitar 6 mujor, prej 1 prillit deri me 1 tetor 1948. Gjate shërbimit ne ushtri, u gradua ne Rreshter te Klasës së I-rë. Po ashtu, gjatë shërbimit, në vitet 1948 – 1949, Bardhi vijoi dhe përfundoi shkollimin e rregullt ne Shkollën e Mesme te Medicinës ne Sarajevë, me sukses te shkëlqyeshëm, me ç’rast u kualifikua Ndihmës Mjeku. Si nxënës i kësaj shkolle, ishte angazhuar edhe në procesin e mësimdhënies, për lëndën e Matematikës.    

Një takim me Mehmet Gjevorin, në Sarajevë, inspektor krahinor i arsimit, ishte vendimtar që Bardhi, të braktisë rrugën e studimeve aq të dëshiruara në fushën e mjekësisë, e ti kthehet profesionit të shenjtë të mësuesit të popullit nga i cili nuk u nda më asnjëherë.

Me vendimin nr. 41.218 te organeve kompetente te arsimit, Bardhi u emërua me detyre ne fshatin Ponashec te Rrethit te Gjakovës, ku punon prej 6 majit deri me 1 shtator 1949, ne shkollën fillore “Ganimete Tërbeshi”, si mësues dhe drejtor shkolle. Në ndërkohë, prej 1 korrikut deri me 30 shtator 1949, Bardhi kreu Kursin e Naltë Pedagogjik në Pejë, me ç’rast dha provimin e pjekunisë për mësuesi. Gjatë tërë kësaj periudhe kohore, por edhe më vonë, Bardhi ushtroi edhe një varg funksionesh të rëndësishme në Rrethin e Gjakovës.

Prej 1 shtatorit 1949 e deri me 1 shtator 1950, Bardhi kthehet serish ne Dranoc, ne shkollën fillore “Sylë Alaj”, si mësues dhe drejtor. Prej 1 shtatorit 1950 e deri me 1 shtator 1953, me vendimin nr. 18.796, të organeve arsimore të Rrethit të Gjakovës, angazhohet të themelon Gjimnazin e Ultë (progjimnaz, shkallë e ultë e shkollës së mesme, shkollë katër vjeçare)(me vone shkolla fillore “Drita”) në Gramaçel, kurse prej 1 shtatorit 1953 e deri me 1 tetor 1955, transferohet në Gjimnazin e Ulët (më vonë shkolla fillore “Kultura”) në Irzniq. Në të dy këto shkolla pos si drejtor, punoi edhe si mësues. 

Në vitin e rasformimeve të rretheve dhe krijimit të sistemit komunal, Bardhi emërohet Referent për Arsim e Kulturë në Këshillin Popullor të Komunës së Deçanit, ku punon prej 1 tetorit 1955 e deri me 31 gusht 1956. Kontributet e tij, ne këtë periudhe ishin te panumërta, derisa ra ne konflikt te hapur me kryetarin (serb) te komunës, kur Bardhi kundërshtoi zbatimin e vendimit për suprimimin e klasave te larta te shkollës tetëvjeçare – mësimi ne gjuhen shqipe, me ç’rast edhe arriti te pengoje zbatimin e këtij Vendimi, i marrë nga Pleqësia e Arsimit te Komunës se Deçanit. Si refleksion i kësaj, Bardhi pati mjaft vështirësi ne studimet me korrespondence qe ne te njëjtën kohe i ndiqte ne Shkollën e Larte Pedagogjike ne Nish, ne degën histori-gjeografi, ne te cilën shkolle u diplomua ne shtator 1957, ku u kualifikua arsimtar i tetëvjeçareve dhe gjimnazeve te ulta.

Prej 1 shtatorit 1956 e deri me 30 shtator 1972, Bardhi punoi ne shkollën fillore “Bratstvo” ne Deçan, si arsimtarë i historisë dhe gjeografisë, ndihmësdrejtor dhe ne fund edhe drejtor i shkollës. Paralelisht me punën, Bardhi vazhdonte studimet me korrespondence, ne Fakultetin Filozofik ne Shkup, grupi Histori, ne te cilin u diplomua ne shtator te vitit 1972, e kualifikua Profesor i Historisë. Po ashtu, Bardhin e shohim ne seminare dhe simpoziume shkencore nga fusha e historisë, me ç’rast dallohet me temat nga Historia e përgjithshme e kohës me te re. Janë te njohura punimet e tija shkencore: “Mehmet Ali-Pasha Misirliu dhe Egjipti ne gjysmën e pare te shekullit XIX”; “Kemajl Ataturku, themeluesi i shtetit modern turk”, etj.     

Që nga viti shkollor 1958/59, me angazhimin e tij, në Deçan, u hapen paralelet e ndara, të shkollave të mesme ekonomike dhe bujqësore, të gjimnazit dhe të shkollës normale të Pejës, vetëm për klasat e I-ra dhe të II-ta, përderisa për klasat e III-ta dhe të IV-ta, duhej vazhduar ne Pejë apo Gjakovë. Mësimet për këto paralele të ndara, mbaheshin në lokalet e shkollës fillore. Bardhi, njëkohësisht angazhohet në mësimdhënie në këto paralele.

Paralelisht me punën në arsim, Bardhi ushtroi edhe një varg funksionesh të rëndësishme në Komunën e Deçanit e më gjerë. Ishte deri në pensionim, delegat në Kuvendin Komunal të Deçanit, anëtar dhe disa herë udhëheqës i organizatave të ndryshme shoqërore-politike, në nivel komunal dhe të Kosovës, si në organizatat e luftëtarëve, kryqit të kuq, ato shëndetësore etj. Ishte sekretar i parë i Fondit komunal për arsim e kulturë, si dhe sekretar i parë i Bashkësisë komunale të Arsimit. Gjatë kësaj kohe u arrit, të ndërtohen objekte të reja shkollore në Deçan dhe në fshatrat tjera të komunës. Gjatë viteve 1969-1974, ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, në dhomën arsimore-kulturore. Është kjo periudha e aprovimit të amendamenteve kushtetuese si dhe e Kushtetutës së vitit 1974, si dhe po ashtu e themelimit të shkollave të larta e fakulteteve dhe e Universitetit të Prishtinës, me ç’rast kontributi i Bardhit ishte i konsiderueshëm.

Me iniciativën e Bardhit, si delegat në Kuvendin Komunal, në vitin 1967, u themelua Gjimnazi i plotë në Deçan. Bardhi ishte emëruar edhe kryetar i Komisionit amë për themelimin e gjimnazit. Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri”, filloi nga puna në vitin shkollor 1967/68, në objektet e shkollës fillore, me gjithsej 167 nxënës (12 vajza). Bardhi angazhohet si mësimdhënës, paralel me punën në shkollën fillore. Angazhimi i Bardhit ishte vendimtar, që në vitin shkollor 1972/73, gjimnazi të nis punën në objektin e ri.

Prej 1 tetorit 1972, Bardhi kalon përfundimisht në gjimnaz, ku punon deri më 31 tetor 1981, fillimisht si mësimdhënës i historisë, pastaj zëvendësdrejtor, ndihmësdrejtor dhe në fund edhe drejtor prej 20 nëntorit 1978. Kontributi i bacës Bardh, në rritën dhe zhvillimin e kësaj qendre arsimore, ishte i jashtëzakonshëm. Gjimnazi i Deçanit, me vite ishte shpallur ndër më të suksesshmit në Kosovë e jashtë saj. Kështu, në vitin shkollor 1980/81, gjimnazi numëronte mbi 2300 nxënës (700 vajza).

Demonstratat e vitit 1981dhe ngjarjet që i pasuan këto, ishin një fillim i errët edhe për arsimin shqip në Kosovë. Pushtet mbajtësit komunistë, pos largimit dhe burgosjes së shumë nxënësve dhe profesorëve, suspenduan dhe e larguan nga puna edhe Bardhin, drejtorin e Gjimnazit. Mirëpo, për fat, dashamirët e arsimit, e rikthejnë sërish Bardhin në punë, por tashmë në cilësinë e Këshilltarit për Arsim dhe Edukim, pranë Kuvendit Komunal. Në këtë detyrë qëndroi prej 1 nëntorit 1981 deri më 13 korrik 1984. Në periudhën prej 1 dhjetorit 1982 deri më 31 korrik 1983, ishte ushtrues detyre i Sekretarit të BVI-së komunale për arsim dhe edukim fillor, kurse prej 13 korrikut 1984 e deri më 31 korrik 1986, Inspektor i Arsimit. Edhe në këto pozita, roli i bardhit për zhvillimin e arsimit shqip në komunë ishte e pamohueshme, sidomos në zgjerimin e rrjetit të shkollave. Bardhin e shohim edhe në aktivitetet e Takimeve të Veteranëve të Kosovës. 

Nga 1 tetori 1984 deri më 26 prill 1989, Bardhi ushtroi detyrën e Kryetarit të Organizatës së Luftëtarëve të Komunës së Deçanit. Në këtë cilësi, Bardhi ishte edhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit Komunal dhe anëtar i Kryesisë së Komitetit Komunal të Deçanit. Këto detyra, i kryen edhe pas pensionimit prej 1 janarit 1987, kur ishte në prag të 68 vjetorit të lindjes. Shembja e autonomisë së Kosovës si dhe demonstratat e përgjakshme edhe në Deçan, do të jenë arsye e mjaftueshme që Kryesia e Komitetit Komunal të LK të Deçanit (në krye me Sali Çekun, kryetar, e ku Bardhi ishte anëtar), ndër të parët denoncojnë dhunën dhe krimet serbe ndaj shqiptarëve dhe ndër të parët lëshojnë radhët e Lidhjes së Komunistëve. Bardhi, merr pjesë në protestën e madhe të muajit prill 1989, në qendër të Deçanit. Më 26 prill 1989, Bardhi paraqet dorëheqje të parevokueshme nga Kryesia dhe nga posti i Kryetarit të Organizatës së Luftëtarëve të Deçanit, duke përfunduar një veprimtari të shquar afro 50 vjeçare si mësues, edukator, pedagog, profesor, historian, luftëtar në luftë dhe pas saj, deputet i Kuvendit të Kosovës, këshilltar dhe humanist.   

Për të gjitha këto kontribute, u shpërblye me shumë mirënjohje e dekorata, kurse në vitin 1984, është laureat i shpërblimit “Dita e Rinisë” dhënë nga BVI-ja për Arsim dhe Edukim e Kosovës, për arritje në lëmin e arsimit dhe të edukimit.

Bardh Nitaj, pas një sëmundje të gjatë, ndërroi jetë, në banesën e tij, në Deçan, më 08 dhjetor 1995. U varros të nesërmen, në fshatin e tij të lindjes, në Dranoc, me nderimet e mijëra qytetarëve, që kishin ardhur t’i bëjnë nderimet e fundit – mësuesit të tyre të dashur.