Friday, November 13, 2015

Ngelës në klasë

Më kujtohet nga femijëria kur një fqinjes tonë i kishte ngelur një nga fëmijet e saj, në klasën e parë të fillores, ajo ishte arsyetuar para shoqeve tjera fqinje se fëmiu i saj kishte mësuar mirë, por mësuesi do ta rikthente edhe një herë në të njejtën klasë, për tu forcuar edhe më shumë!... Shpeshherë e kemi rrëfyer këtë ndodhi, gjatë jetës, për të ironizuar me ndonjë rast të ngjashëm.
Tash nuk po ironizoj me Kosovën, por me ata që kanë ngelur në klasë - klasën tonë politike. Duke e ditur që UNESCO është shkolla, politika jonë ngeli në klasë dhe për më keq humbi hiq më pak se dy vite.
Jo vetëm në fëmijëri, por gjithnjë ishte pothuajse e turpshme të ngelësh në klasë. I bie që nuk ke mësuar as mjaftueshëm, se thjeshtë nuk ke qenë për shkollë. Përseritësit gjithmonë shiheshin me një farë përbuzje.
Në arsimin e lartë, rënja nga provimi don të thoshte se nuk kishe arritur kriterin minimal të kalueshmerisë. Natyrisht që s'mund të mburrëshe me atë që së paku ke zotëruar gjysmën e lëndës, sepse ti thjesht kishe rënë në provim. Edhe kjo ishte e turpshme. Të duhej pritur afatin tjeter.
Klasa jonë politike, kuptohet, nëse vërtet ka synim organizatën - shkollë UNESCO, duhet të riprovohet pas dy vitesh.
Humbja e vitit shkollor për ngelësin apo rënja nga provimi për studentin e dobtë, kishte efekte të pariparueshme për jetët e tyre. Por, në rastin e klasës sonë politike, efektet e pariparueshme për këtë ngelje klase, do t'i bart qytetari i Kosovës. Dy vite janë humbje shumë e madhe!...
Si ne çdo rast tjetër të ndonjë mossuksesi, ngelësi arsyeton vetveten, duke u ndërlidhur me rrethanat që i kanë cenuar atij suksesin. Por, ai prap mbetet ngelës! Klasa jonë politike, me të drejtë, mund të hidhërohet vetëm me vetveten dhe me miqtë ndërkombëtarë, që në rolet e tyre nxënës-mësues, dështuan.
Si qytetar i këtij vendi jam shumë kurreshtar të kuptoj se si këto dy palë do të sillen në vazhdim. Mendja ma thotë se, ngelësi, ngelës do të mbetet. Për të kryer shkollë duhet që klasa të përbëhet nga mendje të ndritura. Për UNESCO dhe kudo tjetër, vendit i duhet një klasë e re politike, e zhveshur nga çfarëdo e kaluar, e veshur vetëm me atdhedashuri. Mësuesi, atëherë nuk ka rëndësi se në çfarë roli e niveli do të jetë.

10.11.2015, Prishtinë