Tuesday, January 17, 2017

Treni eksperimentues

Ky janar siç duket, jo veç po shënon fillimin e një viti tjetër të ri, por më shumë se kaq po duket se po qartëson lëvizjet e reja të pritura jo pa droje në skenën politike në përgjithësi. Bashkimi Evropian pa Britaninë në te dhe tranzicioni më i papritur dhe më i paparashikueshëm ndonjëherë në ShBA, si duket ka shtuar apetitet sllave për të provuar mësyemjen në Kosovë. Nuk thuhet kot se "krimineli gjithmonë kthehet në vendin e krimit". Alarmi i rrezikut mendoj që duhet ndezur në rrafshin mbarëkombëtar. Bota do të kaloi në faza të reja e të paqarta e ndoshta shumë të rrezikshme, prandaj shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, duhet ta ndjejnë këtë rrezik dhe vërtet të jenë si asnjëherë më parë të vetëdijshëm se pa qenë të bashkuar, vështirë do të përballen me sfidat që po pergatiten. Historikisht, pozicionimi i gabueshëm ka sjellë pasoja të rënda. Prandaj, më shumë se sa mbështetja tek aleatët përendimor, më e fuqishme do të jetë mbështetja tek bashkimi dhe reagimi si një komb i vetëm. Zhvillimet në vazhdim nuk do të duhej të na gjenin të befasuar. Megjithatë treni i provokimeve ka lëvizur në kohën e vlimeve të mëdha në botë, e koha për ndërtimin e një strategjie mbarëkombëtare - pothuajse e skaduar. Do ta zëmë, ne, trenin tonë?!...

Prishtinë, 14.01.2017

Megjithatë këpucët rrëshqasin

Kohë më parë pata thënë: "Dikujt as në akull nuk i rrëshqasin këpucët", mirëpo, sot, kur bora e parë po zbardhte natyrën dhe të ftohtit e acartë po ngrinte gjithçka para vetës, kjo thënie fitoi edhe një dimension të ri kuptimi. Këpucët e pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) sot nuk bënin. Ato nuk përballonin dot një ngricë rruge të mëngjesit, nuk ishin të dimensionuara për këtë prag-dimri. E i gjori ushtar, e ka të pamundur të mos rrëzohet dy a tre herë brenda dy-treqind metrave rrugë, kur po shkonte këtë mëngjes për në detyrën që e priste. Si do të arrijë ky djalë i ri i Forcës sonë t'i zbatoj detyrat që i jepen, me këto këpucë? A thua edhe eprorët e tij mbajnë këpucë të tilla? Po, le të më thotë dikush, nëse kryetarë, qeveritarë, deputetë, drejtorë e udhëheqës tjerë rrëzohen rrugëve dhe trotuareve tona kur mësyjnë vend-punimet e tyre, sepse këpucët e tyre nuk bëjnë për ditë të ftohta e me ngrica!... Nuk do të shkruaja, sepse këtu, në Kosovën time, për të arritur ngushëllimin shpirtëror e moral, duhet që kudo që lëvizim, të mbajmë laps migjenian që të hedhim mbi letër të bardhë të gjitha të zezat që i hasim në përditshmërinë tonë. Mirëpo, ishte për keqardhje deri në dëshpërim, kur sheh ushtarin tënd që rrëzohet disa herë para syve tu për shkak të këpucëve që nuk bëjnë. Në një ditë si kjo, unë si qytetar duhej të shihja ushtarin të bënte hapa të guximshëm, me këpucë adekuate, duke ndihmuar njerëzit kalimtarë në nevojë!...

Pa u zgjatur, me dëshpërim të thellë, dyshoj që kjo klasë politike ka interes dhe synim forcimin e Forcës dhe shndërrimin e saj në Ushtri!...

Prishtinë, 29 Nëntor 2016