Wednesday, May 31, 2017

Engjëjt në mes nesh

Më ndodh ndonjëherë që edhe kur nuk kam përgjigje adekuate të mos hezitoj të them diçka të logjikshme në lidhje me temën që më është shtruar. Por, më ndodh edhe të përpëlitem e të mos flas kush e di se çfarë kur pyetjet më bëhen nga më të vegjlit. Djali im, por edhe ish-nxënësit e mi, në të kaluarën kur punoja mësimdhënës, jo rrallë më kanë sfiduar me pyetje prej më të ndryshmeve e për të cilat, përgjigjet nuk janë aspak të lehta për t'iu dhënë. Janë pyetje që më së paku janë të paramenduara, burojnë në mënyrë spontane nga mendjet e tyre të shëndosha, e pa drojë për ndonjë qortim apo ndëshkim. Ata nuk ngurrojnë të bëjnë edhe ndonjë konkluzion logjik. E si t'u përgjigjesh këtyre shpirtrave të pa djallosur? Të duhet ndjeshmëri e zhvilluar ndaj tyre. Ndodh që duhet t'u lajthitësh paksa të vërtetave vetëm e vetëm që mos të lëndosh paqen e botës së tyre fëmijërore. Si t’u tregosh krejt të vërtetat e kësaj bote, jo rrallë të pakapshme edhe për mendjet e shëndosha të të rriturve. 

Djali im më pyet pothuajse për gjithçka që atij i duket interesante. Unë e inkurajoj të mos resht të bëj pyetje, por jo pa bërë së paku një përpjekje të lehtë për të zgjidhur vetë enigmën. Pyetje, që jo rrallë marrin përgjigje paksa më të ndryshme apo më të plotësuara nga ato që i ofrohen në libër apo shkollë. Pyetje nga lëndët, histori, edukatë qytetare, njeriu dhe natyra etj., ndërsa temat nga më të nxehtat, si prejardhja e shqiptarëve, luftërat e Skënderbeut e deri te lufta e fundit në Kosovë, struktura dhe raportet ndëretnike të vendit tonë, feja dhe Zoti, krijimi i tokës dhe gjithësisë, njeriu dhe bota shtazore e bimore dhe raportet në mes tyre, e deri te matematika dhe të panjohurat e kësaj lënde. Si t’i shpjegosh lehtë e qartë dhe pa prishur balancën e qetë të botës së tij, por pa lajthitur shumë nga e vërteta e plotë. Shumë koncepte kurrë nuk i mësuam nëpër shkolla. U deshtë pastaj të hulumtojmë vet. Shumë koncepte ende nuk kanë marr përgjigje përfundimtare as nga shkenca moderne. Shume histori ose nuk janë thënë te plota ose tek pritet te shkruhen. Ajo qe unë nuk hezitoj t’i them djalit tim është se gjithçka për të cilat ne flasim u krijua nga një krijues. Ai krijues është Zoti!

Është Zoti që në mesin tonë sjell engjëj, pra, fëmijët tonë. Ata që na pasurojnë jetët tona më shume se kushdo dhe çfarëdo tjetër. Ata që edhe gërhitja e tyre në gjumë na vjen si melodi. Ata që edhe kur djersinë dhe baltosen nga loja i përqafojmë pa gërditje. Ata që sa herë t’i dëgjojmë në turmë na ngazëllejnë shpirtrat tonë më fuqishëm se orkestra më e mirë muzikore. Ata që edhe pse pa skenar të shkruar na bëjnë jetët tona edhe me sfiduese e dinamike më mirë se cilido film hollivudian. Ata që na gëzojnë aq shumë me përparimet e tyre sado modeste sa lumturohemi më shumë se sa për të arriturat me kapitale tonat. Pra, engjëjt janë mes nesh. Mos lëndoni engjëjt! Mos lëndoni të ardhmen e botës, të gjithë ju, o njerëz, kudo që jeni. Mos bëni që engjëjt e sotëm nesër të jenë duke ecur rrugës së djallit. Mos e përsëritni historinë që ju ka ndodh ju, sado e vështirë të këtë qenë. Jepuni fëmijëve lumturinë, buzëqeshjen dhe gëzimin. Fillo nga tash, vazhdo edhe nesër dhe çdo ditë!

Thursday, May 18, 2017

Zgjedhjet në Kosovë

Prej pasluftës në Kosovë u organizuan disa zgjedhje, në nivel komunal si edhe në atë qendror. Kujt nuk i kujtohen zgjedhjet e para, në të cilat radhët për të votuar e kështu për të kryer obligimin qytetar dhe të drejtën kushtetuese, ishin pa fund. Gjasonte me festë. Për herë të parë populli përcaktohej se kujt t'ia besonte drejtimin e vendit. Tjetër për çfarë do të mbahen në mendje zgjedhjet e para:

- fitorja absolute e Rugovës dhe humbja jo pak befasuese e krahut të luftës; 

- krijimi i parë i qeverisë qendrore nga tre subjektet kryesore, duke mos lënë fare opozitë;

- diskriminimi pozitiv për pakicat (krejt me hile dhe i pashembullt për demokracitë e avancuara);

- të qenurit ditë pushimi, të hënëve, menjëherë pas zgjedhjeve, nga droja e përplasjeve nga taboret kundërshtare, etj.

Pas vdekjes së Rugovës dhe shkapërderdhjes së një pjesë të elektoratit të LDK-së, numri i votuesve pjesëmarrës kishte rënie të dukshme. Kështu, pati një memorandum mirëkuptimi nga subjektet kryesore politike që zgjedhjet të pranoheshin për të vlefshme edhe nëse numri i votuesve nuk kalon mbi 50%. Kjo marrëveshje natyrisht pos që ishte anti-demokratike, dëshmonte se subjektet politike nuk kishin arritur të ngjallnin aspak interesim por as besim tek votuesit.

Pa dëshirën për kritikë për të metat e sistemit të pareformuar zgjedhor, edhe zgjedhjet e radhës nuk shpresohet që do të sjellin shumë të mira për njerëzit këtu, jo vetëm për faktin se akterët kryesorë të skenës politike janë po ata të njëjtit, por se shumica e subjekteve poltike nuk kanë parime dhe programe të orientuara dhe të qarta politike. Vet fakti se koalicionet i lidhin në ditët dhe minutat e fundit por edhe se janë të hapur për çfarëdo kombinimi, dëshmon se atyre nuk iu intereson shteti dhe zhvillimi tij, por pushteti dhe interesat e ngushta personale apo klanore. Me pak dallime, pothuajse të gjithë janë provuar duke qenë në pushtet, dhe krejt çfarë kanë arritur ata është rritja enorme e pasurive së tyre. 

Sido qe të jetë, populli edhe kësaj radhe duhet besuar në forcën e së drejtës së tij për votë duke dalur në numër të madh për të votuar, ndërsa partitë të zotohen se do t'i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve. Fituesit, por edhe humbësit, të kthjellën dhe të punojnë vetëm për të mirën e vendit dhe njerëzve këtu, pasi që koha po kalon për të mbajtur gjallë gatishmërinë e këtyre njerëzve për të qëndruar në Kosovë e për të mos kërkuar medeomos shpresën duke ikur nga këtu.

Me fat Kosovë!

Prishtinë, 18.05.2017