Sunday, March 18, 2018

Presidenti i Malit të Zi dhe 'Deklarata'

Sipas Pjesës së tretë të Kushtetutës së Malit të Zi, të vitit 2007, me të cilën rregullohet sfera e qeverisjes dhe e vendimmarrjes, përcaktohet radha e organeve kompetente, Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria. Sipas kësaj, neni 95 saktëson kompetencat e Presidentit, i cili pos që e përfaqëson shtetin e tij, brenda dhe jashtë vendit, ai po ashtu kryen edhe detyra të tjera sipas Kushtetutës dhe ligjit.

'Deklarata e dy Presidentëve' rreth demarkacionit, (e cila, siç thuhet, është nënshkruar për të inkurajuar Kuvendin e Kosovës për të ratifikuar 'Marrëveshjen' e nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015), 'është bazuar në besimin reciprok, vullnetin e mirë dhe nevojën e avancimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve, por duke respektuar sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e të dy shteteve, karshi detyrimeve nga Karta e OKB-së dhe respektimit të Strategjisë së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.' (cit.)

Pa artikuluar përmbajtjen e 'Deklaratës', por duke u bazuar në kompetencat e Presidentit malazez, i cili përfaqëson vendin e tij në arenën ndërkombëtare, kjo 'Deklaratë' është politike dhe jo e karakterit vendimmarrës apo obligativ për vendin e tij, pasi ai këtu, vetëm ka ndërtuar një segment të politikës ndërkombëtare të vendit të tij, në këtë rast, në raport me shtetin fqinj, Kosovën.

Në rast të mos-shqyrtimit dhe mos-korrigjimit eventual të sektorëve të diskutueshëm nga Grupi punues ndërshtetëror gjatë shënjimit të vijës kufitare (ashtu siç parashikohet në artikullin 3 të nenit 7 të 'Marrëveshjes'), e vetmja 'penalti' që mund të rezultojë, në raport me pjesën malazeze të 'Deklaratës' është lëkundja e besimit reciprok deri në prishjen e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Kuvendi i Kosovës, para se të votoj 'pro' ose 'contra' 'Marrëveshjes', do të duhej të vlerësonte, nëse aspiratat e shtetit fqinj për integrime evropiane,  janë synime të tilla, që edhe për një kohë do të siguronin një politikë të sinqertë të tyre ndaj nesh, rrjedhimisht edhe një 'shënjim të vijës kufitare' nga të gjeturat e përbashkëta, cilado qofshin ato.