Saturday, August 25, 2018

Partizanët apo gjermanët, kush e fitoi luftën?

Si fëmijë të vegjël që sapo kishim nisur rrugën e nxënies së dijes, e të nxitur sigurisht edhe nga rendi socialist në të cilin jetonim, parapëlqenim t'i shikonim e nuk ngurronim edhe t'i komentonim filmat me “partizan e gjerman”, të cilët i ndiqnim në TV apo kinema. Të tmerruar nga humbjet e mëdha që pësonin “partizanët” bashkë me popullatën, gjithandej ku zhvilloheshin betejat dhe sulmet e përgjakshme të “gjermanëve”, nuk kishim pothuajse asnjë dilemë të nxirrnim konstatimin se “gjermanët” ishin ata që e kishin fituar luftën. Por, duke ecur tutje rrugës së nxënies së dijes, kjo siguri e jona për epilogun e asaj lufte, filloi të bëhej e diskutueshme dhe e dyshimtë. Mësuesit dhe librat e thoshin të kundërtën, luftën e kishin fituar “partizanët”. Si ishte e mundur, me gjithë ato humbje, do të pyesnim ne? Në fakt, kur bëheshim paksa më të logjikshëm dhe e bënim mendjen më të shëndoshë, edhe pajtoheshim, se s’kishte fitues tjetër pos atyre që thoshin mësuesit e librat, kjo edhe për faktin se tashmë në kohën e fëmijërisë sonë, “gjermanët” nuk ishin prezent më. Por, kush i ndoqi ata? Nuk mund të ishim të sigurt t’u referoheshim edhe më tutje filmave për të nxjerrë përgjigjen hamletiane për moshën tonë, pasi parë nga filmat qartë shihej se kush po humbiste. U deshtë të rriteshim akoma më shumë për të kuptuar se, lufta ishte fituar nga një aleancë e madhe forcash “anti-gjermane”, e për rrjedhojë kishin përfituar epitetin e fituesit edhe aleatët e tyre “partizanët”, me gjithë humbjet e mëdha, që ua kishim parë me sytë tonë nëpër filma.

"Skica fëmijërie"
Prishtinë, 25.08.2018