ARSIMI – SHTYLLË E QENDRESËS DHE VETËDIJËS KOMBËTARE
Sivjet, nxënësit dhe arsimtarët si dhe qytetarët e
Deçanit me rrethinë kremtojnë një jubile të rëndësishëm për arsimin, edukimin
dhe kulturën e kësaj treve në përgjithësi. Pikërisht në maj të maj të vitit
1967, u themelua Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” i cili për tridhjetë vjet të
ekzistencës së vet do të lë gjurmë të pashlyeshme në historikun e arsimit shqip
të Deçanit dhe fshatrave përreth.
Shkollat e para dhe mësuesit
Popullsia e kësaj
treve ka një traditë të pasur kulturore dhe arsimore, mirëpo shënime rreth
zhvillimit të shkollave hasen tek në fillim të këtij shekulli. Natyrisht, që këto
shkolla do të punojnë herë në gjuhën shqipe e herë në atë serbe, varësisht nga
rrethanat politike të kohës. Kështu, më 1906 në Manastirin e Deçanit punon
shkolla në gjuhën serbe, kurse më 1909 në Xhaminë e Carrabregut punon shkolla
në gjuhën shqipe me alfabet arab, me mësues mulla Adem Dautaj. Një zhvillim më
të mirë të shkollës në gjuhën shqipe e hasim në periudhën e Luftës së Parë
Botërore (1915-18). Kështu, së pari më 1915 hapet shkolla në Dranoc, në xhaminë
e fshatit dhe një vit më vonë edhe në Junik, Strellc dhe Irzniq.
Në shkollën e
Dranocit qenë përfshirë rreth 80 nxënës, të gjithë djem nga fshatrat e regjionit
të Vokshit, si dhe fëmijë serbë nga Lloqani. Shkolla punonte në dy ndërrime e
mësimi mbahej nga Ibrahim Fehmiu (i cili do të punojë më pas edhe në shkollat
në Junik e Irzniq). Një vit më vonë do të vijë edhe mësuesi i dytë, Haxhi Hasi,
nga Shqipëria. Në shkollën e Junikut mësues ishte Tahir Efendi Shehiqi, kurse
në shkollën e Irzniqit Latif Shaqiri. Shkollën në Strellc e udhëhoqi Nexhip
Draga, kurse 175 nxënësit e kësaj shkolle i mësonin edhe mësuesit Muharrem
Blakçori, Xhevat Kelmendi e Ndue Varfri. Në këto shkolla mësoheshin lëndët:
gjuhë shqipe, arithmetikë, gjeometri, gjeografi, histori, njohuri natyre, mësim
fetar, bukurshkrim, këngë, vizatim, punëdore, fizkulturë dhe mirësjellje, deri
sa në shkollat në serbishte më kryesore ka qenë lënda mbi fenë. Kushtet për
punë në këto shkolla ishin mjaft të vështira. Në Dranoc, mësimi zhvillohej në
korridorin dhe në ballkonin e xhamisë. Orendi nuk kishte fare, pos disa bankash
të vjetra dhe të ndonjë tabele primitive. Tekstet ishin të pakta dhe ato
silleshin nga Shqipëria.
Asnjë nxënës nuk e
kreu shkollën, sepse pas tre vjet pune, më 1918, regjimi i Mbretërisë SKS i
mbylli këto shkolla dhe nuk lejoi që të përdorej asgjëkundi fjala dhe shkronja
shqipe. Kështu, nxënësit shqiptarë, me mundime të mëdha, do të jenë të detyruar
të ndjekin mësimet në serbishte, në shkollat që do të rihapen, më 1922 në Deçan
e Strellc, më 1924 në Junik dhe më 1927 në Irzniq. Shkolla e Deçanit prej vitit
1927 do të kalojë në lokal shoqëror (tash lokali i vjetër i shkollës fillore).
Shkollat në Deçan,
Junik, Strellc e Irzniq do të punojnë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore pa
ndërprerje, përsëri në gjuhën shqipe me mësues nga Kosova e Shqipëria. Kështu,
Beqir Kastrati do të emërohet kryemësues në shkollën fillore të Deçanit, kurse
drejtor i shkollës Haki Taha. Në këtë shkollë do të punojnë edhe mësuesit Haki
Bardhi, Beqir Pozhegu etj. Edhe shumë mësues tjerë të njohur frekuentuan gjatë
kësaj periudhe (1941-45) por edhe më pas, nëpër shkollat fillore të Deçanit e
fshatrave përreth, duke sjellë rezultate të pamohueshme në arsimimin e
popullatës së këtushme gati krejt analfabete dhe duke ngritur tek ta idealet
dhe aspiratat për liri dhe pavarësi. Megjithëse frontet e shumta të luftës
kishin gëlltitur shumë të rinj të moshës shkollore, një pjesë arriti që të
shkollohej dhe t’i bashkohej armatës jo të numërt të mësuesve të kohës dhe
kështu të kontribuonin në vënjen e gurthemeleve të shkollës shqipe.
Gurthemelet e shkollës shqipe
Përfundimi i luftës,
popullsinë e këtushme, si kudo nëpër Kosovë, do ta gjejë në skamje e mjerim të
madh. Njerëzit, që kryesisht merreshin me veprimtari bujqësore e blegtorale,
kishin rënë në një varfëri të madhe, kurse sëmundjet e shumta epidemike si
rezultat i luftës e ngarkonin edhe më shumë jetesën e tyre. Kur i shtohet kësaj
edhe (ri)okupimi sllavo-komunist, atëherë mund të paramendohet se çfarë drame
po përjetonin shqiptarët këndej kufirit. Mirëpo, si gjithnjë gjatë historisë,
populli do t’i nxjerrë nga gjiri i vet bijtë dhe bijat më të mira të kombit,
ashtu që këta të bëhen fli për çështjen madhore të kombit. Dhe duke qenë arsimi
– shtyllë e qendresës kombëtare, detyrë prioritare e këtyre patriotëve të
kombit ishte vënia e gurthemeleve të shkollës shqipe. Prandaj, edhe sukseset në
arsim që do të pasojnë i gjejmë në kontributin e pakontestueshëm të të gjithë
atyre pionierëve të arsimit, të cilët nuk kursyen asgjë dhe jo rrallë flijuan
vetveten, duke u gjendur në udhëkryqe të vështira e të kurdisura nga pushteti
komunist.
Fillimi ishte shumë
i vështirë. Mungesa e lokalit, mjeteve të punës e sidomos e kuadrit mësimdhënës
ishin mjaft të ndjeshme, sikurse edhe faktet se mbi 90 për qind e popullsisë
ishin analfabetë, 95 për qind të mësuesve ishin të pakualifikuar, ndërsa
arsimtarë dhe profesorë s’kishte fare. Por, këto vështirësi do të tejkalohen në
saje të angazhimit të të gjithë njerëzve arsimdashës, e para se gjithash në
saje të mësuesve të parë – veteranëve Bardh (Ukë) Nitaj, Ramë (Shaban) Alaj,
Avdyl (Nush) Çekaj, Haxhi (Mahmut) Aliçkaj, Hasan (Beqir) Baçaj, Ahmet (Avdyl)
Povataj, Fazli (Jahë) Binakaj, Jusuf (Sadik) Nimonaj e shumë të tjerëve, të
cilët karrierën e mësuesisë e filluan duke hapur shkolla nëpër fshatrat e
ndryshme të Deçanit, por edhe gjetiu nëpër Kosovë, kudo që ndjehej nevoja. Nuk
duhet harruar këtu as mundin e djersën e mësuesve tjerë të ardhur nga viset e
Kosovës, siç ishin Islam Spahiu, Qazim Zhubi, Njazi Fehmiu, Haki Rraci, Hasan
Zeka, Sali Prizreni, Ramiz Musa, Pajazit Nushi, Ramiz Pupovci etj.
Ndërtesa shkollore
kishte vetëm në Deçan e Irzniq. Në Junik, nxënësit mësonin në xhami dhe në
kullat Ali Bajraktarit, ndërsa në
Gramaçel në kulla të Kamer Sylës, Kuqit e Malokëve. Pas 27 viteve, do të
rihapet shkolla në Dranoc, ku në fillim mësimi do të mbahet në xhaminë e
fshatit e më pas në shtëpinë e imamit të xhamisë dhe në shtëpinë e Sava
Popoviqit (i vrarë si çetnik). Në këtë kohë, kompetentët e arsimit të Kosovës
(në krye me prof. Zekerja Rexhën) angazhonin edhe shumë të rinj gjimnazistë në
procesin mësimor, duke i aftësuar nëpër kurse pedagogjike për mësues, pasi që
nevoja për hapjen e shkollave dhe kurseve analfabetike e shëndetësore sidomos
nëpër fshatra ishte e madhe.
Kështu, shumë të
rinj deçanas i vijuan këto kurse, duke iu bashkuar mësuesve të tjerë në
procesin mësimor ose duke hapur shkolla të reja në Deçan e rrethinë, si dhe
gjetiu nëpër Kosovë. Shumë sish vazhduan të shkolloheshin në nivele më të
larta, paralelisht me punën e mësuesit që e kryenin. Prandaj, kjo ishte e
mirëseardhur, pasi në ndërkohë përpos shkollave fillore do të hapen edhe
gjimnazet e ulëta (progjimnazet) si në Deçan, Gramaçel, Irzniq etj. Këto
progjimnaze më vonë do të shndërrohen në shkolla të plota fillore (8 vjeçare).
Kështu, në vitet e rasformimeve të rretheve dhe krijimit të sistemeve komunale,
rrjeta shkollore në Komunën e Deçanit numëronte 5 shkolla të plota fillore
(Deçan, Junik, Irzniq, Gramaçel e Strellc) dhe tetë paralele të detashuara të
këtyre shkollave, ku mësimet i vijonin afro 5 mijë nxënës.
Themelohet gjimnazi “Vëllezërit Frashëri”
Ata nxënës që
kryenin shkollën fillore shpeshherë nuk kishin mundësi t’i vazhdonin mësimet në
shkollat e mesme të qyteteve të Kosovës për shkak të kushteve ekonomike dhe
largësisë, andaj ndihej nevoja e hapjes së ndonjë shkolle të mesme në komunë.
Kështu, falë angazhimit të disa mësimdhënësve, qysh në vitin shkollor 1958-59
në lokalet e shkollës fillore të Deçanit, do të fillojnë nga puna tri paralele
të detashuara, të Gjimnazit, shkollës së mesme bujqësore dhe shkollës së mesme
ekonomike – të Pejës, ku do të përfshihen nxënësit e rritur që më parë nuk
patën mundësi të shkolloheshin gjetiu. Mësimet në paralelen e Gjimnazit dhe në
atë të shkollës bujqësore zhvilloheshin shqip, derisa në paralelen e shkollës ekonomike
serbisht. Në këto paralele mësimet nuk i vijoi asnjë vajzë shqiptare, pasi që
mësimi zhvillohej në ndërresën e dytë dhe të tretë. Pas daljes së gjeneratave
të para këto paralele u shuan. Mirëpo, pas përpjekjeve të serishme u arrit që
në vitin shkollor 1962/63 të hapen paralelet e ndara të Shkollës Normale të
Pejës, të cilat po ashtu punojnë në lokalet e shkollës fillore të Deçanit, në
gjuhën shqipe dhe serbokroate, me arsimtarë vendës dhe disa tjerë nga Peja.
Nxënësit në këto paralele i kryenin dy klasët e para, për të vazhduar më pas në
ndonjë shkollë tjetër normale. Kësaj radhe u përfshi edhe një numër i
konsiderueshëm i vajzave shqiptare, të cilat pasi kryejnë normalen, fillojnë
punën mësuese në shkollat fillore të këtushme. Edhe këto paralele ndërpresin
punën pas tre vjetëve.
Duke e parë nevojën
për shkollimin e mesëm të të rinjve deçanas, pasi ishin shuar paralelet e ndara
të Pejës, në një mbledhje të Kuvendit Komunal të Deçanit (në maj të vitit
1967), deputeti i dhomës për kulturë dhe arsim, profesori Bardh (Ukë) Nitaj
inicioi hapjen e një gjimnazi të plotë dhe të pavarur në Deçan. Pas një sërë
debatesh dhe polemikash, dominoi mendimi i intelektualëve dhe i dashamirëve të
arsimit dhe kështu kuvendi miratoi propozimin dhe emëroi Komisionin amë për
themelimin e Gjimnazit në Deçan. Komisioni prej 5 anëtarëve në krye me prof.
Bardhin, i kreu të gjitha përgatitjet e duhura brenda një afati rekord dhe
kështu me Vendimin nr. 01-5162/9 dt. 07.XII.1967 të K.K. Deçanit, u themelua
Gjimnazi i plotë dhe i pavarur “Vëllezërit Frashëri”.
Gjimnazi i Deçanit
do të fillojë nga puna ne vitin shkollor 67/68, fillimisht ne lokalin e vjetër
te shkollës fillore në Deçan, kurse prej vitit shkollor 72/73 do të kalojë në
objekte të reja, ku kushtet për zhvillimin e procesit mësimor do te jene shume
me te mira. Gjimnazi filloi punën me profesorët Sali Imami, Bajram Januzaj,
Njazi Ferizaj, Mehmet Kërveshi, Gëzim Basha, Selim Begolli, Ismajl Dula, Bardh
Nitaj etj. Në vitin e parë të punës, klasën e parë e filluan 176 nxënës, prej
tyre 12 vajza. Mirëpo, nga viti në vit Gjimnazi do të shënojë rritje si nga
aspekti sasior ashtu edhe nga ai cilësor. Kështu, pas disa viteve ky gjimnaz do
t’i ketë paralelet e veta të ndara edhe në Junik, Irzniq dhe Isniq, ashtu që
shkolla në vitin shkollor 1980/81 do t’i ketë mbi 2300 nxënës, prej tyre 700
vajza si dhe një kuadër mjaft të profesionalizuar mësimdhënësish. Gjimnazi i
Deçanit ishte njëri ndër tre gjimnazet e Kosovës që së pari filloi zbatimin e
reformës për arsimin e mesëm të orientuar. Nxënësit e profesorët e këtij
gjimnazi për sukseset e tyre të treguara në gara, manifestime e raste të tjera
do të nderohen me shpërblime, mirënjohje e dekorata, kurse në rastin e jubileut
të gjimnazit, në maj të vitit 1977 nxjerrin fletushkën “Rreze Drite”, e cila
bëhet një tribunë mendimesh, veprash dhe krijimesh.
Paralelisht me
themelimin e gjimnazit, më 1967 themelohet Bashkësia Komunale e Arsimit, pasi
që më parë ishte themeluar edhe Fondi për Arsim e Kulturë. Me mjetet që kishin
në dispozicion këto dy institucione u arrit të ndërtohen objekte të reja
shkollore në Deçan, Gramaçel, Junik, Isniq, Dranoc, Lumbardh, Maznikë e
Prapaçan. Shkolla të reja do të ndërtohen edhe në Strellc të Epërm, Irzniq dhe
Prejlep, falë përgjigjes tej plani të huas popullore për arsim, të deçanasve. Edhe
dy institucione të rëndësishme do të themelohen më vonë në komunën e Deçanit,
më 1973 Inspeksioni Komunal i Arsimit dhe më 1982 Enti Komunal Pedagogjik.
Këto, pra, ishin vitet vendimtare në arritjet në lëmin e arsimit, edukimit dhe
kulturës në përgjithësi. Orientim kryesor ishte ngritja e institucioneve
komunale, zgjerimi i rrjetit shkollor, ngritja dhe sigurimi i kuadrove,
përmirësimi i kushteve të mësimit nëpër shkolla dhe ndërtimi i objekteve të
reja shkollore.
Vitet e gjata të mbijetesës
Derisa vitet e
70-ta ishin vite të arta për arsimin dhe shkollën shqipe, vitet e 80-ta dhe
90-ta do të jenë vite të përjetimeve të rënda, por edhe vite të gjata të
mbijetesës. Ngjarjet e vitit 1981, por edhe ato që do të pasojnë, nuk do të
kalojnë pa pasoja edhe për arsimin deçanas. Kështu shkollat fillore të
komunës e sidomos Gjimnazi i Deçanit do
të sulmohen në mënyrë të egër duke i konsideruar si çerdhe të nacionalizmit e
separatizmit shqiptar. Dhjetëra nxënës e profesorë së bashku me drejtorin e
kësaj qendre do të përjashtohen nga kjo shkollë, e shumë prej tyre edhe do të
dënohen me vite të tëra burg. Ishte pra, kjo koha kur pushteti komunist eleminonte
ata të cilët me mundin e djersën e derdhur ndër vite kishin arritur që shkollës
shqipe t’i jepnin fizionominë e një shkolle moderne e të përparuar. Por, me
gjithë këto erëra që ngjanin me ato të mesjetës, shqiptarët do të dinë t’i
bëjnë ballë furtunës së kohës. Dhe, kështu jo vetëm që nuk do të ndalet hovi i
zhvillimit por orientimi i njerëzve arsimdashës do të jetë zgjerimi i rrjetit
shkollor, duke ndërtuar shkolla të reja (Jasiq, Voksh të Madh, Pobergjë,
Baballoç, Shaptej, Beleg, Ratishë, Kodrali, Gllogjan, Llukë, Pozharë etj.), ose
duke i pavarësuar ato (Prapaqan, Prejlep, Restavicë), ashtu që në vitin
shkollor 88/89 do të funksionojnë 10 shkolla fillore (në Deçan, Isniq,
Prapaqan, Junik, Irzniq, Dranoc, Gramaçel, Strellc të Epërm, Prejlep e
Restavicë) me 9 paralele të ndara, si dhe shkolla e mesme “V. Frashëri” në
Deçan. Në të gjitha këto shkolla do të punojnë rreth 500 mësues, arsimtarë e
profesorë, kurse numri i nxënësve do të arrijë shifrën rekorde prej 10 mijë
nxënësve fillor dhe 2500 nxënësve të mesëm.
Goditja më e rëndë
arsimit shqip, iu dha me suprimimin e Autonomisë së Kosovës në mars të
’89-shes. Kështu, nuk do të shkojë larg dhe prej shtatorit ’91 mbyllen të
gjitha shkollat e fakultetet në Kosovë, pasi më parë ishin mbyllur dhe ndaluar
edhe institucionet më të larta arsimore. Por në mars të vitit 1992, populli
edhe një herë në këtë shekull do t’i hapë zemrat, dhe kullat e gurit që nuk
mundi t’i rrëzojë asnjë armik, do të bëhen tempuj diturie, si dikur nëpër
mote... Kështu, në rrethanat aktuale të okupimit, edhe popullsia e Deçanit me
rrethinë, e cila është në shumicë absolute shqiptare, po bën sakrifica të mëdha
për të mbijetuar këtë errësirë që e ka pllakosur tërë Kosovën. Përpos
organizimit në sfera të ndryshme vitale të jetës, kujdes i veçantë po i
kushtohet edhe organizimit sa më të mirë të procesit edukativo-arsimor.
Shkollat punojnë sipas varianteve C, B dhe A (në rastin e lirimit të lokalit).
Aktualisht, në komunë punojnë 14 shkolla fillore, si dhe shkolla e mesme me 7
punktet e veta, me drejtimet e gjimnazit dhe shkollës teknike. Rezultatet janë
inkurajuese, me gjithë dhunën që ushtrohet përditë ndaj nxënësve e pedagogëve
të tyre. Është kjo dhunë shkaku që sot numri i nxënësve në mërgim shënon
rritje, derisa këtu në Kosovë, ky numër është në rënie. Është po kjo dhunë
shkaku që sot të mos jenë mes nesh Rasim Molliqaj, Haki Povataj, Salih Hadërgjonaj,
Mentor Tolaj, Naim Turkaj, Armend Daci, Edmond Hoxha, Luan Haradinaj e dhjetëra
të tjerë të rënë anekënd Kosovës. Prandaj, edhe sakrificat e shqiptarëve për
shkollën shqipe e për atdheun e lirë janë më se të arsyeshme dhe më se të
domosdoshme.
Thirrja e
përbashkët e të gjithë atyre mësuesve të parë, e të gjithë atyre nxënësve
këmbëzbathur por krenar, e të gjithë atyre luftëtarëve për liri e pavarësi, e
të gjithë atyre të rënëve për këtë dhe, është më shumë për arsimin dhe shkollën
shqipe, sepse këto janë shtylla të qëndresës kombëtare.
19 qershor 1997, Deçan Skënder
(Bardh) NITAJ
P.S. U shfrytëzuan materiale të botuara dhe të pabotuara!
Numri i parë, i botuar më 3 shtator 1997, gazeta “Bujku” (Rilindja), faqe 6, me titullin kryesor: Shkolla – shtyllë e qëndresës dhe e vetëdijes kombëtare |
Numri i dytë, i botuar më 4 shtator 1997, gazeta “Bujku” (Rilindja), faqe 7, me titullin kryesor: Themelohet gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” |