Monday, April 30, 2018

Më thuaj ‘udhë e mbarë’

Anipse askund s’po shkoj
Më thuaj, ‘udhë e mbarë’

Anipse terri qytetin mbuloi
Më thuaj, ditë e re agoi

Anipse shiu nuk ka të ndalë
Më thuaj, ëndërr e keqe kaloi

Anipse ftohtë është, acar
Më thuaj, dil për të parë

Anipse lulet po vyshken
Më thuaj, po mbillet një farë

Anipse dielli nuk ngroh, hëna nuk ndriçon
Më thuaj, Kosovë e Lirë frymon.

© (S. Nitaj, 1990, Prishtinë)


Rezonim korrekt

Hapësira ndërron
Kohët ndërrojnë
Njerëzit ndërrohen
E unë "mbes" i njëjtë
dhe pikëllohem!...

Dielli plak përendon
Ditë e vjetër harrohet
Natë e re shqetëson
Rreze hëne lindet!...

© (S. Nitaj, 1991, Prishtinë)


Dielli

Çdo mëngjes rreze lëshon,
dhe nga gjumi neve na zgjon,
gjithë ditën zemrat na i nxehë
e në mbrëmje, hëna vendin ia zë.

Dielli ngrohë tërë botën,
ndriçon edhe planetin më të vogël.
Ai digjet flakë, vet
për të pasur në tokë, jetë!

© Skënder Nitaj (vjershë për fëmijë, Prishtinë, 19 prill 2015)


Pranverë në ne

Sa i bukur muaji i majit
Muaji i majit plot gjelbërim
Gjelbërim fusha, gjelbërim mali
Fushë e mal dhe në shpirtin tim!

Muaji i majit, muaj pranvere
Me plot lule, me plot aromë
Eja vashe rri pranë meje
Lumturinë bashkë ta shijojmë!

Si dy zogj të bashkuar
Folenë tonë ta ndërtojmë,
Si bilbila të dashuruar
Këtë këngë le ta këndojmë!

© (S. Nitaj, Pranverë 1991, Prishtinë)



Friday, April 27, 2018

Fotografia që mungon!...

N'kornizën e kujtimeve
N'ëndrrën e lënë gjysmë
N'murin e sh'pisë vjetër
Zbrazët një vend qëndron
Për fotografinë që mungon!...


© S. Nitaj (16 gusht 2017, Prishtinë)


Sunday, March 18, 2018

Presidenti i Malit të Zi dhe 'Deklarata'

Sipas Pjesës së tretë të Kushtetutës së Malit të Zi, të vitit 2007, me të cilën rregullohet sfera e qeverisjes dhe e vendimmarrjes, përcaktohet radha e organeve kompetente, Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria. Sipas kësaj, neni 95 saktëson kompetencat e Presidentit, i cili pos që e përfaqëson shtetin e tij, brenda dhe jashtë vendit, ai po ashtu kryen edhe detyra të tjera sipas Kushtetutës dhe ligjit.

'Deklarata e dy Presidentëve' rreth demarkacionit, (e cila, siç thuhet, është nënshkruar për të inkurajuar Kuvendin e Kosovës për të ratifikuar 'Marrëveshjen' e nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015), 'është bazuar në besimin reciprok, vullnetin e mirë dhe nevojën e avancimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve, por duke respektuar sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e të dy shteteve, karshi detyrimeve nga Karta e OKB-së dhe respektimit të Strategjisë së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.' (cit.)

Pa artikuluar përmbajtjen e 'Deklaratës', por duke u bazuar në kompetencat e Presidentit malazez, i cili përfaqëson vendin e tij në arenën ndërkombëtare, kjo 'Deklaratë' është politike dhe jo e karakterit vendimmarrës apo obligativ për vendin e tij, pasi ai këtu, vetëm ka ndërtuar një segment të politikës ndërkombëtare të vendit të tij, në këtë rast, në raport me shtetin fqinj, Kosovën.

Në rast të mos-shqyrtimit dhe mos-korrigjimit eventual të sektorëve të diskutueshëm nga Grupi punues ndërshtetëror gjatë shënjimit të vijës kufitare (ashtu siç parashikohet në artikullin 3 të nenit 7 të 'Marrëveshjes'), e vetmja 'penalti' që mund të rezultojë, në raport me pjesën malazeze të 'Deklaratës' është lëkundja e besimit reciprok deri në prishjen e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Kuvendi i Kosovës, para se të votoj 'pro' ose 'contra' 'Marrëveshjes', do të duhej të vlerësonte, nëse aspiratat e shtetit fqinj për integrime evropiane,  janë synime të tilla, që edhe për një kohë do të siguronin një politikë të sinqertë të tyre ndaj nesh, rrjedhimisht edhe një 'shënjim të vijës kufitare' nga të gjeturat e përbashkëta, cilado qofshin ato.

Sunday, February 25, 2018

Liberalizimi i vizave dhe kriza socio-ekonomike

Para dy dekadash, Amerika dhe miqtë tjerë, intervenuan në Kosovë, kryesisht për arsye humanitare, për të shpëtuar një popull nga zhbërja që po i bëhej, ndërsa tash Evropa, nëse e bën liberalizimin e vizave, ka gjasa ta bëjë sërish për arsye humanitare, për ta shpëtuar një popull nga izolimi që e ka kapluar.

Mirëpo, lëvizja e lirë e njerëzve, është vetëm një nga aspektet e të drejtave dhe të lirive të njeriut, përderisa pabarazia e thellë socio-ekonomike, pothuajse në çdo sferë të jetës, kërkon qasje të drejtë dhe angazhim urgjent dhe shumë serioz nga politikbërësit e këtij vendi, nëse synohet që liria e fituar e këtij vendi të jetë e qasshme njëlloj për të gjithë.

"Koha po kalon për tu mbajtur gjallë gatishmëria e njerëzve, për të qëndruar në Kosovë e për të mos kërkuar medoemos shpresën duke ikur nga këtu." (s.n. - 18.05.2017)