Thursday, January 9, 2020

Reflektim pasçertifikues

Në Zgjedhjet e 6 Tetorit, unë votova për një subjekt politik dhe pothuajse detyrimisht për pesë kandidatë për deputetë të po këtij subjekti. Thua se të gjithë këta kandidatë që i votova unë, do të më përfaqësojnë mua dhe zonën ku unë jetoj. Mund të bëj be, se asnjërin nga këta pesë kandidatë as që i kam parë të vijnë ndonjëherë, jo vetëm gjatë fushatës, por asnjëherë tjetër të takojnë komunitetin e kësaj zone, e të shohin nga afër se me çfarë përballemi ne, çdo ditë të jetës. Por, duke qenë se ligji zgjedhor dikton kështu, edhe nuk kishte se si të veprohej ndryshe, pos për të shenjuar pesë kutiza para emrave të kandidatëve, e të cilët asnjëherë në jetë s'do të jenë falënderues për votën që e fituan krejt pa mund dhe falënderu rregullit të lartpërmendur. Minimumi etik do të ishte që një zonë të përfaqësohej nga një deputet dhe ai të mbahej përgjegjës për të bëmat e tij gjatë mandatit dhe ngritjes së dorës në Kuvend.

Pra, unë dhe qytetarët e vendit, kemi votuar për kandidatët për deputet, ku nga të gjithë të zgjedhurit, pritet të konstituohet Kuvendi. Sipas interpretimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ky Kuvend do të emëron për kryetar të tij, përfaqësuesin nga Partia ose koalicioni fitues (sqarim: në rastin tonë, Partia fituese, partia me përqindjen më të lartë të votave!). Dhe kaq do të duhej të ishte loja politike e quajtur Zgjedhje.

Në kushte krejt normale të një shteti tashmë të bërë e funksional, mandatari për kryeministër i caktuar natyrshëm nga Partia ose koalicioni fitues, jo domosdoshmërisht do të duhej të ishte njëri nga deputetët e zgjedhur, as njëri nga bartësit e listave, as njëri nga kryetarët e partive. Po kështu, edhe ministrat e zëvendësit e tyre. Por, këtu tek ne, thua se vendi ka mbetur në këta 120 deputet të zgjedhur, e që të mund të harrnohemi disi, duhet medoemos të marrim nga aty dikë për kryeministër, disa të tjerë për ministra e kështu më radhë. E më pastaj, këta deputetët e avancuar në poste qeveritare të zëvendësohen në Kuvend, me kandidat të listave të ranguar më poshtë e me vota më të pakta, prej nga edhe dilema se sa mund të konsiderohen këta si të zgjedhur të popullit!?

Po, pjesa tjetër e shoqërisë (jo politike), a nuk paskësh njerëz të denjë për poste ministrore e udhëheqës agjencionesh shtetërore? Them se po. Përse, duhet medoemos tërë ky zell për zënie të posteve. Në kushte normale, kur një vend si i yni, me mijëra telashe e halle, posti ministror do të duhej të shihej si sfidë e jo si privilegj apo shpërblim. Nëse qëllimi është siç trumbetohet, të i dilet zot vendit e të 'çkapet' shteti, atëherë do të duhej që së paku kësaj radhe të na dëshmohej se postet nuk qëndrojnë mbi programin qeverisës. Qytetarët duan të shohin të emëruar në poste, njerëz me arritje kulmore profesionale, me biografi të pastër, e jo njerëz gjithsesi nga politika, që veq që flasin e zhvatin, pothuajse nuk dijnë të bëjnë gjë tjetër.

Nëse LVV dhe LDK kanë arritur të merren vesh për një Qeveri me 12 Ministri, atëherë le të mirren vesh edhe për draftim të një ligji ku Presidentet e ardhshëm do të zgjedheshin me votën direkte nga populli, ashtu që ky post të mos bëhet gjithnjë si mollë sherri për ndarje të hises qeverisëse në çdo palë zgjedhje. Edhe ashtu, Presidentët janë përfaqësues të të gjithëve dhe në rastin kur të tillët na vijnë me pazare hisesh qeverisëse, vështirë të besohet se ata përfaqësojnë të gjithë!

Skënder Nitaj
Prishtinë, 02 Dhjetor 2019

Paradoks në prag të ndërrimit të moteve

Këtë fundvit, vendi ynë mund ta përmbyll me një paradoks, duke e konstituuar kuvendin e ri dhe duke u menaxhuar me qeveri të vjetër. Kjo, për shkak të mungesës së përvojës sē një demokracie elementare, me ç'rast në rrethana më të arsyeshme, do të mund të kishim kuvendin e njëjtë, por me një qeveri tjetër. Jo medoemos, do të duheshin zgjedhje të reja (me shumë kosto buxhetore) sa herë të ketë rënie të qeverive. Shembuj nga demokraci përendimore na mësojnë, që ka edhe qeveri të minorancës (siç ishte shndërruar edhe kjo e dorëhequra) apo qeveri teknike (profesioniste) me mandat të shkurtuar, që në rastin tonë, detyrë kryesore p.sh. do të kishte përgatitjen e refornës zgjedhore apo përgatitjen e platformës për bisedimet me Serbinë, a ndonjë detyrë tjetër ku do të ishte i nevojshëm koncensusi i të gjithë spektrit politik por edhe popullor.

E gjithë kjo që u tha, mbështetet në faktin se edhe pas Zgjedhjeve të mbajtura, në thelb nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm të përbërjes së spektrit politik në Kuvend. Janë pothuajse të njëjtat përqindje që nga më parë. Edhe kësaj radhe, lideri më i votuar ishte z. Albin Kurti, e pasuar nga gruaja më e votuar, znj. Vjosa Osmani. Këta të dy, edhe do të duhej të 'bënin pazaret' për një bashkëqeverisje, jo vetëm për shkak të votave të fituara, por edhe për shkak të zotimit paraelektoral. Ekziston një bindje në masë, se votat që i fituan Kurti dhe Osmani, ishin në sasinë e tillë, edhe për shkak të zotimit të tyre për bashkëqeverisje. Më shumë se gjysma e votuesve, shprehen vullnetin e tyre, që këto dy figura t'i shohin së bashku duke krijuar qeverinë e re. Këta votues, edhe mund të ndjehen të dëshpëruar deri në mashtrim, kur në negociatat (lexo: kushtëzimet) që po ndodhin në mes LVV dhe LDK, mungon zonja më e votuar. Taktizimet dhe mashtrimet ndaj votuesve nga ana e subjekteve politike nuk kanë mbetur pa u ndëshkuar deri më tani, prandaj partisë së dytë sigurisht nuk do t'i bënte hajr përballja me votuesin në rast të zgjedhjeve të reja, por as të mbeturit në opozitë edhe për një mandat qeverisës. Do të ishte, një zgjidhje ngërçi, nëse do të kishte një ujdi mes dy palëve, që për hirë të votuesve, kandidati i përbashkët për President, pas 2 vitesh, të ishte sërish një zonjë, në këtë rast, zonja më e votuar.

I ka ardhur koha, që edhe në politikë të valorizohet shkuarja në pension, bile edhe para moshës 65 vjeç, ashtu që mos të festojmë ndërrimet e moteve me paradokse.

Skënder Nitaj
Prishtinë, 18 Dhjetor 2019

Shqipëria londineze dhe Kosova

Në një të ardhme (jo shumë të afërt), në kuadër të ndonjë agjende, si p.sh. të ndonjë integrimi ndërkontinental apo ndërplanetar (😉) dhe në analogji të plotë me kushtëzimin grek ndaj fqinjit të vet verior, edhe Kosova, do të mund ta kushtëzonte fqinjin e saj përendimor, me ndryshimin e emrit, në p.sh. Shqipëria Përendimore. Kështu, do të eleminohej mundësia e "rrezikut" nga ndonjë aneksim i mundshëm nga ana e tyre, të territoreve të tjera të Shqipërisë etnike!...

Dhashtë Zoti, që deri atëherë, Shqipërinë londineze, por edhe Kosovën (si dhe krahinën shqiptare të Maqedonisë Veriore) të jenë duke e udhëhequr njerëz me ADN puro 100% shqiptare, e të cilët edhe veprimet e tyre politike do t'i kenë 100% konform interesit të përbashkët kombëtar! 🇦🇱🇽🇰

Skënder Nitaj
Prishtinë, 21 Dhjetor 2019

Vendet e painkuadruara në BE

Iniciativa për Mini Shëngenin Ballkanik e ndërmarrë nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia, si nismëtare, por edhe Bosna e Hercegovina dhe Mali i Zi, si vëzhguese, për njohësit e së kaluarës jo shumë të largët, të khejnë kujtesën jo vetëm të një Ballkanie të ideuar, por edhe të një lëvizje të gjërë botërore e vendeve të painkuadruara, të cilës i printe ish-Jugosllavia, së bashku me Egjiptin dhe Indinë. Atëbotë, shteti ish-jugosllav, mjeshtërisht, ia kishte arritur të krijonte miqësi dhe marrëdhënie të dobishme për veten e saj, me numrin më të madh të shteteve të botës së tretë, e në të njëjtën kohë, pa i dëmtuar aspak raportet e saja me vendet e të dy blloqeve lindje-përendim. Ish-Jugosllavia ishte shndërruar si një Lopë e Shenjtë për këto vende apo thënë më mirë si një "qengj i butë".

Nuk është për befasi që Serbia, e cila edhe de fakto edhe de jure, është pasuesja thelbësore e asaj krijese jugosllave, të qëndroi mbrapa iniciativave të ngjashme, gjithsesi më të vogla për nga numri i shteteve pjesëmarrëse, por hiq më pak të vlefshme për të, si mundësi për tu rikthyer dalngadal në skenën botërore, duke relativizuar kështu humbjet që ajo mund t'i ketë patur gjatë procesit të shkatërrimit të ish'Jugosllavisë. Një prej mënyrave për t'u rikthyer, aty ku dikur ishte zot shtēpie, mund të jetë edhe iniciativa për Mini Shëngenin Ballkanik. Në këtë rast, nën petkun e një lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, Serbia, duke qenë më e madhja jo vetëm territorialisht, mund të rikthehej edhe si një padrone e kësaj iniciative, duke i shtuar fuqitë e saja, kundruall fqinjëve të saj, e pse jo të konsiderohej sërish si një Lopë e Shenjtë!

Kosova, me aq sa është kuptuar, nuk ka qenë e ftuar në bashkëthemelim të kësaj iniciative, por po ashtu dihet se ka pasuar edhe refuzimi i saj për t'iu bashkangjitur takimeve, qoftë edhe si vëzhguese. Ky refuzim i saj, nuk ka kaluar pa u kritikuar publikisht, në prani të tjerëve, nga "vëllamthi i madh", i cili krerët tonë politik i ka akuzuar për vetizolim. Kosova nuk është e njohur nga Serbia. Serbia po ashtu i mohon pafytyrësisht, të gjitha krimet gjenocidale që i kreu në Kosovë. Kosova nuk mund të jetë e barabartë në pjesëmarrje të çfarëdo iniciative regjionale, nën kushte të tilla, ku Serbia vazhdon ta ketë në Kushtetutën e saj, Kosovën si pjesë të saj.

Njerëzit këtu, pas një periudhe prej gati dy dekadash lirie, edhe mund të kenë shpresuar që po afron koha për jetësimin dalngadal të ëndrrës për një bashkim kombëtar, por assesi nuk kanë mundur të imagjinojnë se si më shpejt mund të ndodh një bashkim serbo-shqiptar, nëpërmjet një mini-shëngeni, falënderu "vëllamthit të madh".

Skënder Nitaj
Prishtinë, 24 Dhjetor 2019

Saturday, March 23, 2019

Rënia e Autonomisë

Më kujtohet që vetëm vitin e parë të studimeve 1987/88, e kisha kaluar pa përjetuar situata të ndezura në rrafshin politik. Jo që shkëndijat nuk kishin filluar të ndizeshin, që nga ardhja në pushtet e Millosheviqit. Porse, situata në Kosovë do të vinte duke u përkeqësuar dhe sidomos në gjysmën e dytë të vitit 1988 e tutje, kur tubimet antishqiptare të serbo-malazezve, pothuajse ishin bërë të përditshme. Ishte e tmerrshme dhe ndjeheshe i pashpresë, po të rastisje të gjendeshe në mes karvanit të autobusëve gjatë ‘ekskursioneve’ të tyre, qytet më qytet të Kosovës. Ky vit edhe do të mund të quhej viti kulmor i durimit shqiptar, ndërsa vitet 1989-90 vitet e shpërthimeve të mëdha. Kështu, më 23 mars 1989, delegatët e Kuvendit të Kosovës e nënshkruan kapitullimin, përderisa më 28 mars 1989, Kuvendi i Serbisë, "i bëri aminin" dhe kështu Kosova së bashku me Vojvodinën, e humbën autonominë që e kishin fituar me Kushtetutën e vitit 1974. Kjo ishte tradhtia më e madhe prej pasluftës që iu bë popullit shqiptar nga pjesëtarë të vet dhe nuk kishte se si të shihej ndryshe, pos me skepticizëm, e ardhmja e Kosovës. Kështu, edhe de juro aneksohej Kosova, e tash gjithçka kthehej në pikën zero.

Më 23 mars 1989, studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, ditën e filluan me bojkot të ligjeratave dhe aktiviteteve të tjera akademike. Ashtu, krejt spontanisht, e të paorganizuar, duke qenë edhe mot mesatarisht i ngrohtë, të ndarë në grupe të vogla, ata kishin zënë vend mbi barin e njomë të hapësirës së gjelbëruar të Qendrës Studentore. Me ankth pritnin ndonjë lajm nga Kuvendi i Kosovës. Unë po dëgjoja lajmet kryesore të Radio Prishtinës, të orës 15, ku u konfirmua rënia e autonomisë. Më pyeti një student tjetër nga grupi aty afër, se: “çfarë kishte ndodhur?” I tëri i mërzitur, iu përgjigja shkurt: “e falën Kosovën!”

Pasi, kishte zëra që rreth mbrëmjes do të kishte demonstratë masive në qendër të Prishtinës, ne studentët, vazhdonim të qëndronim ashtu të grumbulluar në oborrin e Qendrës. Për të na bindur, që të ndërpritnim grumbullimin, krerët e politikës kuislinge vendore, siç shihej, kishin sjellë emra eminentë të mësimdhënësve universitarë, në mesin tonë, e të cilët sikurse ne, ishin ndarë në grupe-grupe. Ndonjë prej tyre, edhe nuk bënte shumë përpjekje për t’na bindur që të shkapërderdheshim, por të paskrupullt ishin disa të tjerë që na thonin: “se në një ditë festive si kjo, ju po e prishni imazhin e kësaj dite!” Shpesh, i kujtoj me pezm, ato skena, kur profesorë shqiptarë, bile edhe me kërcenime të llojit të UDB-së, na u kundërvunë atë pasdite marsi.

Në mbrëmje, kur ishte errësuar, e duke besuar që edhe qytetarë të shumtë po organizoheshin për të demonstruar në kryeqytet, ne, studentët e mbetur atë natë, u t’filluam shkallëve të menzës së vjetër, për të demonstruar me fuqinë e zërit kundërshtues, si e vetmja armë e jona. Kordone të dyfishta të  forcave policore dhe ushtarake kishin rrethuar tërë zonën. Vetëm deri te Posta Nr. 6, kemi arritur të shkojmë, ngase vërsulja e këtyre forcave ishte shumë brutale dhe krejt në disproporcion me mundësitë tona. Rrahje e palgosje, si dhe arrestime të shumta kanë ndodhur atë natë. Të gjithë ata që kishin mundur t’i shpëtonin kësaj reprezalje, kishin arritur disi të riktheheshin në Qendrën Studentore. Disa mësimdhënës, duke sfiduar rrethanat, atë natë kanë qëndruar deri vonë me ne, e të cilët pastaj kanë bërë përcjelljen e studentëve jo-konviktorë për në banesat e tyre.

Ndërsa, studentët konviktorë, atë natë do të përjetojnë hakmarrjen e plotë, ku rreth mesnate, me tërë brutalitetin që mund të paramendohet, u bënë pre e policisë serbe, të cilët edhe përkundër disa premtimeve boshe, që nuk do të ndodhte që ata të shkelnin në ‘tokën studentore’, filluan aksionin e madh të arrestimeve të studentëve, të cilët të gjithë tashmë mund të kishin qenë demonstrues. Krejt ky aksion i tyre, është përcjellur me thyerje dyersh nëpër dhoma, rrahje çnjërëzore dhe arrestime.

Të nesërmen, të gjithë studentët që nuk e kishin patur fatin për t’u arrestuar një natë më parë, duke e ndjerë që gjithçka kishte marrë fund, kishin vendosur që të braktisnin mësimet dhe konviktet, e të ktheheshin në shtepitë dhe familjet e tyre. Disa nga këta studentë, pastaj do të ndodhen në krye të demonstratave të pas disa ditëve, që do të shpërthejnë anëkënd vendit. 

"Skica rinie"
Prishtinë, 23.03.2019

Wednesday, March 20, 2019

Rrugë e gjatë, në një kohë pa kohë

Në mbarimet e shkollimit të mesëm si dhe në fillimet e studimeve të larta, si të rinj që ishim, shumë plane e ëndrra ndërthureshin në mendjet tona. Këto kishin të bënin kryesisht, me përzgjedhjen e profesionit si dhe krejt natyrshëm për mundësitë që pastaj të jepte ajo përzgjedhje për ndërtimin e karrierës profesionale e jetësore. Me sa kujtoj, viti akademik 1989/90, ishte i fundit, që Bashkësitë Komunale të Arsimit, mbështetnin financiarisht studentët e rregullt të Universitetit të Prishtinës, në formë të së ashtuquajturës ‘kredi studentore’. Në nivel të ish-Federatës jugosllave, shuma e këtyre kredive, ishte më e vogla, ndërsa, nëse ishe fatlum që krahas kredisë, të përfitoje edhe ndonjë bursë nga ndonjë organizatë punuese, atëherë të dyja bashkë, mbërrinin mesataren e pagës në Kosovë. Pas suprimimit të Autonomisë, në mars të vitit 1989, populli shumicë shqiptar i Kosovës, i ishte nënshtruar një aparteidi klasik. Institucionet dhe gjithçka tjetër do të uzurpoheshin me shpejtësi nga serbo-malazezë nëpërmjet masave të dhunshme, duke dëbuar forcërisht shqiptarët nga to.

Konkurrimi për të fituar kredinë studentore, pos tjerash, krejt formalisht, kërkonte edhe gjetjen e garantuesve të kredisë, që aso kohe quheshin ‘zhirantë’. Meqenëse babai im ishte pensionuar dy vite më parë, e në qytezën ku unë jetoja, nuk kisha familjar tjetër që punonte, garantuesin e gjeta tek një i afërm. Babai im, edhe përkundër kontributit të tij prej një punëtori të pashembullt në fushën e arsimit e me një bagazh pune përmbi dyzet vjeçar, nuk kishte të punësuar asnjë fëmijë të vetin në Komunën e Deçanit, për gjatë gjithë asaj periudhe kur edhe shqiptarët kishin pushtet. Kështu, disa nga fëmijët e tij, që kishin kryer shkollimin, kishin mundur të punësoheshin vetëm në qytetet e tjera të Kosovës, nëpërmjet konkurseve publike të asaj kohe. Ai, pra, babai im, nuk e përdori asnjëherë autoritetin e tij, ashtu që të ndikoj që fëmijët e tij, pas shkollave të kryera, të mund të kontribuonin duke u punësuar, në vendin e tyre të lindjes.

Kështu, i afërmi im dhe kolegu i tij më i vjetër, u bënë dy garantuesit e mi formalë. Në zyrën e tyre, në një nga organizatat punuese të Deçanit, takova edhe një bashkëmoshatar, të cilin e njihja vetëm figurativisht e që i takonte komunitetit serbo-malazez. Ai ishte i akomoduar tek një tavoline pune, dhe duke qenë se kishim qenë të një gjenerate dhe të një vendi, më përshëndeti me një luhatje koke. I afërmi im, u kujdes që të bëjë prezantimin e ndërsjellë, me ç ‘rast e kuptova që bashkëmoshatari tashmë ishte emëruar në një pozite eprori aty. Bazuar në aktualitetin dramatik që zhvillohej në atë kohë, edhe nuk u befasova pothuajse fare, por as nuk bëra ndonjë reagim gjestikulativ. Sipas logjikës sime të përllogaritjes, ai do të duhej të ishte tash në vitin e tretë të studimeve, sikurse unë. Por, ai kishte ‘avancuar’ duke u bërë ‘shef’. Megjithëse, në çastet e para, të këtij kontakti me bashkëmoshatarin, unë pothuajse besova që edhe ai ishte aty për të njëjtat arsye sikurse unë. Por jo! Ai kishte zgjedhur rrugën më të shkurtër për t’u punësuar dhe për të drejtuar një organizatë, pa kryer asfarë shkolle superiore. Ani pse dyshoja, por doja të besoja, se ai në atë çast, në brendi të ndërgjegjes së tij do të duhej të ndjehej në siklet dhe i turpëruar, për përzgjedhjen që kishte bërë!... Në ndërkohë, rrugëtimi im i shkollimit dhe i ngritjes profesionale, si dhe i kultivimit të vlerave njerëzore, do të vazhdonte gjatë, shumë gjatë, në një kohë pa kohë!...

"Skica rinie"
Prishtinë, 20.03.2019


Tuesday, September 4, 2018

Kosova dhe të gjitha “korrigjimet” e kufijve të saj

Vilajeti i Kosovës, i krijuar nga Perandoria Osmane, në pjesën e dytë të shekullit XIX, për dallim nga tre vilajetet e tjera me etni shqiptare (Shkodrës, Manastirit dhe Janinës), pësonte më shumë lëvizje gjeografike dhe shtrihej edhe përtej vendbanimeve shqiptare, e tërë kjo për të shkaktuar kështu një heterogjeni etnike dhe rrjedhimisht për të dobësuar lëvizjen kombëtare shqiptare që kishte intensifikuar veprimtaritë e saja, në këto anë, e të cilat kulmojnë me Lidhjen e Prizrenit e më pastaj edhe me Lidhjen e Pejës.

Pas luftërave ballkanike, Traktati i Londrës i vitit 1913, Kosovën e ndau në mes të Serbisë dhe Malit të Zi, ndërsa në Mbretërinë SKS (e më pas Jugosllave), territori i sotëm i Kosovës ri-organizohej herë në Rrethe e herë në Banate, për të njëjtat arsye si dikur në Vilajetin e Kosovës, me qëllim të ndryshimit të përbërjes etnike të Kosovës. Ishte kjo periudha e një spastrimi të paimagjinueshëm etnik dhe kolonizimit të këtushëm të hapësirave me serb e malazez.

Pas pushtimit të Mbretërisë Jugosllave nga Forcat e Boshtit, me 1941, sërish Kosova pëson një shkëputje, po ashtu për interesa të pushtuesve, ku pjesa më e madhe iu bashkëngjit Mbretërisë Shqiptare të kontrolluar nga Italia, ndërsa pjesa tjetër u nda në mes Gjermanisë dhe Bullgarisë. Kosova, përkundër Vendimeve të Konferencës së Bujanit, të miratuara unanimisht nga Fronti Antifashist Nacional-Çlirimtar i Kosovës, me ç’rast “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”, pas përfundimit të L.II.B, pësoi sërish, tashti duke mbetur pjesë e Jugosllavisë Komuniste, nën administrimin e Serbisë.

Fillimisht si Krahinë e Kosovë dhe Metohisë, e më vonë me Kushtetutën e vitit 1974, avancoi duke fituar një autonomi substanciale, por serish me ndryshime të kufijve administrativ, gjatë tërë kësaj periudhe, duke i bashkangjitur komuna me shumicë serbe në veri e duke ia marrë ndonjë me shumicë shqiptare në lindje të saj. E tërë kjo, për të shtrembëruar pasqyrën etno-demografike të Kosovës, e cila përkundër vazhdimit të spastrimit etnik (i mbetur në gjysmë, nga periudha në mes të dy luftërave botërore) shënonte një natalitet në rritje të shqiptarëve, gjithandej. Pas rënies së Rankoviqit dhe thellimit të autonomisë (themelimi i Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve të tjera), zhvillimi i Kosovës dhe avancimi i shqiptarëve kishte marrë hov. Mirëpo, pas vdekjes së Titos dhe pas Demonstratave të vitit 1981, apetitet serbe për t’u rikthyer në Kosovë, kulmuan deri në atë pikë, sa fillimi i viteve të ’90-ta shënon rënien e Jugosllavisë dhe fillimin e luftërave të përgjakshme në këto anë. U deshtë gati një dekadë pas përfundimit të luftës në Kosovë, që të vijë deri te shpallja e Pavarësisë, me 2008, nën mbikëqyrjen e shteteve euro-atlantike, e të cilat edhe kishin mundësuar çlirimin e saj, krahas rezistencës epike nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Aktualisht, Kosova numëron 117 njohje diplomatike nga shtete të pavarura (prej tyre 2 njohje të tërhequra). Flamuri i Kosovës, me një sfond të kaltër, mban hartën e Kosovës, me të cilën demonstrohet pacenueshmëria e kufijve të saj, si dhe mbi të, të vendosura 6 yje, që simbolizojnë grupet etnike më të mëdha në vend. Kështu, nënkuptohet që sipas Kushtetutës (të bazuar në Pakon e Ahtisarit), të drejtat e të gjitha etnive janë të garantuara, deri në masën e ‘diskriminimit pozitiv’ për ato etni që janë më pak në numër se shqiptarët.

Shtetet gjatë tërë historisë, kryesisht janë krijuar mbi territore jo krejtësisht mono-etnike. Në demokracitë perëndimore, pakicat përpos si pasuri e diversitetit etno-kulturor paraqesin edhe një garant për raportet ndërshtetërore, sidomos të atyre që ndajnë kufij të përbashkët. Natyrisht, reciprociteti në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të tyre është bazik. Dihen fatet e atyre diktaturave dhe tiranëve që tentuan të krijojnë perandori apo shtete të shumicës mbi kurriz dhe fatkeqësi të pakicës. Dhe këto histori nuk janë shume të vjetra. Përse mentaliteti ballkanik nuk po arrin të ndryshojë për të mirë dhe të arrihet një pajtueshmëri, se e drejtë universale e secilit njeri apo grup etnik është të jetojë e të punoj, aty ku ai ndodhet. Nëse vendet e Ballkanit juglindor kanë për synim të bëhen pjesë e familjes evropiane, atëherë asnjë korrigjim i kufijve me bazë etnike nuk do të duhej të yshtej e assesi të miratohej nga ato vende të cilat mburren për demokraci të zhvilluara dhe mbrojtje e promovim të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Prishtinë, dt. 04 shtator 2018