Tuesday, January 17, 2017

Treni eksperimentues

Ky janar siç duket, jo veç po shënon fillimin e një viti tjetër të ri, por më shumë se kaq po duket se po qartëson lëvizjet e reja të pritura jo pa droje në skenën politike në përgjithësi. Bashkimi Evropian pa Britaninë në te dhe tranzicioni më i papritur dhe më i paparashikueshëm ndonjëherë në ShBA, si duket ka shtuar apetitet sllave për të provuar mësyemjen në Kosovë. Nuk thuhet kot se "krimineli gjithmonë kthehet në vendin e krimit". Alarmi i rrezikut mendoj që duhet ndezur në rrafshin mbarëkombëtar. Bota do të kaloi në faza të reja e të paqarta e ndoshta shumë të rrezikshme, prandaj shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, duhet ta ndjejnë këtë rrezik dhe vërtet të jenë si asnjëherë më parë të vetëdijshëm se pa qenë të bashkuar, vështirë do të përballen me sfidat që po pergatiten. Historikisht, pozicionimi i gabueshëm ka sjellë pasoja të rënda. Prandaj, më shumë se sa mbështetja tek aleatët përendimor, më e fuqishme do të jetë mbështetja tek bashkimi dhe reagimi si një komb i vetëm. Zhvillimet në vazhdim nuk do të duhej të na gjenin të befasuar. Megjithatë treni i provokimeve ka lëvizur në kohën e vlimeve të mëdha në botë, e koha për ndërtimin e një strategjie mbarëkombëtare - pothuajse e skaduar. Do ta zëmë, ne, trenin tonë?!...

Prishtinë, 14.01.2017

Megjithatë këpucët rrëshqasin

Kohë më parë pata thënë: "Dikujt as në akull nuk i rrëshqasin këpucët", mirëpo, sot, kur bora e parë po zbardhte natyrën dhe të ftohtit e acartë po ngrinte gjithçka para vetës, kjo thënie fitoi edhe një dimension të ri kuptimi. Këpucët e pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) sot nuk bënin. Ato nuk përballonin dot një ngricë rruge të mëngjesit, nuk ishin të dimensionuara për këtë prag-dimri. E i gjori ushtar, e ka të pamundur të mos rrëzohet dy a tre herë brenda dy-treqind metrave rrugë, kur po shkonte këtë mëngjes për në detyrën që e priste. Si do të arrijë ky djalë i ri i Forcës sonë t'i zbatoj detyrat që i jepen, me këto këpucë? A thua edhe eprorët e tij mbajnë këpucë të tilla? Po, le të më thotë dikush, nëse kryetarë, qeveritarë, deputetë, drejtorë e udhëheqës tjerë rrëzohen rrugëve dhe trotuareve tona kur mësyjnë vend-punimet e tyre, sepse këpucët e tyre nuk bëjnë për ditë të ftohta e me ngrica!... Nuk do të shkruaja, sepse këtu, në Kosovën time, për të arritur ngushëllimin shpirtëror e moral, duhet që kudo që lëvizim, të mbajmë laps migjenian që të hedhim mbi letër të bardhë të gjitha të zezat që i hasim në përditshmërinë tonë. Mirëpo, ishte për keqardhje deri në dëshpërim, kur sheh ushtarin tënd që rrëzohet disa herë para syve tu për shkak të këpucëve që nuk bëjnë. Në një ditë si kjo, unë si qytetar duhej të shihja ushtarin të bënte hapa të guximshëm, me këpucë adekuate, duke ndihmuar njerëzit kalimtarë në nevojë!...

Pa u zgjatur, me dëshpërim të thellë, dyshoj që kjo klasë politike ka interes dhe synim forcimin e Forcës dhe shndërrimin e saj në Ushtri!...

Prishtinë, 29 Nëntor 2016

Sunday, May 8, 2016

Kosovë

Kosovë,
Vendlindja ime
Atëdhe e mëmëdhe ti më je
Në ty u linda
Në ty dua të vdes
Se uji yt i kthjellët
Mua më rrit
E gjaku im i nxehtë
Ty le të ujit
Se vaji im i jetës
Do të shuhet me buzëqeshjen e vdekjes
Dhe shqiptari të jetë i lirë
Ilir dhe është!

(Kushtuar të rënëve për Kosovë)

© (S. Nitaj, Mars 1989, Prishtinë)

Friday, November 13, 2015

Ngelës në klasë

Më kujtohet nga femijëria kur një fqinjes tonë i kishte ngelur një nga fëmijet e saj, në klasën e parë të fillores, ajo ishte arsyetuar para shoqeve tjera fqinje se fëmiu i saj kishte mësuar mirë, por mësuesi do ta rikthente edhe një herë në të njejtën klasë, për tu forcuar edhe më shumë!... Shpeshherë e kemi rrëfyer këtë ndodhi, gjatë jetës, për të ironizuar me ndonjë rast të ngjashëm.
Tash nuk po ironizoj me Kosovën, por me ata që kanë ngelur në klasë - klasën tonë politike. Duke e ditur që UNESCO është shkolla, politika jonë ngeli në klasë dhe për më keq humbi hiq më pak se dy vite.
Jo vetëm në fëmijëri, por gjithnjë ishte pothuajse e turpshme të ngelësh në klasë. I bie që nuk ke mësuar as mjaftueshëm, se thjeshtë nuk ke qenë për shkollë. Përseritësit gjithmonë shiheshin me një farë përbuzje.
Në arsimin e lartë, rënja nga provimi don të thoshte se nuk kishe arritur kriterin minimal të kalueshmerisë. Natyrisht që s'mund të mburrëshe me atë që së paku ke zotëruar gjysmën e lëndës, sepse ti thjesht kishe rënë në provim. Edhe kjo ishte e turpshme. Të duhej pritur afatin tjeter.
Klasa jonë politike, kuptohet, nëse vërtet ka synim organizatën - shkollë UNESCO, duhet të riprovohet pas dy vitesh.
Humbja e vitit shkollor për ngelësin apo rënja nga provimi për studentin e dobtë, kishte efekte të pariparueshme për jetët e tyre. Por, në rastin e klasës sonë politike, efektet e pariparueshme për këtë ngelje klase, do t'i bart qytetari i Kosovës. Dy vite janë humbje shumë e madhe!...
Si ne çdo rast tjetër të ndonjë mossuksesi, ngelësi arsyeton vetveten, duke u ndërlidhur me rrethanat që i kanë cenuar atij suksesin. Por, ai prap mbetet ngelës! Klasa jonë politike, me të drejtë, mund të hidhërohet vetëm me vetveten dhe me miqtë ndërkombëtarë, që në rolet e tyre nxënës-mësues, dështuan.
Si qytetar i këtij vendi jam shumë kurreshtar të kuptoj se si këto dy palë do të sillen në vazhdim. Mendja ma thotë se, ngelësi, ngelës do të mbetet. Për të kryer shkollë duhet që klasa të përbëhet nga mendje të ndritura. Për UNESCO dhe kudo tjetër, vendit i duhet një klasë e re politike, e zhveshur nga çfarëdo e kaluar, e veshur vetëm me atdhedashuri. Mësuesi, atëherë nuk ka rëndësi se në çfarë roli e niveli do të jetë.

10.11.2015, Prishtinë

Saturday, April 11, 2015

Dhjetëvjetori i vdekjes së Mehmet Dermanit

Autor, Skënder (Bardh) NITAJ

Botoi, Gazeta "Bujku" ("Rilindja"), Prishtinë, 11 Qershor 1996

Kujtesë, 24 Maj 1996 - Bardh Ukë Nitaj

Kujtesë, 24 Maj 1996 - Bardh Ukë Nitaj


1919 – Lindi Bardh Nitaj
---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Shpeshherë në faqet e kësaj rubrike janë përkujtuar shumë prej pishtarëve të historisë së kulturës shqiptare, të cilët u përpoqën dhe iu përkushtuan çështjes së përhapjes së gjuhës dhe të arsimit, në të gjitha trevat shqiptare.
Një prej përfaqësuesve të kësaj gjenerate është edhe veterani i arsimit nga Dranoci i Deçanit Bardh (Ukë) Nitaj.
Ai lindi në vitin 1919. I etur për dije nis rrugën e shkollimit fillimisht në Gjakovë, Sarajevë, Nish e deri sa përfundon Fakultetin Filozofik në Shkup ku diplomohet për Histori.
I vetëdijshëm se pa arsimimin e popullit s’ka perspektivë kombëtare, ai qysh në moshë fare të re nisi misionin e tij human e kombëtar dhe punoi për të deri në çastet e fundit të jetës. Karrierën e mësuesit e filloi për herë të parë në fshatin e lindjes në Dranoc me 1945 e më pas shërbeu sipas nevojës në Mulliq të Gjakovës, në Ponashec, në Gramaqel, në Irzniq, në Deçan etj.
Gjatë viteve 1943-45, Bardhi ishte pjesëmarrës në luftë si luftëtar i Brigadës së 25-të Shqiptare në Malësinë e Gjakovës. Për një periudhe gati tre vjeçare ai punon si kryetar i Këshillit Komunal të luftëtarëve të luftës çlirimtare të Deçanit, por duke rënë në kundërshtim me organet shtetërore dhe partiake për shkak te suprimimit të autonomisë së Kosovës, tërhiqet nga ky post.
Gjithmonë do të kujtojmë preokupimin e Tij për fatin e atdheut e të shkollës shqipe. Bardh (Ukë) Nitaj vdiq në dhjetor të vitit 1995 në vendlindjen e tij.

(Nga emisioni Kujtesë, TVSh, 24 maj 1996)
Bardh (Ukë) Nitaj (6 maj 1919 – 8 dhjetor 1995)

Kujtesë, 14 Dhjetor 1994 - Mehmet Dermani

Kujtesë, 14 Dhjetor 1994 - Mehmet Dermani


1911 – Lindi Mehmet Dermani
---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Rrebeshet e kohërave shpeshherë rëndojnë më shumë në zona dhe krahina të veçanta. E tillë ishte edhe Plava e Gucia që padrejtësia e fuqive të mëdha i shkëputi nga trualli mëmë – Shqipëria. Rezistenca e popullsisë së këtyre zonave ka qenë e madhe dhe e vazhdueshme.
Mehmet Dermani – Gjonbalaj rrjedh nga një familje e varfër, por me tradita luftarake të Vuthajve të Gucisë. Ai lindi në vitin 1911. Në moshën 7 vjeçare u largua nga vendlindja si rezultat i dhunës së ushtruar nga forcat ushtarake të Malit të Zi. Shkollën fillore dhe të mesme Mehmeti i vazhdoi në Shkodër ku i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Pastaj vijon akademinë ushtarake të Romës, të cilën e përfundon po me rezultate të shkëlqyera.
Si në shkollën e mesme ashtu edhe në të lartën ai ra në kontakt me patriotë dhe figura përparimtare. Ishte ndër shokët më të ngushtë të poetit të madh Millosh Gjergj Nikollës – Migjenit, që në bankat në fëmijëri e gjersa vdiq.
Pas përfundimit të studimeve, punoi në fillim si sekretar komune në Pukë në vitet ’35-’36 dhe kryetar i komunës së Rahovecit në vitin 1938.
Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e priti me indinjatë dhe u hodh në radhën e forcave që organizuan rezistencën. Që nga 7 prilli ai u hodh në radhët e forcave antifashiste të luftës. Ka qenë pjesëtar dhe një nga organizatorët e Konferencës historike të Bujanit, ku u morën vendime të rëndësishme për fatet e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit.
Aspiratat dhe ëndrrat e tij pas luftës u shuan dhe u veniten pasi në pushtet erdhën komunistët, që në të gjitha mënyrat dhe mjetet sabotuan çështjen kombëtare e në veçanti atë të Kosovës.
Mehmeti, si shumë intelektual të tjerë, vihet në shënjestër të sigurimit të shtetit. Kështu, në vitin 1958 arrestohet dhe dënohet me akuzën bajate të agjitacionit e propagandës dhe që nga ajo periudhë e gjersa vdiq nuk iu ndanë burgjet dhe internimet. Mehmet Dermani, vdiq i torturuar në vitin 1986.

(Nga emisioni Kujtesë, TVSh, 14 dhjetor 1994)
Mehmet Dermani (31 janar 1911 – 25 prill 1986)