Wednesday, August 3, 2022

Kosova 'e Amerikës' vs. Serbia 'e Rusisë'

Deklarimet e shpeshta të drejtuesve shtetëror, sidomos prej fillimit të invazionit ndaj Ukrainës, se Rusia qëndron edhe mbrapa nxitjeve të Serbisë kundrejt Kosovës, nuk bazohen në diplomaci të matur dhe të arsyeshme, e po ashtu kur analizohen mirë, edhe mund të mos jenë shumë të sakta. 

Populli serb për nga trungu i prejardhjes janë shumë të afërt me rusët, e po ashtu edhe si shtete janë gjendur afër njëra tjetrës në aleanca krejt të natyrshme. Në raport me shqiptarët dhe trojet e tyre, Serbia është ndihmuar e mbështetur nga Rusia, gjatë gjithë historisë më të re. 

Apetitet shekullore të serbëve për dëbimin e shqiptarëve nga tokat e tyre stërgjyshore, nuk janë shuar asnjëherë dhe si të tilla edhe pritet që të jenë në thelbin e politikave e memorandumeve të tyre. Tingëllon si një tentim për shfajësim të Serbisë, kur deklarohet se Rusia qëndron mbrapa të gjitha aktiviteteve për destabilizimin e Ballkanit perëndimor, me theks të veçantë nxitjes për një konflikt të ri Serbi - Kosovë. 

Fjalori i ashpër i përdorur në raste krizash të mëdha, si kjo e luftës në Ukrainë, është një lloj i taktikës psikologjike që përdorin fuqitë e mëdha ndaj njëra tjetrës. Shqiptarët, edhe nga aspekti i trungut të prejardhjes së popujve, nuk kanë afërsi 'gjaku' me asnjë popull. Falë Amerikës, jemi këtu ku jemi. Por, nuk jemi në lidhje 'gjaku' me amerikanët! Për lidhjen me evropianët, as që po flasim. Ani pse, shqiptarët janë ndër banorët më të lashtë të kontinentit të vjetër, ata akoma janë në pritje për t'iu bashkuar 'familjes' evropiane e të lëvizin lirshëm e të barabartë gjithandej. 

Në anën tjetër, serbët janë në lidhje 'gjaku' me rusët, megjithëse Serbia e ka historinë e saj shekullore si shtet dhe si pushtuese, e si e tillë nuk është në moshën e 'adoleshencës' për të ndërmarrë veprime vetëm se atë ia kërkon 'kushëriri' i saj rus. Ka periudha historie, kur edhe raportet mes tyre kanë qenë të ftohura skajshmërisht. Prandaj, është shumë e besueshme pavarësia politike e Serbisë ndaj Rusisë, ashtu siç ishte në kohën e Millosheviqit, kur ajo luftoi me kroatët, boshnjakët e me shqiptarët, e u bombardua dy herë nga NATO-ja, përkundër të qenurit në 'kushërillëk' me rusët. Pra, Serbia, edhe sot, nuk ka nevojë të nxitet nga Rusia, për të qenë armiqësore ndaj fqinjëve të saj. Ajo, e kërkon dhe e mirëpret ndihmën e Rusisë, por, memorandumet me synime ekspansioniste i ka të shkruara vet! 

Drejtuesit shtetëror, duhet të dinë se çdo lloj marrëveshje finale për Kosovën, medoemos do të duhet të kaloj përpos kah Brukseli e Uashingtoni, edhe nga Moska, prandaj fjalorin e ashpër u duhet lënë vetëm këtyre qendrave të mëdha vendimmarrëse. 

Veprat duhet të jenë të mëdha, jo fjalët! 

© Skënder Nitaj, 2 gusht 2022

Sunday, July 10, 2022

Kosova dhe Kushtetuta e vitit 1974

Kosova, për herë të parë në historinë e saj, u bë me Kushtetutë, më 27 shkurt 1974. Paraprakisht, sipas Kushtetutës së vitit 1963 të RFPJ-së, ishte shpallur Krahinë Autonome, më saktësisht bashkësi shoqërore e politike në kuadër të Republikës së Serbisë, pa status kushtetues. Kushtetutës së vitit 1974, i kishin paraprirë shumë zhvillime politike, të cilat shkonin në favor të avancimit të statusit të Kosovës, siç ishin rënia e Rankoviqit, demonstratat e vitit 1968, zyrtarizimi i gjuhës shqipe në vitin 1969, legalizimi i përdorimit të flamurit kombëtar, themelimi i Universitetit të Prishtinës më 15 shkurt 1970 etj. 

Me Kushtetutën e vitit 1974, me Nenin 1, Kosova definohej si bashkësi autonome socialiste shoqërore politike në kuadër të Republikës Socialiste të Serbisë dhe të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Në pjesën e katërt, ku bëhej fjalë për ndryshimet e Kushtetutës së Kosovës, në Nenin 399, thuhej: Mbi dhënien e pëlqimit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Kushtetutës së Republikës Socialiste të Serbisë vendos Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës me shumicën prej dy të tretash të të gjithë delegatëve të Kuvendit. 

Në të gjitha zhvillimet e viteve të 80-ta, e sidomos pas ardhjes në pushtet të Millosheviqit, rrethanat politike u përshpejtuan në disfavor të Kosovës. Kushtetuta e vitit 1974, e sidomos Neni 399, do të bëhej pengesë për synimet serbomëdha, kështu që më 23 mars 1989, Serbia ia doli të suprimoi autonominë e Kosovës. Mësymjeve të Serbisë nuk munden t'u shpëtojnë as Republikat e tjera ish-jugosllave. Mbeten për analizim dhe trajtim nga studiues të politikës dhe historisë rrethanat në të cilat Kosova pati ngritjen dhe më pastaj rënien kushtetuese dhe për meritat ose dështimet e të gjithë akterëve që i kontribuuan këtyre zhvillimeve. 

Roli i veçantë i Kushtetutës së vitit 1974, vihej në pah edhe në Opinionin e GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e vitit 2010, e cila në pikën 61 i referohej Rregullores Nr. 1999/24 të UNMIK-ut, të dt. 12 dhjetor 1999, Për Ligjin në Fuqi në Kosovë, 
Neni 1: Ligji në Fuqi 
1.1 Ligji në fuqi në Kosovë përfshin: 
(a) Rregulloret e shpallura nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe instrumentet ndihmëse të nxjerra në përputhje me to dhe 
(b) Legjislacionin në fuqi në Kosovë më 22 mars 1989.

Skënder Nitaj
Prishtinë, 02 Korrik 2022

Saturday, May 14, 2022

Loja e shahut e përkthyer në zhvillime reale

Shahu, një lojë tavoline, e shfaqur në Evropë kah fundi i shekullit të 15-të, ka evoluuar nga çaturanga, një lojë e ngjashme shumë më e vjetër, me origjinë indiane. 

Shahu është një lojë strategjie, ky dy lojtarët kundërshtarë, nisin ballafaqimin krejtësisht të barabartë, përpos dallimit në ngjyra të figurave si dhe faktit që figurat e bardha 'sulmojnë' të parat. Lojtarët kanë nën kontroll nga: një mbret, një mbretëreshë, dy topa, dy oficerë, dy kalorës dhe tetë ushtarë. Synimi i lojës është që të vihet mbreti i kundërshtarit në pozicionin mat, pas së cilit mbreti nuk ka asnjë mënyrë për të shpëtuar. Loja gjithashtu mund të përfundojë edhe baras. 

Aspekte të artit dhe kulturës gjenden në lojën e shahut, e cila po ashtu ndërlidhet edhe me fusha të tjera si matematika, shkencat kompjuterike dhe psikologjia. 

E përkthyer në zhvillime reale të aktiviteteve njerëzore, loja e shahut, na mëson se në çfarëdo lloj ballafaqimi, lufte apo paqeje, gjithnjë ka një rregullshmëri rolesh e veprimesh, a numrash që duhen marrë në konsideratë. 

Lideri apo prijësi, sikurse 'mbreti' në shah, në fakt është figurë pa të cilin loja edhe nuk mund të zhvillohet, e kapitullimi i të cilit nënkupton mbarimin e saj. Pra, një lider, i nevojitet cilitdo zhvillim. Lideri, do të ndjehet shumë i motivuar dhe i sigurt në udhëheqjen e tij, kur krahas i qëndron 'mbretëresha' e tij, e cila edhe do tē flijohet për të, nëse do të jetë e nevojshme. 

Asnjë qëllim, nuk mund të arrihet, nëse nuk ke armët apo mjetet e duhura, siç është për shembull 'topi' në shah. 'Oficerët' janë elita e njerëzve, që paraqesin shtylla të çdo lloj organizimi e të cilët mendjet e tyre i vejnë në shërbim të qëllimit. 'Kalorësit', duke qenë se paraqesin dinamikën, forcën, ballafaqimin, besnikërinë, japin kontributin e tyre plotësues. 

Pararojë e gjithë akterëve të mësipërm, janë 'ushtarët'. Ata vihen gjithnjë të parët në çdo përpjekje. Ashtu siç nuk mund të mendohet një betejë pa ushtarë, njëlloj nuk mund të mendohet një vend pa njerëz, një institucion pa shërbyes, një shkollë pa nxënës, një skuadër pa lojtarë, një ndërmarrje pa punëtorë, një protestë pa protestues, ... Barra më e madhe bie mbi supet e kësaj kategorie, duke qenë gjithmonë në ballë të çdo përpjekje. Në mesin e kësaj kategorie nuk qëndron vetëm kuantiteti. Në shumë ballafaqime, gjatë gjithë historisë njerëzore, nga masa e gjerë, ka rezultuar edhe kualiteti. Sikurse në lojën e shahut, kur 'ushtari' i thjeshtë, që mbërrin në krye të anës së kundërt të tabelës edhe mund të shndërrohet në një 'top' apo 'mbretëreshë', edhe në zhvillimet reale një 'ushtar' i sodit mund të jetë një 'mbret' i nesërm. Edhe në jetën reale, sikurse në shah, 'rokadat' janë të mundshme!... 

© Skënder Nitaj, 14 maj 2022

Sunday, February 13, 2022

Lufta që nuk e dëshirojmë

Historia jo rrallëherë na mëson dhe na mundëson të bëjmë parashikimet e nevojshme për të tashmen dhe të ardhmen. Deri më tani, Lufta e Dytë Botërore, mbetet ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit (përderisa nuk do të ndodh ndonjë ngjarje akoma më e madhe). Asaj i kanë paraprirë shumë zhvillime, si mbarimi i Luftës së Parë Botërore dhe pasojat që kishte lënë ajo, kriza e thelluar ekonomike gjithandej deri në depresion masiv, pandemia globale disa vjeqare nga një virus i gripit, ngritja e doktrinave të reja në zhvillimet politike si nacionalizmat kombëtare dhe internacionalizmat e veshura me petkun komunist, deri tek ngritja si nga hiri i Gjermanisë naziste. Polonia, ishte objektivi i parë i synuar, okupimi i së cilës do të shënoj edhe fillimin e Luftës së Dytë. Ky vend, u bë pre e një 'pazari' në mes prijësit sovjetik dhe atij gjerman, me ç‘rast ajo u nda përgjysmë mes ushtrive të të dy vendeve. Pra, Polonia u pushtua nga një fuqi me ideologji komuniste (bolshevike) dhe nga një fuqi tjetër me ideologji naziste. 

Të gjithë i dimë humbjet marramendëse në njerëz, nga kjo luftë. Për t'u ndalur, u nevojit të përdoreshin edhe armët bërthamore. Ironia më e madhe doli të jetë, se në radhët e fituesve të kësaj lufte, zuri vend parësor Bashkimi Sovjetik, ani pse ajo e kishte filluar këtë luftë me okupimin përgjysmë të Polonisë... Edhe kaq mizore sa ishte, nga historianët dhe vlerësuesit politik, Lufta e Dytë Botërore, është cilësuar dhe vlerësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme, në radhë të parë, për shkakun që në botë u vendos një rend i ri botëror, duke u rritur edhe numri i popujve të lirë dhe i shteteve të pavarura. Kjo ngjan, si ajo thënia: 'pas çdo shiu, del dielli'. 

Tani, bota ndodhet pothuajse në një rend krejtësisht të ri botëror. Globalizmi, duket të jetë ideologjia mbarë botërore. Por?!... 

A ka zhvillime të ngjashme me ato të para disa dekadave? Një pandemi globale është sërish duke e shkundur njerëzimin, një rritje e nacionalizmave gjithandej, por edhe një thellim i zhvillimeve diskrepante mes shoqërive dhe shteteve. Por, edhe një lider rus, i cili duket të jetë simbiozë e dy liderëve nismëtar të Luftës së Dytë, jo vetëm për nga mënyra e udhëheqjes por edhe e ardhjes në pushtet me fuqi absolute. Të nisura me apo pa dashje, në krizat e tilla, si luftëra apo sëmundje pandemike, njerëzit dhe humbjet e jetëve paraqesin vetëm shifra dhe vetëm synimi i objektivave të 'të mëdhenjve' ka rëndësi, për fat të keq! 

A mund të jetë Ukraina, një paralele ngjashmërie me Poloninë e dikurshme nga Lufta e Dytë, apo thjesht kjo 'aventurë ruse' do të mund të kornizohet ngjashëm me pushtimin e Çekosllovakisë nga koha e Luftës së Ftohtë? Apo, do të luhet loja e 'ruletit rus' si në Krizën e Kubës, ku sa për fije peri nuk pati zbrazje të kokave bërthamore? Edhe po të përfundoj me 'happy end' e tërë kjo, i bie që gjithë kjo lëvizje dhe pozicionim i ushtrive më të fuqishme e antagoniste, të jetë 'manovra' më e madhe deri më tani, e parë ndonjëherë! Lideri aktual rus, padyshim që është trashëgimtarë dhe pasues i denjë i ish-diktatorit sovjetik. A do të prodhojë koha në vazhdim, trashëgimtarë dhe strateg të tillë si Ruzvelt e Çërçill, që të mund të neutralizojnë një tiran të ri?!... 

Shqiptarët shpeshherë gjatë historisë janë gjendur të papërgatitur dhe jo të bashkuar rreth pozicionimit të duhur dhe të drejtë. Padyshim, i vetmi pozicionim i duhur dhe i drejtë, është ai, edhe ku përkasin natyrshëm, me familjen evropiane dhe boshtin euro-atlantik! Sfida të vështira, mund të na presin!... 

© Skënder Nitaj, 11 shkurt 2022

Saturday, September 25, 2021

Kosova vs. Serbia

Fluturimi provokues i sotëm i helikopterëve të policisë serbe në brezin kufitar Kosovë-Serbi mbi pikëkalimin kufitar Bërnjak, ngjarje kjo e vëzhguar edhe nga kamera të ndryshme dhe po ashtu edhe nga Policia e Kosovës, është një sinjal për brishtësinë e raporteve edhe ashtu jomiqësore mes dy vendeve, edhe pas plot 22 vitesh të përfundimit nga lufta e fundit 1998-99. Atëherë u desh të intervenoj NATO për t'i dhënë fund luftës dhe dëbimit masiv të shqiptarëve.

Gjeopolitika rajonale e më gjerë, tash mund të këtë ndryshuar nga aspekti i interesave, të të njëjtëve akterë. Kosova ka shpallur shtetësinë e saj dhe ka funksionalizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës si ushtri të saj. Por, derisa ajo (FSK-ja) ndodhet akoma tek në fillimet e saj të ndërtimit të kapaciteteve, në anën tjetër dëshmohet për një armatim të vazhdueshëm të ushtrisë serbe, rreshtuar pranë saj ajo ruse. KFOR ka një prezencë pothuajse minimale të saj këtu!

Raportet vëllazërore që do të duhej të mbretëronin gjithnjë edhe në mes udhëheqësish nga Kosova e Shqipëria, kohëve të fundit siç duket janë luhatur e ftohur skajshmërisht, ndoshta edhe me fajin e të dy palëve, por jo më më pak hile edhe këtu qëndron Serbia, e cila ka arritur ta josh më shumë 'vëllain e madh' me iniciativa të tipit 'mini-Shëngen' apo 'open Balkan', e kështu në stilin 'përçaj e sundo' të futet lehtësisht mes vëllezërve, në rast të një plani për mësymje të këtyre tokave! Apo nuk ka ndodhur kështu gjatë historisë?

Armiqësia serbo-shqiptare ka zanafillë shekullore, e si e tillë pritet të zgjasë. Shqiptarët, vetëm të bashkuar mund të përballen me një fat të tillë. As një aleancë e huaj, nuk garanton përgjithmonë paqen e brishtë. Këmbanat e zgjimit dhe ngritjes së vetëdijes mbarëkombëtare, do të duhej të bien pa u ndalur, orë e çast, e kundërta vlen: 'uji fle, anmiku nuk fle'!

© Skënder Nitaj, 24 shtator 2021

Thursday, September 16, 2021

Menaxhimi (jo)politik i Pandemisë

Përballë ngjarjeve apo fatkeqësive madhore (që janë mbi domenin e fuqive njerëzore) siç janë p.sh. tërmetet, vullkanet, zjarret, vërshimet, luftërat, sëmundjet epidemike etj., kudo në shtetet moderne, në legjislacionet e tyre edhe mund të parashikohen mënyrat e sjelljes apo menaxhimit në ato raste deri në mbi vlefshmërinë e vendimeve emergjente ndaj akëcilit akt ligjor në fuqi.

Kosova, aktualisht është duke përjetuar rritjen më të madhe dhe enorme me rastet e infektimeve me virusin e rrezikshëm, ndërsa veprimet e një menaxhimi emergjent nga Qeveria e Kosovës nuk po shihen në horizont, ose së paku nëse ka ndonjë menaxhim, ai nuk po rezulton efektiv, përkundrazi!

Në raste si kjo pandemi, pos një menaxhimi tejet emergjent, thelbësore do të duhej të ishte edhe një moratorium politik, sepse virusi i sulmon dhe rrezikon të gjithë njëlloj, pavarësisht grupeve apo interesave politike. 

Në këtë kontekst, edhe shtyrja e Zgjedhjeve lokale do të duhej të shqyrtohej me urgjencë. Nuk ka nevojë të mendohet rreziku që do të paraqitnin tubimet elektorale gjithandej. Menaxhimi emergjent në nivel qendror dhe lokal do të duhej të ishte i vetmi prioritet i spektrit politik e në veçanti i Qeverisë!

© Skënder Nitaj, 26 gusht 2021


Thursday, February 25, 2021

Dhomat një etnike apo duhet të presim e të shohim !?...

"Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës u themeluan në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, një amendamenti kushtetues, si dhe në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës." 

"Ato janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë." 

"Fletëza të një ditari" dëshmojnë se këto "Dhoma të Specializuara" duhet të "mirëpresin" edhe të dyshuarit e etnisë tjetër. Në fakt, etnia tjetër si në segregacionet më të njohura në histori, kishte shtrirje absolute në tërë territorin e Kosovës së okupuar, ku ata kryen spastrim klasik etnik, të përcjella me shpërngulje masive, vrasje e masakra të civilëve shqiptar, djegie dhe rrënim të pronës së tyre. Për të besuar në këto "Dhoma të Specializuara", duhet t'i shohim urdhërdhënësit dhe kryerësit e këtij spastrimi gjenocidal prapa grilave dhe para drejtësisë ndërkombëtare. (s.n.) (29.09.2020)

"Fletëza të një ditari" 

https://skendernitaj.blogspot.com/2015/01/hollokausti-ne-dite
n-e-kurban-bajramit.html 

#Dhomat_e_specializuara

Ledina, Carrabreg, 1998-1999 © S. Nitaj

Foto: Gjurmë djegie, nga lufta në Kosovë, 1998-1999 (Ledina, Carrabreg) © S. Nitaj