Holokausti në Ditën e Kurban Bajramit
“...
Kosova po hyn në ditët më të vështira të historisë së saj. Megjithatë, sot
është dita e parë e pranverës!” Këto ishin fjalët e fundit që i shkrova në
fletoren e shënimeve të mia “Kujtesë”, më 21 mars 1999, e diel. Tani më, kjo
fletore nuk ekziston, është djegur, por kujtesa për ato ditë është e
freskët!...
Dita
e parë e pranverës, në Pejë, vërtet solli një ditë pranverore. Por një ditë më
parë, edhe nga ky qytet u larguan vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së, prandaj
qytetarët shqiptarë e ndjenin veten disi të vetmuar, sidomos për ngjarjet që do
të pasonin. Dhe, kjo drojë e shqiptarëve u vërtetua qysh natën e parë të
fillimeve të bombardimeve të NATO-s, mbi caqet ushtarako-policore serbe. Në
natën e së mërkurës, më 24 mars, aty rreth orës 20, nëpërmjet valëve të Radio
Tiranës, morëm vesh se ishin hedhur bombat e para të NATO-s. Zaten, zhurmën e
aeroplanëve e dëgjonim edhe ne. Ky lajm edhe te qytetarët pejan, u prit me
ankth e shpresë!... Por, qytetarët e lagjes më të madhe të Pejës, Kapeshnica, nuk
do të kenë kohë fort, të analizojnë këtë, sepse zhurma e madhe e tankeve serbe,
që vinin nga ana e poshtme e lagjes, nuk do ta lejojnë këtë. Dhe aty rreth orës
21 e 30 minuta të asaj nate, pasi kishin zënë pozicionet e veta, këto tanke
filluan të granatojnë këtë lagje pa ndërprerje. Edhe unë me familjen time,
ndodheshim po ashtu në këtë pjesë të qytetit. Pasi më parë ishte goditur rrjeti
elektrik i lagjes, dhe meqë rrethimi i Kapeshnicës kishte ndodhur shumë shpejt,
ne dhe shumë banorë të tjerë të kësaj lagje, nuk kishim arritur të gjenim
ndonjë strehim më të sigurt. Dhe ashtu të shtrirë për dysheme në katin e dytë
të shtëpisë, shikonim se si granatat serbe, vinin në drejtimin tonë, dhe të
vetmin mjet mbrojtës kishim lutjet që ia drejtonim – Zotit!... Këto granatime
pushuan rreth një orë para mesnate, kur edhe tanket do të fillojnë të tërhiqen
në drejtim tjetër, për neve të panjohur. Vetëm atëherë, filluam të frymojmë
pakëz më lirshëm. Ky ishte një ankth i vërtetë për kapeshnicasit. Disa shtëpi
më lartë se ajo e jona digjeshin flakë, kurse gëzhojat e plumbave të
automatikëve (që plotësonin pauzat mes granatave) kishin mbushur kulmin dhe
oborrin e shtëpisë. Siç do të merret vesh më vonë, këtë natë, fatmirësisht, nuk
kishte pasur viktima në njerëz. Ankthi i pejanëve, do të vazhdojë tërë natën,
pasi që më pas u aktivizua siç dukej, mbrojtja kundërajrore serbe, dhe kështu
pa gjumë në sy, deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Paraditja
e 25 marsit do të jetë më e qetë, si dhe një rast i mirë për të parë e dëgjuar
se çfarë kishte ndodhur një natë më parë. Nga lagja e Kapeshnicës filluan të
evakuohen shumë njerëz për në lagje tjera të qytetit që konsideroheshin paksa
më të ‘sigurta’. Zaten granatimet e një nate më parë të kësaj lagje dhe largimi
i atyre pak familjeve serbe nga kjo pjesë, ishin arsye të mjaftueshme për t’u
bërë ky evakuim. Edhe unë me familjen time u zhvendosëm në lagjen e afërt të
Puhocit. Këtë ditë, shumë pak shqiptarë dolën në punë, kurse furnizimi me artikuj
të ndryshëm ishte i çrregulluar. Nata e dytë ishte pakëz më e qetë, së paku në
atë pjesë ku ishim ne.
Edhe
dita e premte do të kalojë në shenjë të përpjekjeve të qytetarëve për gjetjen e
ndonjë strehimi më të sigurt, jo nga frika e bombardimeve të NATO-s, por nga
droja e granatimeve serbe apo edhe e ekzekutimeve të atypëratyshme. Në disa
lagje periferike të Pejës, si në Qyshk apo Dardani, kishin ndodhur shumë
arrestime të të rinjve shqiptarë. Çdo informacion për ndodhitë brenda për
brenda qytetit, njerëzit e shkëmbenin nëpërmjet telefonit, ani pse lidhjet ishin
mjaft të ngatërruara. Pra, në rrugë mund të dilnin vetëm të punësuarit në
ndërmarrje shtetërore dhe ndonjë grua apo i moshuar, sa për të blerë gjëra
ushqimore, qe megjithatë edhe në këtë ditë gjendeshin disi apo shkëmbeheshin në
mes familjeve fqinje. Kurse serbët dhe malazezët, të trimëruar me armatimet
personale dhe me parakalimet e pandërprera të paramilitarëve të Arkanit, në
kohën e bombardimeve të NATO-s, me nguti i mësynin vend strehimoret shtetërore
(publike), menjëherë pasi që lëshohej alarmi i rrezikut nga ajri.
E
shtuna e 27 marsit do të jetë mjaft e kobshme, serish për Kapeshnicën, që siç
edhe mund të paramendohej do të ishte gjithmonë në shënjestër të sulmeve serbe.
Granatimet e shtëpive të kësaj lagje filluan që në orët e para të paradites dhe
atë, pandërprerë deri pas mesit të ditës. Të gjitha këto djegie mund t’i
shihnim edhe ne nga lagja e Puhocit. Tymi kishte kapluar qiellin, kurse era e
shkrumbit kundërmonte. Shumë kohë do të më mbetet në kujtesë ajo pamje e
trishtuar e Kapeshnicës, të cilën e kishin kapluar flakët. Një shi i lehtë i
asaj pasditeje, sikurse donte të fikte atë zjarr ferri apo të lante atë gjak të
kuq të shqiptarëve, që derdhej vetëm se ishte i tyre. Oh, Zot! Sa fëmijë e pleq
apo të sëmurë do të kenë mbetur nën ato gërmadha? Sa të pafuqishëm e ndjeja
veten! Si është e mundur që njeriu ta përballojë tërë këtë tmerr?... Djegie,
vrasje, shkatërrime, ka pasur atë ditë edhe nëpër disa lagje e pjesë tjera të
qytetit, e në veçanti ishte djegur e shkatërruar Çarshia e Vjetër e Pejës!...
E
diela e 28 marsit 1999 do të mbahet në mend gjatë në kujtesën e rreth 100 mijë
qytetarëve të Pejës. Kësaj radhe në Ditën e Kurban Bajramit, kurban do të bëhen
shqiptarët. Pothuajse në të njëjtën kohë, në paraditen e asaj dite, do të
filloi dëbimi i dhunshëm i shqiptarëve nga shtëpitë dhe banesat e tyre, nga
forca të shumta serbe – ushtarë, policë, paramilitarë e serbo-malazez lokal të
mobilizuar. Kështu deri në orët e mesditës, pothuajse nuk kishte mbetur njëri
nëpër shtëpi, pos ndonjë të moshuari apo të sëmuri rëndë, të cilët në pamundësi
t’i bashkëngjiteshin grumbujve të njerëzve, kishin mbetur nën mëshirën e të
pamëshirshmëve. Edhe unë bashkë me familjen time, në mesditë, iu bashkëngjitëm
rreshtit të pafund të njerëzve, pasi më parë na nxorën nga shtëpia, ushtarë e
paramilitarë të shumtë serb. Nuk arritëm të marrim as gjërat më elementare me
vete. Aty ku ndonjë derë oborri rastisej e mbyllur, pasonin goditjet e
pakontrolluara nga rafalët e automatikëve. Kështu, siç do të dëgjohet më vonë,
shumë veta kishin gjetur vdekjen në oborret dhe shtëpitë e veta, ngase ishin
ekzekutuar posa ishin vërejtur. Sidomos shumë shqiptarë ishin vrarë në lagjet
periferike të qytetit.
Kështu,
të gjithë qytetarët shqiptarë të Pejës, forcërisht u grumbulluan në qendrën e
korzosë së qytetit. Forca të shumta policore e ushtarake serbe, mbanin të
rrethuar e në shënjestër masën e njerëzve, përderisa tymi e flaka dilte nga
shumë shtëpi e banesa të shqiptarëve. Kisha dëgjuar për Holokaustin, tani atë e
përjetonim. Thoshin se do të na dërgonin në drejtim të Deçanit. Sigurisht që do
të na dërgonin për në Shqipëri. Më kujtohej ajo ‘marrëveshja xhentëlmene”
jugosllave-turke, për depërtimin e shqiptarëve për në Turqi!?...
Aty
rreth orës 14 do të filloi edhe ngarkimi i autobusëve dhe kamionëve të mëdhenj,
me shqiptarë, për t’i t’filluar për jashtë Kosovës. Po them kështu, pasi që
askush nga njerëzit në turmë nuk e dinte saktësisht se ku do t’i shpinin.
Derisa autobusët dhe kamionët e parë të mbushur plot e përplot me shqiptarë u
nisën për në “rrugën e ferrit”, të tjerët këtë “kënaqësi” që do t’iu ofronte ky
“ekskursion” i dhunshëm, do ta pritnin për më vonë. Deri në orët e vona të
mbrëmjes pothuajse do të jetë depërtuar gati gjysma e qytetarëve. Ishte kjo një
natë e ngjashme me natën e parë të varrit. Qyteti ishte pa drita, me përjashtim
të ndriçimit që sillnin flakët e shtëpive që digjeshin rreth e përqark nga
piromanët serbë. Kështu, kishte kaluar mesnata, e njerëzit e mbetur pritnin se
kur do t’iu vijë radha për rrugëtim. Derisa pjesa tjetër e botës sigurisht që
në këtë kohë ishin të fjetur, në korzonë e Pejës qëndronin të zgjuar “së
bashku”, xhelatët dhe viktimat!... Dikur, rreth orës 2 të pasmesnatës,
sigurisht për shkak të bombardimeve të NATO-s, që edhe mund të dëgjoheshin diku
në largësi, u bë ndërprerja e këtij depërtimi, dhe të gjithë të mbeturit u
dërguan në palestrën e sporteve, që është në afërsi të kazermës ushtarake në
hyrje të Pejës nga drejtimi i Deçanit. Nata e kaluar këtu, ishte kulmi i
përjetimeve për këtë ditë, e që do të kujtohet gjatë nga qytetarët pejanë!...
Të
nesërmen, masa e njerëzve filloi ta braktisë palestrën, dhe meqë depërtimi
ishte ndërprerë, që sipas një polici lokal serb ishte bërë në shenjë të
“vullnetit të mirë” të regjimit serb, njerëzit filluan të shpërndaheshin kush
ku mundej nëpër qytet. Por, pasojat e një dite më parë, ishin më se të dukshme.
Qyteti ishte boshatisur nga pothuaj se gjysma e qytetarëve, njerëzit ishin
ndarë nga familjarët e vet duke mos ditur as nga ishin dërguar, shumëkush
kishte humbur më të dashurit, kurse shumë sish nuk kishin as ku të ktheheshin,
ngase shtëpitë e tyre ishin shndërruar në gërmadha ose akoma villnin tym nga
zjarri i granatave serbe. Peja ishte shndërruar për një kohë të shkurtër në një
qytet fantazmë. Qyteti i tregtisë, ishte shndërruar në një oazë të plaçkitësve
serbo-malazezë, të ndihmuar nga romë të shumtë. Pra, jeta në Pejë kishte
vdekur, kurse shqiptarët e mbetur ngjanin me kufoma të gjalla!... Unë dhe
familja ime, që gjithë këtë dramë e përjetonim njëlloj si të tjerët, u kthyem
në lagjen e Puhocit. Lagja ishte shkretuar, kurse përpos familjes sonë kishin
mbetur edhe dy-tre familje të tjera shqiptare. U kthyem për ta kaluar edhe një
natë, ashtu në ankth, në vatrën tonë, në Kosovën tonë të shtrenjtë!...
Sepse,
ditën tjetër, më 30 mars, e martë, sërish do të detyrohemi ashtu nën kërcënimin
e armatosur, të lëshojmë shtëpinë. U nisëm ashtu nëpërmes egërsirave serbe dhe
së bashku me një grup prej dhjetëra njerëzish, t’filluam rrugën tejet të gjatë
e të mundimshme, në këmbë, për në drejtim të Malit të Zi. Diku rrugës së
asfaltuar, takonim edhe grupe tjera të vogla njerëzish, që ishin nisur me të
njëjtin qëllim, largimin nga barbaria serbe. Ashtu duke ecur, errësira e natës
do të na zë në afërsi të postbllokut famëkeq të Savinavodës. Për fatin tonë të
mirë, së bashku me një grup të vogël njerëzish që tashmë ishin shndërruar në
refugjatë, hasëm në një rimorkio të një traktori të braktisur ashtu përbri rrugës
së asfaltuar në të cilën do ta kalojmë natën, ashtu duke u dridhur nga të
ftohtit e nga shiu, si dhe nga frika e bandave paramilitare serbe që silleshin
vërdallë gjatë tërë natës. Ishte kjo nata, kur NATO-ja hodhi bombat e para mbi
caqet serbe në Pejë, dridhjet e të cilave mund t’i dallonim edhe ne nga ato
lartësi të bjeshkëve ku gjendeshim. Ishte kjo nata, kur ne nuk dinim asgjë më,
për fatin e pjesës tjetër të familjes, të cilët kishin mbetur diku nëpër Pejë.
Ishte kjo nata, kur në një rimorkio traktori, njerëz të panjohshëm, deri
atëherë me fate të ndryshme, ishin bashkuar, që vetëm Zoti e di se si dhe pse,
për t’i puqur fatet. Ah, fatet tona!... Shumë mendime atë natë më kanë
shoqëruar. Kujtime të së kaluarës, sepse perdja e së ardhmes kishte rënë!...
Por,
një dritë në fund të tunelit, do të ndriçojë edhe rrugën tonë. Zoti, edhe kësaj
radhe ishte i mëshirshëm ndaj nesh, dhe të nesërmen, më në fund arritëm, ashtu
të lodhur e të rraskapitur, e përmbi të gjitha të mërzitur, të kalojmë kufirin
kosovarë-malazez, në Kullë të Rozhajës!...
Skënder Nitaj, mars-prill 1999, Pejë