Autor: Skënder Nitaj, E premte, 28 maj 1999, Gazeta “Rilindja”,
Tiranë
Halit Asllani (1961-1998) |
Të shumtë janë
ata djem të Kosovës, qe u flijuan për lirinë e saj, për këto dy vjet lufte. Njëri
ndër ta është Halit Asllani nga Brovina e Gjakovës. Haliti, ra heroikisht në
mbrojtje të fshatit një vit më parë, në një përleshje të zjarrtë me hordhitë
çetnike serbe. Halit Allani, u lind më 18 mars 1961 në fshatin Brovinë te Rekës
së Keqe. U rrit në një familje të madhe fshatare, e cila kryesisht merrej me
bujqësi e blegtori. Haliti, shkollën fillore e kreu në Molliq, kurse të mesmen
në Ponashec e Gjakovë. Studioi në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Fillimi i luftës
në Kosovë, Halitin e kishte gjetur të gatshëm t’i bashkohej rezistencës së
armatosur të popullit shqiptar të Kosovës kundër forcave okupuese serbe, të
prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në fund të prillit ’98, fronti i luftës
ishte përhapur edhe në rajonin e fshatrave te Rekës së Keqe, të komunës së
Gjakovës. Të ndodhura në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri, këto fshatra edhe do të
jene cak i sulmeve të pandërprera të forcave serbe. Halit Asllani me shumë bashkëfshatarë
të vet, do të vetorganizohen në mbrojtje të fshatit, fillimisht duke bërë roje,
natë e ditë. Haliti ishte ndër organizatorët kryesorë të këtij vetorganizimi
dhe të kësaj vetëmbrojtje të fshatit. Ofensiva e fund majit e ndërmarrë nga
forcat serbe, kundër fshatrave të Deçanit e të Junikut, nuk do të kursejë as
fshatrat e Rekës së Keqe.
Flakët e luftës
shumë shpejt do t’i afrohen edhe fshatit Brovinë. Në të gdhirë të ditës së
premte, më 29 maj 1998, kishin filluar granatime të fuqishme nga shumë
pozicione serbe, edhe kundër fshatit të vogël te Brovinës. Këto granatime,
Halitin e kishin gjetur duke bërë roje nate në fshat. Me shpejtësi, kishte
organizuar evakuimin e popullatës civile për në drejtim të Nivokazit, Dobroshit
e fshatrave të tjera më pak të rrezikuara. Në të njëjtën kohë, nga drejtimi i
Ponashecit, fshatit Brovinë ia kishin mërsyer ekspedita ndëshkuese serbe e përberë
nga konvoje tankesh, autoblindash e mjete të tjera ushtarako-policore. Haliti
bashkë me disa shokë të tij, kishte zënë pozicionet mbrojtëse në hyrje të
fshatit.
E madhe, kishte
qenë rezistenca e Halit Asllanit në atë ditë të premte maji. I ndihmuar edhe
nga shokët Ali Jaha e Zenel Asllani nga Brovina, e Florim Sadria nga Berjaha,
si dhe nga vëllai Ramiz Asllani, Haliti ishte përballur me armikun për shumë orë.
Në luftimet ballë për ballë, Haliti , me një heroizëm e shkathtësi të paparë,
me zemrën e luanit e me minahedhësin e tij të krahut, ishte vërsulur mbi tanket
serbe, duke i shkatërruar apo neutralizuar shumë prej tyre. Haliti, kështu,
ishte vënë në mbrojtje të fshatit dhe bashkëfshatarëve të tij, përderisa këta
evakuoheshin nga fshati për në zona pak më të sigurta, për t’i ikur kështu barbarisë
serbe. Pas disa orë luftimesh të pabarabarta, Haliti plagoset për vdekje, nga
një predhë e armikut. Tanimë fshatarët ishin evakuuar nga fshati. Vëllai Ramizi
dhe shokët e tjerë, arrijnë të tërhiqen së bashku me Halitin e plagosur rëndë,
deri në fshatin e afërt, në Nivokaz.
Ashtu siç ishte
sypatrembur në betejë, ashtu i patrembur Haliti mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë
pas vetes amanetin për vazhdimin e luftës deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës.
Halit Asllani, luftoi dhe u flijua për Kosovë, me dëshirën dhe shpresën, qe një
ditë Haliti i vogël, që u lind gjashtë muaj mbas vdekjes së të atit, të rritet
i lirë në trojet e veta.
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.