Fletëz e një ditari
Autor: Skënder Nitaj,
9 maj 1999, Tiranë,
Botuar nga gazeta "Bota Sot", Prishtinë, 2000
Bibla flet për
Harmagedonin si për një vend në të cilin Perëndia do të zhvillojë një luftë të
drejtë. Kjo luftë e perëndisë do të përgatisë rrugën për një botë të re të
drejtë. Udhëheqësit e botës e përdorin për t’iu referuar një Luftë të Tretë të
mundshme Botërore. Kurse, mediat botërore, sot, flasin për Kosovën, si për një
vend në të cilin NATO-ja, kryen sulme ajrore me bomba kundër caqeve
ushtarako-policore serbe, e ndonjëherë edhe ndaj caqeve të përziera ushtarake e
civile. Ky intervenim do t’i hapë rrugë një rendi të ri botëror, ose ndoshta
një lufte të re botërore. Këtë me sa duket e kishte paraparë edhe Nostradamusi.
Një hipotezë dhe një
realitet, tejdukshmërisht të ngjashme, që ka të ngjarë që një ditë të puqen në
një pikë. E, në këtë pikë gjithsesi se qëndron Kosova. Zaten, në Globin e
Botës, Kosova zë vend sa një pikë, por, ama tash ajo qëndron si një pikë
kancerogjene. Dhe ditët e ardhshme (që kush e di se sa do të jenë në numër), do
të tregojnë më së miri, se si pjesa tjetër e botës do të veprojë: do ta gjejë
ilaçin për këtë pikë të sëmurë të trupit të vet; do të lejojë që kjo pikë
kancerogjene të jap metastazat e veta, apo e ndodhur në udhëkryq Hamletian, do
të provojë ta shkulë nga vetja e saj këtë pikë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse.
Gjetja e ilaqit, don
të thotë të zgjidhet nyja kosovare për një kohë të gjatë, por jo gjithmonë kemi
zgjidhje të drejtë dhe pa dhembje. Një dhe e vetme e drejtë, që do të arrinte
t’i shuajë edhe dhembjet e mëdha të shqiptarëve, do të ishte Pavarësia e
Kosovës, kurse çdo zgjidhje tjetër e dytë apo e tretë, vetëm sa do t’i shtonte
dhembjet e vuajtjet edhe ashtu të mëdha të shqiptarëve, përderisa do të
shtoheshin edhe apetitet idioteske të bishave serbe, për tokat tjera të
shqiptarëve dhe mishin e gjakun e tyre.
Problemi i Kosovës
ishte dhe mbeti Alfa dhe Omega e problemeve të pazgjidhura në ish krijesën
fantome Jugosllavi, si dhe në Ballkan. Ky problem i parapriu luftës në
Slloveni, Kroaci e Bosnjë. E tash, çdo gjë është kthyer në zanafillën e
problemit - në Kosovë. Aty është kthyer lufta, krimi, etno-gjenocidi, hipokrizia,
satana, hollokausti dhe mesjeta. Po përsëritet historia për të satën herë, si
të ishte kjo një spirale e Arkimedit. Kosova po noton në detin e lotëve dhe
gjakut, si dhe shiut të pandërprerë që sikur don të na tregojë që edhe Zoti
vajton për ne, apo në rastin më të keq - don të na japë edhe Ai dënimin
goditës! Vallë, e kemi merituar një dënim të tillë?...
Kriza e Kosovës, në
fakt është një krizë e trashëguar, ndër vite, ndër dekada, ndër shekuj.
Protagonistë në terren të kësaj beteje për Kosovën janë vendasit e dëbuar
forcërisht - shqiptarët dhe mysafirët e paftuar nga karpatet - serbos(k)llavët.
Por, jo të pa hak e hile, në këtë lojë të ndyrë përreth dhe brenda Kosovës,
qëndrojnë edhe të tjerët, qe ne i quajmë “Fuqi të mëdha”. Prandaj edhe në Kosovë,
sot ka “krizë” e jo “luftë”, ka luftë e jo paqe, ka robëri e jo liri. Na mbetet
të shpresojmë (për të mirën tonë) se kësaj radhe këto “Fuqi të mëdha” do të
bëjnë atë
çka duhet bërë, sepse në të kundërten disa faqe historie nga ky fillim shekulli
tregojnë se pas dy luftërave ballkanike plasën edhe dy luftëra botërore.
Kush do të provojë ta
zhdukë Kosovën nga faqja e dheut, do të duhej zhdukur edhe gadishullin e
Ballkanit dhe tërë Evropën. Edhe Evropa është një gadishull, kurse Kosova nuk
është Troja. Në të kundërten le të bashkohen të tërat me Atlantidën, e le të
fluturojnë lirshëm albatrosët me shqiponjat.
Në ndryshim nga
luftërat e njerëzve, që vrasin si të mirët dhe të keqinjtë, Harmagedoni do të
shkatërrojë vetëm të keqinjtë. Pas Harmagedonit, nuk do të mbetet as një pjesë
e kësaj bote të ligë, Mbretëria e Perëndisë do të jetë Qeveria e vetme që do të
sundojë tokën, satanai dhe demonët e tij do të zhduken.
Nëse Shekulli i Ri,
nuk do të sjellë Ilirinë e Vjetër, atëherë le të ndodhë Harmagedoni!...
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.