Saturday, April 11, 2015

Kujtesë, 14 Dhjetor 1994 - Mehmet Dermani

Kujtesë, 14 Dhjetor 1994 - Mehmet Dermani


1911 – Lindi Mehmet Dermani
---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Rrebeshet e kohërave shpeshherë rëndojnë më shumë në zona dhe krahina të veçanta. E tillë ishte edhe Plava e Gucia që padrejtësia e fuqive të mëdha i shkëputi nga trualli mëmë – Shqipëria. Rezistenca e popullsisë së këtyre zonave ka qenë e madhe dhe e vazhdueshme.
Mehmet Dermani – Gjonbalaj rrjedh nga një familje e varfër, por me tradita luftarake të Vuthajve të Gucisë. Ai lindi në vitin 1911. Në moshën 7 vjeçare u largua nga vendlindja si rezultat i dhunës së ushtruar nga forcat ushtarake të Malit të Zi. Shkollën fillore dhe të mesme Mehmeti i vazhdoi në Shkodër ku i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Pastaj vijon akademinë ushtarake të Romës, të cilën e përfundon po me rezultate të shkëlqyera.
Si në shkollën e mesme ashtu edhe në të lartën ai ra në kontakt me patriotë dhe figura përparimtare. Ishte ndër shokët më të ngushtë të poetit të madh Millosh Gjergj Nikollës – Migjenit, që në bankat në fëmijëri e gjersa vdiq.
Pas përfundimit të studimeve, punoi në fillim si sekretar komune në Pukë në vitet ’35-’36 dhe kryetar i komunës së Rahovecit në vitin 1938.
Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e priti me indinjatë dhe u hodh në radhën e forcave që organizuan rezistencën. Që nga 7 prilli ai u hodh në radhët e forcave antifashiste të luftës. Ka qenë pjesëtar dhe një nga organizatorët e Konferencës historike të Bujanit, ku u morën vendime të rëndësishme për fatet e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit.
Aspiratat dhe ëndrrat e tij pas luftës u shuan dhe u veniten pasi në pushtet erdhën komunistët, që në të gjitha mënyrat dhe mjetet sabotuan çështjen kombëtare e në veçanti atë të Kosovës.
Mehmeti, si shumë intelektual të tjerë, vihet në shënjestër të sigurimit të shtetit. Kështu, në vitin 1958 arrestohet dhe dënohet me akuzën bajate të agjitacionit e propagandës dhe që nga ajo periudhë e gjersa vdiq nuk iu ndanë burgjet dhe internimet. Mehmet Dermani, vdiq i torturuar në vitin 1986.

(Nga emisioni Kujtesë, TVSh, 14 dhjetor 1994)
Mehmet Dermani (31 janar 1911 – 25 prill 1986)

Zbulohet pllaka në kullën e Tahir Kamer (Avdijaj) në Gramaçel

Në këtë kullë të Tahir (Kamer) Avdijaj, në vitin 1948 u hap shkolla e parë shqipe nëfshatin Gramaçel të Komunës së Deçanit, drejtori i parë i kësaj shkolle ishte Bardh Ukë Nitaj nga Dranoci i Deçanit.


Në këtë shkollë mësimet i vijonin nga klasa e parë në të katërtën. Ky ishte mbishkrimi i vendosur më një pllakë në kullën e Tahir (Kamer) Avdijajt, në fshatin Gramaçel të Deçanit, mbishkrim ky që u zbulua sot nga kryetari i komunës z. Rasim Selmanaj, drejtori i DKA-së z. Qazim Maloku dhe përfaqësuesi i fshatit Gramaçel, Bajram Agaj. Drejtori i shkollës së mesme të Ulët ”Drita” në Gramaçel, Ramë Kasumaj duke e falënderuar kryetarin e komunës për prezencën e tij në këtë ceremoni ku në të njëjtën kohë shënojnë edhe ditën e shkollës tha se vendosja e kësaj pllake në këtë kullë tregon se cila ishte lashtësia e shkollës shqipe në këtë anë.
Ndërsa kryetari i Komunës z. Rasim Selmanaj, në fjalën e tij tha se ky regjion në të gjitha kohërat dha shumë për lirinë e vendit por edhe në luftën e fundit u dëshmua ku pikërisht nga ky fshat kishte djem që te parët iu përgjigjen radhëve të UÇK-së për t’i dal zot vendit e kjo ditë e sotme për ju këtu është një shënim për brezat e ardhshëm dhe për këta nxënës se ky vend ka traditë, ka kulturë dhe ka vlera që ka ruajtur nder shekuj. Edhe drejtori i DKA-së, z. Qazim Maloku, falënderoi drejtorin e shkollës, mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit për një organizim të tillë dhe zbulimin e kësaj pllake në kullën e Tahir (Kamer) Avdijajt. Ky shënim i kësaj date është përmbyllur më një program të pasur kulturor të përgatitur nga vet nxënësit e kësaj shkolle.

Gramaçel, 17 maj 2013



Marrë nga linku:

Një erudit shqiptar që iu kushtua çështjes shqiptare

Nga Myftar Fana

Botoi, Gazeta "Koha e Re" 06.01.1995, Tiranë

(kushtuar patriotit të shquar Mehmet Dermani - Gjonbalaj)



Sunday, January 11, 2015

Hollokausti në Ditën e Kurban Bajramit

Fletëza të një ditari

Holokausti në Ditën e Kurban Bajramit
 
            “... Kosova po hyn në ditët më të vështira të historisë së saj. Megjithatë, sot është dita e parë e pranverës!” Këto ishin fjalët e fundit që i shkrova në fletoren e shënimeve të mia “Kujtesë”, më 21 mars 1999, e diel. Tani më, kjo fletore nuk ekziston, është djegur, por kujtesa për ato ditë është e freskët!...
 
            Dita e parë e pranverës, në Pejë, vërtet solli një ditë pranverore. Por një ditë më parë, edhe nga ky qytet u larguan vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së, prandaj qytetarët shqiptarë e ndjenin veten disi të vetmuar, sidomos për ngjarjet që do të pasonin. Dhe, kjo drojë e shqiptarëve u vërtetua qysh natën e parë të fillimeve të bombardimeve të NATO-s, mbi caqet ushtarako-policore serbe. Në natën e së mërkurës, më 24 mars, aty rreth orës 20, nëpërmjet valëve të Radio Tiranës, morëm vesh se ishin hedhur bombat e para të NATO-s. Zaten, zhurmën e aeroplanëve e dëgjonim edhe ne. Ky lajm edhe te qytetarët pejan, u prit me ankth e shpresë!... Por, qytetarët e lagjes më të madhe të Pejës, Kapeshnica, nuk do të kenë kohë fort, të analizojnë këtë, sepse zhurma e madhe e tankeve serbe, që vinin nga ana e poshtme e lagjes, nuk do ta lejojnë këtë. Dhe aty rreth orës 21 e 30 minuta të asaj nate, pasi kishin zënë pozicionet e veta, këto tanke filluan të granatojnë këtë lagje pa ndërprerje. Edhe unë me familjen time, ndodheshim po ashtu në këtë pjesë të qytetit. Pasi më parë ishte goditur rrjeti elektrik i lagjes, dhe meqë rrethimi i Kapeshnicës kishte ndodhur shumë shpejt, ne dhe shumë banorë të tjerë të kësaj lagje, nuk kishim arritur të gjenim ndonjë strehim më të sigurt. Dhe ashtu të shtrirë për dysheme në katin e dytë të shtëpisë, shikonim se si granatat serbe, vinin në drejtimin tonë, dhe të vetmin mjet mbrojtës kishim lutjet që ia drejtonim – Zotit!... Këto granatime pushuan rreth një orë para mesnate, kur edhe tanket do të fillojnë të tërhiqen në drejtim tjetër, për neve të panjohur. Vetëm atëherë, filluam të frymojmë pakëz më lirshëm. Ky ishte një ankth i vërtetë për kapeshnicasit. Disa shtëpi më lartë se ajo e jona digjeshin flakë, kurse gëzhojat e plumbave të automatikëve (që plotësonin pauzat mes granatave) kishin mbushur kulmin dhe oborrin e shtëpisë. Siç do të merret vesh më vonë, këtë natë, fatmirësisht, nuk kishte pasur viktima në njerëz. Ankthi i pejanëve, do të vazhdojë tërë natën, pasi që më pas u aktivizua siç dukej, mbrojtja kundërajrore serbe, dhe kështu pa gjumë në sy, deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes.   
 
            Paraditja e 25 marsit do të jetë më e qetë, si dhe një rast i mirë për të parë e dëgjuar se çfarë kishte ndodhur një natë më parë. Nga lagja e Kapeshnicës filluan të evakuohen shumë njerëz për në lagje tjera të qytetit që konsideroheshin paksa më të ‘sigurta’. Zaten granatimet e një nate më parë të kësaj lagje dhe largimi i atyre pak familjeve serbe nga kjo pjesë, ishin arsye të mjaftueshme për t’u bërë ky evakuim. Edhe unë me familjen time u zhvendosëm në lagjen e afërt të Puhocit. Këtë ditë, shumë pak shqiptarë dolën në punë, kurse furnizimi me artikuj të ndryshëm ishte i çrregulluar. Nata e dytë ishte pakëz më e qetë, së paku në atë pjesë ku ishim ne.
 
            Edhe dita e premte do të kalojë në shenjë të përpjekjeve të qytetarëve për gjetjen e ndonjë strehimi më të sigurt, jo nga frika e bombardimeve të NATO-s, por nga droja e granatimeve serbe apo edhe e ekzekutimeve të atypëratyshme. Në disa lagje periferike të Pejës, si në Qyshk apo Dardani, kishin ndodhur shumë arrestime të të rinjve shqiptarë. Çdo informacion për ndodhitë brenda për brenda qytetit, njerëzit e shkëmbenin nëpërmjet telefonit, ani pse lidhjet ishin mjaft të ngatërruara. Pra, në rrugë mund të dilnin vetëm të punësuarit në ndërmarrje shtetërore dhe ndonjë grua apo i moshuar, sa për të blerë gjëra ushqimore, qe megjithatë edhe në këtë ditë gjendeshin disi apo shkëmbeheshin në mes familjeve fqinje. Kurse serbët dhe malazezët, të trimëruar me armatimet personale dhe me parakalimet e pandërprera të paramilitarëve të Arkanit, në kohën e bombardimeve të NATO-s, me nguti i mësynin vend strehimoret shtetërore (publike), menjëherë pasi që lëshohej alarmi i rrezikut nga ajri.
 
            E shtuna e 27 marsit do të jetë mjaft e kobshme, serish për Kapeshnicën, që siç edhe mund të paramendohej do të ishte gjithmonë në shënjestër të sulmeve serbe. Granatimet e shtëpive të kësaj lagje filluan që në orët e para të paradites dhe atë, pandërprerë deri pas mesit të ditës. Të gjitha këto djegie mund t’i shihnim edhe ne nga lagja e Puhocit. Tymi kishte kapluar qiellin, kurse era e shkrumbit kundërmonte. Shumë kohë do të më mbetet në kujtesë ajo pamje e trishtuar e Kapeshnicës, të cilën e kishin kapluar flakët. Një shi i lehtë i asaj pasditeje, sikurse donte të fikte atë zjarr ferri apo të lante atë gjak të kuq të shqiptarëve, që derdhej vetëm se ishte i tyre. Oh, Zot! Sa fëmijë e pleq apo të sëmurë do të kenë mbetur nën ato gërmadha? Sa të pafuqishëm e ndjeja veten! Si është e mundur që njeriu ta përballojë tërë këtë tmerr?... Djegie, vrasje, shkatërrime, ka pasur atë ditë edhe nëpër disa lagje e pjesë tjera të qytetit, e në veçanti ishte djegur e shkatërruar Çarshia e Vjetër e Pejës!...   
 
            E diela e 28 marsit 1999 do të mbahet në mend gjatë në kujtesën e rreth 100 mijë qytetarëve të Pejës. Kësaj radhe në Ditën e Kurban Bajramit, kurban do të bëhen shqiptarët. Pothuajse në të njëjtën kohë, në paraditen e asaj dite, do të filloi dëbimi i dhunshëm i shqiptarëve nga shtëpitë dhe banesat e tyre, nga forca të shumta serbe – ushtarë, policë, paramilitarë e serbo-malazez lokal të mobilizuar. Kështu deri në orët e mesditës, pothuajse nuk kishte mbetur njëri nëpër shtëpi, pos ndonjë të moshuari apo të sëmuri rëndë, të cilët në pamundësi t’i bashkëngjiteshin grumbujve të njerëzve, kishin mbetur nën mëshirën e të pamëshirshmëve. Edhe unë bashkë me familjen time, në mesditë, iu bashkëngjitëm rreshtit të pafund të njerëzve, pasi më parë na nxorën nga shtëpia, ushtarë e paramilitarë të shumtë serb. Nuk arritëm të marrim as gjërat më elementare me vete. Aty ku ndonjë derë oborri rastisej e mbyllur, pasonin goditjet e pakontrolluara nga rafalët e automatikëve. Kështu, siç do të dëgjohet më vonë, shumë veta kishin gjetur vdekjen në oborret dhe shtëpitë e veta, ngase ishin ekzekutuar posa ishin vërejtur. Sidomos shumë shqiptarë ishin vrarë në lagjet periferike të qytetit.
 
            Kështu, të gjithë qytetarët shqiptarë të Pejës, forcërisht u grumbulluan në qendrën e korzosë së qytetit. Forca të shumta policore e ushtarake serbe, mbanin të rrethuar e në shënjestër masën e njerëzve, përderisa tymi e flaka dilte nga shumë shtëpi e banesa të shqiptarëve. Kisha dëgjuar për Holokaustin, tani atë e përjetonim. Thoshin se do të na dërgonin në drejtim të Deçanit. Sigurisht që do të na dërgonin për në Shqipëri. Më kujtohej ajo ‘marrëveshja xhentëlmene” jugosllave-turke, për depërtimin e shqiptarëve për në Turqi!?...
 
            Aty rreth orës 14 do të filloi edhe ngarkimi i autobusëve dhe kamionëve të mëdhenj, me shqiptarë, për t’i t’filluar për jashtë Kosovës. Po them kështu, pasi që askush nga njerëzit në turmë nuk e dinte saktësisht se ku do t’i shpinin. Derisa autobusët dhe kamionët e parë të mbushur plot e përplot me shqiptarë u nisën për në “rrugën e ferrit”, të tjerët këtë “kënaqësi” që do t’iu ofronte ky “ekskursion” i dhunshëm, do ta pritnin për më vonë. Deri në orët e vona të mbrëmjes pothuajse do të jetë depërtuar gati gjysma e qytetarëve. Ishte kjo një natë e ngjashme me natën e parë të varrit. Qyteti ishte pa drita, me përjashtim të ndriçimit që sillnin flakët e shtëpive që digjeshin rreth e përqark nga piromanët serbë. Kështu, kishte kaluar mesnata, e njerëzit e mbetur pritnin se kur do t’iu vijë radha për rrugëtim. Derisa pjesa tjetër e botës sigurisht që në këtë kohë ishin të fjetur, në korzonë e Pejës qëndronin të zgjuar “së bashku”, xhelatët dhe viktimat!... Dikur, rreth orës 2 të pasmesnatës, sigurisht për shkak të bombardimeve të NATO-s, që edhe mund të dëgjoheshin diku në largësi, u bë ndërprerja e këtij depërtimi, dhe të gjithë të mbeturit u dërguan në palestrën e sporteve, që është në afërsi të kazermës ushtarake në hyrje të Pejës nga drejtimi i Deçanit. Nata e kaluar këtu, ishte kulmi i përjetimeve për këtë ditë, e që do të kujtohet gjatë nga qytetarët pejanë!...
 
            Të nesërmen, masa e njerëzve filloi ta braktisë palestrën, dhe meqë depërtimi ishte ndërprerë, që sipas një polici lokal serb ishte bërë në shenjë të “vullnetit të mirë” të regjimit serb, njerëzit filluan të shpërndaheshin kush ku mundej nëpër qytet. Por, pasojat e një dite më parë, ishin më se të dukshme. Qyteti ishte boshatisur nga pothuaj se gjysma e qytetarëve, njerëzit ishin ndarë nga familjarët e vet duke mos ditur as nga ishin dërguar, shumëkush kishte humbur më të dashurit, kurse shumë sish nuk kishin as ku të ktheheshin, ngase shtëpitë e tyre ishin shndërruar në gërmadha ose akoma villnin tym nga zjarri i granatave serbe. Peja ishte shndërruar për një kohë të shkurtër në një qytet fantazmë. Qyteti i tregtisë, ishte shndërruar në një oazë të plaçkitësve serbo-malazezë, të ndihmuar nga romë të shumtë. Pra, jeta në Pejë kishte vdekur, kurse shqiptarët e mbetur ngjanin me kufoma të gjalla!... Unë dhe familja ime, që gjithë këtë dramë e përjetonim njëlloj si të tjerët, u kthyem në lagjen e Puhocit. Lagja ishte shkretuar, kurse përpos familjes sonë kishin mbetur edhe dy-tre familje të tjera shqiptare. U kthyem për ta kaluar edhe një natë, ashtu në ankth, në vatrën tonë, në Kosovën tonë të shtrenjtë!...
 
            Sepse, ditën tjetër, më 30 mars, e martë, sërish do të detyrohemi ashtu nën kërcënimin e armatosur, të lëshojmë shtëpinë. U nisëm ashtu nëpërmes egërsirave serbe dhe së bashku me një grup prej dhjetëra njerëzish, t’filluam rrugën tejet të gjatë e të mundimshme, në këmbë, për në drejtim të Malit të Zi. Diku rrugës së asfaltuar, takonim edhe grupe tjera të vogla njerëzish, që ishin nisur me të njëjtin qëllim, largimin nga barbaria serbe. Ashtu duke ecur, errësira e natës do të na zë në afërsi të postbllokut famëkeq të Savinavodës. Për fatin tonë të mirë, së bashku me një grup të vogël njerëzish që tashmë ishin shndërruar në refugjatë, hasëm në një rimorkio të një traktori të braktisur ashtu përbri rrugës së asfaltuar në të cilën do ta kalojmë natën, ashtu duke u dridhur nga të ftohtit e nga shiu, si dhe nga frika e bandave paramilitare serbe që silleshin vërdallë gjatë tërë natës. Ishte kjo nata, kur NATO-ja hodhi bombat e para mbi caqet serbe në Pejë, dridhjet e të cilave mund t’i dallonim edhe ne nga ato lartësi të bjeshkëve ku gjendeshim. Ishte kjo nata, kur ne nuk dinim asgjë më, për fatin e pjesës tjetër të familjes, të cilët kishin mbetur diku nëpër Pejë. Ishte kjo nata, kur në një rimorkio traktori, njerëz të panjohshëm, deri atëherë me fate të ndryshme, ishin bashkuar, që vetëm Zoti e di se si dhe pse, për t’i puqur fatet. Ah, fatet tona!... Shumë mendime atë natë më kanë shoqëruar. Kujtime të së kaluarës, sepse perdja e së ardhmes kishte rënë!...
 
            Por, një dritë në fund të tunelit, do të ndriçojë edhe rrugën tonë. Zoti, edhe kësaj radhe ishte i mëshirshëm ndaj nesh, dhe të nesërmen, më në fund arritëm, ashtu të lodhur e të rraskapitur, e përmbi të gjitha të mërzitur, të kalojmë kufirin kosovarë-malazez, në Kullë të Rozhajës!...
 
           
 
Skënder Nitaj, mars-prill 1999, Pejë








Wednesday, January 7, 2015

Halit Asllani - Ra heroikisht në mbrojtje të fshatit

Autor: Skënder Nitaj, E premte, 28 maj 1999, Gazeta “Rilindja”, Tiranë

Halit Asllani (1961-1998)
Të shumtë janë ata djem të Kosovës, qe u flijuan për lirinë e saj, për këto dy vjet lufte. Njëri ndër ta është Halit Asllani nga Brovina e Gjakovës. Haliti, ra heroikisht në mbrojtje të fshatit një vit më parë, në një përleshje të zjarrtë me hordhitë çetnike serbe. Halit Allani, u lind më 18 mars 1961 në fshatin Brovinë te Rekës së Keqe. U rrit në një familje të madhe fshatare, e cila kryesisht merrej me bujqësi e blegtori. Haliti, shkollën fillore e kreu në Molliq, kurse të mesmen në Ponashec e Gjakovë. Studioi në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Fillimi i luftës në Kosovë, Halitin e kishte gjetur të gatshëm t’i bashkohej rezistencës së armatosur të popullit shqiptar të Kosovës kundër forcave okupuese serbe, të prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në fund të prillit ’98, fronti i luftës ishte përhapur edhe në rajonin e fshatrave te Rekës së Keqe, të komunës së Gjakovës. Të ndodhura në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri, këto fshatra edhe do të jene cak i sulmeve të pandërprera të forcave serbe. Halit Asllani me shumë bashkëfshatarë të vet, do të vetorganizohen në mbrojtje të fshatit, fillimisht duke bërë roje, natë e ditë. Haliti ishte ndër organizatorët kryesorë të këtij vetorganizimi dhe të kësaj vetëmbrojtje të fshatit. Ofensiva e fund majit e ndërmarrë nga forcat serbe, kundër fshatrave të Deçanit e të Junikut, nuk do të kursejë as fshatrat e Rekës së Keqe.
Flakët e luftës shumë shpejt do t’i afrohen edhe fshatit Brovinë. Në të gdhirë të ditës së premte, më 29 maj 1998, kishin filluar granatime të fuqishme nga shumë pozicione serbe, edhe kundër fshatit të vogël te Brovinës. Këto granatime, Halitin e kishin gjetur duke bërë roje nate në fshat. Me shpejtësi, kishte organizuar evakuimin e popullatës civile për në drejtim të Nivokazit, Dobroshit e fshatrave të tjera më pak të rrezikuara. Në të njëjtën kohë, nga drejtimi i Ponashecit, fshatit Brovinë ia kishin mërsyer ekspedita ndëshkuese serbe e përberë nga konvoje tankesh, autoblindash e mjete të tjera ushtarako-policore. Haliti bashkë me disa shokë të tij, kishte zënë pozicionet mbrojtëse në hyrje të fshatit.
E madhe, kishte qenë rezistenca e Halit Asllanit në atë ditë të premte maji. I ndihmuar edhe nga shokët Ali Jaha e Zenel Asllani nga Brovina, e Florim Sadria nga Berjaha, si dhe nga vëllai Ramiz Asllani, Haliti ishte përballur me armikun për shumë orë. Në luftimet ballë për ballë, Haliti , me një heroizëm e shkathtësi të paparë, me zemrën e luanit e me minahedhësin e tij të krahut, ishte vërsulur mbi tanket serbe, duke i shkatërruar apo neutralizuar shumë prej tyre. Haliti, kështu, ishte vënë në mbrojtje të fshatit dhe bashkëfshatarëve të tij, përderisa këta evakuoheshin nga fshati për në zona pak më të sigurta, për t’i ikur kështu barbarisë serbe. Pas disa orë luftimesh të pabarabarta, Haliti plagoset për vdekje, nga një predhë e armikut. Tanimë fshatarët ishin evakuuar nga fshati. Vëllai Ramizi dhe shokët e tjerë, arrijnë të tërhiqen së bashku me Halitin e plagosur rëndë, deri në fshatin e afërt, në Nivokaz.

Ashtu siç ishte sypatrembur në betejë, ashtu i patrembur Haliti mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë pas vetes amanetin për vazhdimin e luftës deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës. Halit Asllani, luftoi dhe u flijua për Kosovë, me dëshirën dhe shpresën, qe një ditë Haliti i vogël, që u lind gjashtë muaj mbas vdekjes së të atit, të rritet i lirë në trojet e veta.


Saturday, November 1, 2014

Kosova apo Harmagedoni

Fletëz e një ditari

Autor: Skënder Nitaj, 9 maj 1999, Tiranë,
Botuar nga gazeta "Bota Sot", Prishtinë, 2000

Bibla flet për Harmagedonin si për një vend në të cilin Perëndia do të zhvillojë një luftë të drejtë. Kjo luftë e perëndisë do të përgatisë rrugën për një botë të re të drejtë. Udhëheqësit e botës e përdorin për t’iu referuar një Luftë të Tretë të mundshme Botërore. Kurse, mediat botërore, sot, flasin për Kosovën, si për një vend në të cilin NATO-ja, kryen sulme ajrore me bomba kundër caqeve ushtarako-policore serbe, e ndonjëherë edhe ndaj caqeve të përziera ushtarake e civile. Ky intervenim do t’i hapë rrugë një rendi të ri botëror, ose ndoshta një lufte të re botërore. Këtë me sa duket e kishte paraparë edhe Nostradamusi.

Një hipotezë dhe një realitet, tejdukshmërisht të ngjashme, që ka të ngjarë që një ditë të puqen në një pikë. E, në këtë pikë gjithsesi se qëndron Kosova. Zaten, në Globin e Botës, Kosova zë vend sa një pikë, por, ama tash ajo qëndron si një pikë kancerogjene. Dhe ditët e ardhshme (që kush e di se sa do të jenë në numër), do të tregojnë më së miri, se si pjesa tjetër e botës do të veprojë: do ta gjejë ilaçin për këtë pikë të sëmurë të trupit të vet; do të lejojë që kjo pikë kancerogjene të jap metastazat e veta, apo e ndodhur në udhëkryq Hamletian, do të provojë ta shkulë nga vetja e saj këtë pikë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse.

Gjetja e ilaqit, don të thotë të zgjidhet nyja kosovare për një kohë të gjatë, por jo gjithmonë kemi zgjidhje të drejtë dhe pa dhembje. Një dhe e vetme e drejtë, që do të arrinte t’i shuajë edhe dhembjet e mëdha të shqiptarëve, do të ishte Pavarësia e Kosovës, kurse çdo zgjidhje tjetër e dytë apo e tretë, vetëm sa do t’i shtonte dhembjet e vuajtjet edhe ashtu të mëdha të shqiptarëve, përderisa do të shtoheshin edhe apetitet idioteske të bishave serbe, për tokat tjera të shqiptarëve dhe mishin e gjakun e tyre.

Problemi i Kosovës ishte dhe mbeti Alfa dhe Omega e problemeve të pazgjidhura në ish krijesën fantome Jugosllavi, si dhe në Ballkan. Ky problem i parapriu luftës në Slloveni, Kroaci e Bosnjë. E tash, çdo gjë është kthyer në zanafillën e problemit - në Kosovë. Aty është kthyer lufta, krimi, etno-gjenocidi, hipokrizia, satana, hollokausti dhe mesjeta. Po përsëritet historia për të satën herë, si të ishte kjo një spirale e Arkimedit. Kosova po noton në detin e lotëve dhe gjakut, si dhe shiut të pandërprerë që sikur don të na tregojë që edhe Zoti vajton për ne, apo në rastin më të keq - don të na japë edhe Ai dënimin goditës! Vallë, e kemi merituar një dënim të tillë?...

Kriza e Kosovës, në fakt është një krizë e trashëguar, ndër vite, ndër dekada, ndër shekuj. Protagonistë në terren të kësaj beteje për Kosovën janë vendasit e dëbuar forcërisht - shqiptarët dhe mysafirët e paftuar nga karpatet - serbos(k)llavët. Por, jo të pa hak e hile, në këtë lojë të ndyrë përreth dhe brenda Kosovës, qëndrojnë edhe të tjerët, qe ne i quajmë “Fuqi të mëdha”. Prandaj edhe në Kosovë, sot ka “krizë” e jo “luftë”, ka luftë e jo paqe, ka robëri e jo liri. Na mbetet të shpresojmë (për të mirën tonë) se kësaj radhe këto “Fuqi të mëdha” do të bëjnë atë çka duhet bërë, sepse në të kundërten disa faqe historie nga ky fillim shekulli tregojnë se pas dy luftërave ballkanike plasën edhe dy luftëra botërore.

Kush do të provojë ta zhdukë Kosovën nga faqja e dheut, do të duhej zhdukur edhe gadishullin e Ballkanit dhe tërë Evropën. Edhe Evropa është një gadishull, kurse Kosova nuk është Troja. Në të kundërten le të bashkohen të tërat me Atlantidën, e le të fluturojnë lirshëm albatrosët me shqiponjat.

Në ndryshim nga luftërat e njerëzve, që vrasin si të mirët dhe të keqinjtë, Harmagedoni do të shkatërrojë vetëm të keqinjtë. Pas Harmagedonit, nuk do të mbetet as një pjesë e kësaj bote të ligë, Mbretëria e Perëndisë do të jetë Qeveria e vetme që do të sundojë tokën, satanai dhe demonët e tij do të zhduken.

Nëse Shekulli i Ri, nuk do të sjellë Ilirinë e Vjetër, atëherë le të ndodhë Harmagedoni!...






Wednesday, September 10, 2014

Historiku i zhvillimit të arsimit shqip në Komunën e Deçanit

ARSIMI – SHTYLLË E QENDRESËS DHE VETËDIJËS KOMBËTARE

(në 30-vjetorin e themelimit të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan)
Sivjet, nxënësit dhe arsimtarët si dhe qytetarët e Deçanit me rrethinë kremtojnë një jubile të rëndësishëm për arsimin, edukimin dhe kulturën e kësaj treve në përgjithësi. Pikërisht në maj të maj të vitit 1967, u themelua Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” i cili për tridhjetë vjet të ekzistencës së vet do të lë gjurmë të pashlyeshme në historikun e arsimit shqip të Deçanit dhe fshatrave përreth.

Shkollat e para dhe mësuesit

Popullsia e kësaj treve ka një traditë të pasur kulturore dhe arsimore, mirëpo shënime rreth zhvillimit të shkollave hasen tek në fillim të këtij shekulli. Natyrisht, që këto shkolla do të punojnë herë në gjuhën shqipe e herë në atë serbe, varësisht nga rrethanat politike të kohës. Kështu, më 1906 në Manastirin e Deçanit punon shkolla në gjuhën serbe, kurse më 1909 në Xhaminë e Carrabregut punon shkolla në gjuhën shqipe me alfabet arab, me mësues mulla Adem Dautaj. Një zhvillim më të mirë të shkollës në gjuhën shqipe e hasim në periudhën e Luftës së Parë Botërore (1915-18). Kështu, së pari më 1915 hapet shkolla në Dranoc, në xhaminë e fshatit dhe një vit më vonë edhe në Junik, Strellc dhe Irzniq.
Në shkollën e Dranocit qenë përfshirë rreth 80 nxënës, të gjithë djem nga fshatrat e regjionit të Vokshit, si dhe fëmijë serbë nga Lloqani. Shkolla punonte në dy ndërrime e mësimi mbahej nga Ibrahim Fehmiu (i cili do të punojë më pas edhe në shkollat në Junik e Irzniq). Një vit më vonë do të vijë edhe mësuesi i dytë, Haxhi Hasi, nga Shqipëria. Në shkollën e Junikut mësues ishte Tahir Efendi Shehiqi, kurse në shkollën e Irzniqit Latif Shaqiri. Shkollën në Strellc e udhëhoqi Nexhip Draga, kurse 175 nxënësit e kësaj shkolle i mësonin edhe mësuesit Muharrem Blakçori, Xhevat Kelmendi e Ndue Varfri. Në këto shkolla mësoheshin lëndët: gjuhë shqipe, arithmetikë, gjeometri, gjeografi, histori, njohuri natyre, mësim fetar, bukurshkrim, këngë, vizatim, punëdore, fizkulturë dhe mirësjellje, deri sa në shkollat në serbishte më kryesore ka qenë lënda mbi fenë. Kushtet për punë në këto shkolla ishin mjaft të vështira. Në Dranoc, mësimi zhvillohej në korridorin dhe në ballkonin e xhamisë. Orendi nuk kishte fare, pos disa bankash të vjetra dhe të ndonjë tabele primitive. Tekstet ishin të pakta dhe ato silleshin nga Shqipëria.
Asnjë nxënës nuk e kreu shkollën, sepse pas tre vjet pune, më 1918, regjimi i Mbretërisë SKS i mbylli këto shkolla dhe nuk lejoi që të përdorej asgjëkundi fjala dhe shkronja shqipe. Kështu, nxënësit shqiptarë, me mundime të mëdha, do të jenë të detyruar të ndjekin mësimet në serbishte, në shkollat që do të rihapen, më 1922 në Deçan e Strellc, më 1924 në Junik dhe më 1927 në Irzniq. Shkolla e Deçanit prej vitit 1927 do të kalojë në lokal shoqëror (tash lokali i vjetër i shkollës fillore).
Shkollat në Deçan, Junik, Strellc e Irzniq do të punojnë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore pa ndërprerje, përsëri në gjuhën shqipe me mësues nga Kosova e Shqipëria. Kështu, Beqir Kastrati do të emërohet kryemësues në shkollën fillore të Deçanit, kurse drejtor i shkollës Haki Taha. Në këtë shkollë do të punojnë edhe mësuesit Haki Bardhi, Beqir Pozhegu etj. Edhe shumë mësues tjerë të njohur frekuentuan gjatë kësaj periudhe (1941-45) por edhe më pas, nëpër shkollat fillore të Deçanit e fshatrave përreth, duke sjellë rezultate të pamohueshme në arsimimin e popullatës së këtushme gati krejt analfabete dhe duke ngritur tek ta idealet dhe aspiratat për liri dhe pavarësi. Megjithëse frontet e shumta të luftës kishin gëlltitur shumë të rinj të moshës shkollore, një pjesë arriti që të shkollohej dhe t’i bashkohej armatës jo të numërt të mësuesve të kohës dhe kështu të kontribuonin në vënjen e gurthemeleve të shkollës shqipe.

Gurthemelet e shkollës shqipe

Përfundimi i luftës, popullsinë e këtushme, si kudo nëpër Kosovë, do ta gjejë në skamje e mjerim të madh. Njerëzit, që kryesisht merreshin me veprimtari bujqësore e blegtorale, kishin rënë në një varfëri të madhe, kurse sëmundjet e shumta epidemike si rezultat i luftës e ngarkonin edhe më shumë jetesën e tyre. Kur i shtohet kësaj edhe (ri)okupimi sllavo-komunist, atëherë mund të paramendohet se çfarë drame po përjetonin shqiptarët këndej kufirit. Mirëpo, si gjithnjë gjatë historisë, populli do t’i nxjerrë nga gjiri i vet bijtë dhe bijat më të mira të kombit, ashtu që këta të bëhen fli për çështjen madhore të kombit. Dhe duke qenë arsimi – shtyllë e qendresës kombëtare, detyrë prioritare e këtyre patriotëve të kombit ishte vënia e gurthemeleve të shkollës shqipe. Prandaj, edhe sukseset në arsim që do të pasojnë i gjejmë në kontributin e pakontestueshëm të të gjithë atyre pionierëve të arsimit, të cilët nuk kursyen asgjë dhe jo rrallë flijuan vetveten, duke u gjendur në udhëkryqe të vështira e të kurdisura nga pushteti komunist.
Fillimi ishte shumë i vështirë. Mungesa e lokalit, mjeteve të punës e sidomos e kuadrit mësimdhënës ishin mjaft të ndjeshme, sikurse edhe faktet se mbi 90 për qind e popullsisë ishin analfabetë, 95 për qind të mësuesve ishin të pakualifikuar, ndërsa arsimtarë dhe profesorë s’kishte fare. Por, këto vështirësi do të tejkalohen në saje të angazhimit të të gjithë njerëzve arsimdashës, e para se gjithash në saje të mësuesve të parë – veteranëve Bardh (Ukë) Nitaj, Ramë (Shaban) Alaj, Avdyl (Nush) Çekaj, Haxhi (Mahmut) Aliçkaj, Hasan (Beqir) Baçaj, Ahmet (Avdyl) Povataj, Fazli (Jahë) Binakaj, Jusuf (Sadik) Nimonaj e shumë të tjerëve, të cilët karrierën e mësuesisë e filluan duke hapur shkolla nëpër fshatrat e ndryshme të Deçanit, por edhe gjetiu nëpër Kosovë, kudo që ndjehej nevoja. Nuk duhet harruar këtu as mundin e djersën e mësuesve tjerë të ardhur nga viset e Kosovës, siç ishin Islam Spahiu, Qazim Zhubi, Njazi Fehmiu, Haki Rraci, Hasan Zeka, Sali Prizreni, Ramiz Musa, Pajazit Nushi, Ramiz Pupovci etj.
Ndërtesa shkollore kishte vetëm në Deçan e Irzniq. Në Junik, nxënësit mësonin në xhami dhe në kullat  Ali Bajraktarit, ndërsa në Gramaçel në kulla të Kamer Sylës, Kuqit e Malokëve. Pas 27 viteve, do të rihapet shkolla në Dranoc, ku në fillim mësimi do të mbahet në xhaminë e fshatit e më pas në shtëpinë e imamit të xhamisë dhe në shtëpinë e Sava Popoviqit (i vrarë si çetnik). Në këtë kohë, kompetentët e arsimit të Kosovës (në krye me prof. Zekerja Rexhën) angazhonin edhe shumë të rinj gjimnazistë në procesin mësimor, duke i aftësuar nëpër kurse pedagogjike për mësues, pasi që nevoja për hapjen e shkollave dhe kurseve analfabetike e shëndetësore sidomos nëpër fshatra ishte e madhe.
Kështu, shumë të rinj deçanas i vijuan këto kurse, duke iu bashkuar mësuesve të tjerë në procesin mësimor ose duke hapur shkolla të reja në Deçan e rrethinë, si dhe gjetiu nëpër Kosovë. Shumë sish vazhduan të shkolloheshin në nivele më të larta, paralelisht me punën e mësuesit që e kryenin. Prandaj, kjo ishte e mirëseardhur, pasi në ndërkohë përpos shkollave fillore do të hapen edhe gjimnazet e ulëta (progjimnazet) si në Deçan, Gramaçel, Irzniq etj. Këto progjimnaze më vonë do të shndërrohen në shkolla të plota fillore (8 vjeçare). Kështu, në vitet e rasformimeve të rretheve dhe krijimit të sistemeve komunale, rrjeta shkollore në Komunën e Deçanit numëronte 5 shkolla të plota fillore (Deçan, Junik, Irzniq, Gramaçel e Strellc) dhe tetë paralele të detashuara të këtyre shkollave, ku mësimet i vijonin afro 5 mijë nxënës.

Themelohet gjimnazi “Vëllezërit Frashëri”

Ata nxënës që kryenin shkollën fillore shpeshherë nuk kishin mundësi t’i vazhdonin mësimet në shkollat e mesme të qyteteve të Kosovës për shkak të kushteve ekonomike dhe largësisë, andaj ndihej nevoja e hapjes së ndonjë shkolle të mesme në komunë. Kështu, falë angazhimit të disa mësimdhënësve, qysh në vitin shkollor 1958-59 në lokalet e shkollës fillore të Deçanit, do të fillojnë nga puna tri paralele të detashuara, të Gjimnazit, shkollës së mesme bujqësore dhe shkollës së mesme ekonomike – të Pejës, ku do të përfshihen nxënësit e rritur që më parë nuk patën mundësi të shkolloheshin gjetiu. Mësimet në paralelen e Gjimnazit dhe në atë të shkollës bujqësore zhvilloheshin shqip, derisa në paralelen e shkollës ekonomike serbisht. Në këto paralele mësimet nuk i vijoi asnjë vajzë shqiptare, pasi që mësimi zhvillohej në ndërresën e dytë dhe të tretë. Pas daljes së gjeneratave të para këto paralele u shuan. Mirëpo, pas përpjekjeve të serishme u arrit që në vitin shkollor 1962/63 të hapen paralelet e ndara të Shkollës Normale të Pejës, të cilat po ashtu punojnë në lokalet e shkollës fillore të Deçanit, në gjuhën shqipe dhe serbokroate, me arsimtarë vendës dhe disa tjerë nga Peja. Nxënësit në këto paralele i kryenin dy klasët e para, për të vazhduar më pas në ndonjë shkollë tjetër normale. Kësaj radhe u përfshi edhe një numër i konsiderueshëm i vajzave shqiptare, të cilat pasi kryejnë normalen, fillojnë punën mësuese në shkollat fillore të këtushme. Edhe këto paralele ndërpresin punën pas tre vjetëve.
Duke e parë nevojën për shkollimin e mesëm të të rinjve deçanas, pasi ishin shuar paralelet e ndara të Pejës, në një mbledhje të Kuvendit Komunal të Deçanit (në maj të vitit 1967), deputeti i dhomës për kulturë dhe arsim, profesori Bardh (Ukë) Nitaj inicioi hapjen e një gjimnazi të plotë dhe të pavarur në Deçan. Pas një sërë debatesh dhe polemikash, dominoi mendimi i intelektualëve dhe i dashamirëve të arsimit dhe kështu kuvendi miratoi propozimin dhe emëroi Komisionin amë për themelimin e Gjimnazit në Deçan. Komisioni prej 5 anëtarëve në krye me prof. Bardhin, i kreu të gjitha përgatitjet e duhura brenda një afati rekord dhe kështu me Vendimin nr. 01-5162/9 dt. 07.XII.1967 të K.K. Deçanit, u themelua Gjimnazi i plotë dhe i pavarur “Vëllezërit Frashëri”.
Gjimnazi i Deçanit do të fillojë nga puna ne vitin shkollor 67/68, fillimisht ne lokalin e vjetër te shkollës fillore në Deçan, kurse prej vitit shkollor 72/73 do të kalojë në objekte të reja, ku kushtet për zhvillimin e procesit mësimor do te jene shume me te mira. Gjimnazi filloi punën me profesorët Sali Imami, Bajram Januzaj, Njazi Ferizaj, Mehmet Kërveshi, Gëzim Basha, Selim Begolli, Ismajl Dula, Bardh Nitaj etj. Në vitin e parë të punës, klasën e parë e filluan 176 nxënës, prej tyre 12 vajza. Mirëpo, nga viti në vit Gjimnazi do të shënojë rritje si nga aspekti sasior ashtu edhe nga ai cilësor. Kështu, pas disa viteve ky gjimnaz do t’i ketë paralelet e veta të ndara edhe në Junik, Irzniq dhe Isniq, ashtu që shkolla në vitin shkollor 1980/81 do t’i ketë mbi 2300 nxënës, prej tyre 700 vajza si dhe një kuadër mjaft të profesionalizuar mësimdhënësish. Gjimnazi i Deçanit ishte njëri ndër tre gjimnazet e Kosovës që së pari filloi zbatimin e reformës për arsimin e mesëm të orientuar. Nxënësit e profesorët e këtij gjimnazi për sukseset e tyre të treguara në gara, manifestime e raste të tjera do të nderohen me shpërblime, mirënjohje e dekorata, kurse në rastin e jubileut të gjimnazit, në maj të vitit 1977 nxjerrin fletushkën “Rreze Drite”, e cila bëhet një tribunë mendimesh, veprash dhe krijimesh.
Paralelisht me themelimin e gjimnazit, më 1967 themelohet Bashkësia Komunale e Arsimit, pasi që më parë ishte themeluar edhe Fondi për Arsim e Kulturë. Me mjetet që kishin në dispozicion këto dy institucione u arrit të ndërtohen objekte të reja shkollore në Deçan, Gramaçel, Junik, Isniq, Dranoc, Lumbardh, Maznikë e Prapaçan. Shkolla të reja do të ndërtohen edhe në Strellc të Epërm, Irzniq dhe Prejlep, falë përgjigjes tej plani të huas popullore për arsim, të deçanasve. Edhe dy institucione të rëndësishme do të themelohen më vonë në komunën e Deçanit, më 1973 Inspeksioni Komunal i Arsimit dhe më 1982 Enti Komunal Pedagogjik. Këto, pra, ishin vitet vendimtare në arritjet në lëmin e arsimit, edukimit dhe kulturës në përgjithësi. Orientim kryesor ishte ngritja e institucioneve komunale, zgjerimi i rrjetit shkollor, ngritja dhe sigurimi i kuadrove, përmirësimi i kushteve të mësimit nëpër shkolla dhe ndërtimi i objekteve të reja shkollore.

Vitet e gjata të mbijetesës

Derisa vitet e 70-ta ishin vite të arta për arsimin dhe shkollën shqipe, vitet e 80-ta dhe 90-ta do të jenë vite të përjetimeve të rënda, por edhe vite të gjata të mbijetesës. Ngjarjet e vitit 1981, por edhe ato që do të pasojnë, nuk do të kalojnë pa pasoja edhe për arsimin deçanas. Kështu shkollat fillore të komunës  e sidomos Gjimnazi i Deçanit do të sulmohen në mënyrë të egër duke i konsideruar si çerdhe të nacionalizmit e separatizmit shqiptar. Dhjetëra nxënës e profesorë së bashku me drejtorin e kësaj qendre do të përjashtohen nga kjo shkollë, e shumë prej tyre edhe do të dënohen me vite të tëra burg. Ishte pra, kjo koha kur pushteti komunist eleminonte ata të cilët me mundin e djersën e derdhur ndër vite kishin arritur që shkollës shqipe t’i jepnin fizionominë e një shkolle moderne e të përparuar. Por, me gjithë këto erëra që ngjanin me ato të mesjetës, shqiptarët do të dinë t’i bëjnë ballë furtunës së kohës. Dhe, kështu jo vetëm që nuk do të ndalet hovi i zhvillimit por orientimi i njerëzve arsimdashës do të jetë zgjerimi i rrjetit shkollor, duke ndërtuar shkolla të reja (Jasiq, Voksh të Madh, Pobergjë, Baballoç, Shaptej, Beleg, Ratishë, Kodrali, Gllogjan, Llukë, Pozharë etj.), ose duke i pavarësuar ato (Prapaqan, Prejlep, Restavicë), ashtu që në vitin shkollor 88/89 do të funksionojnë 10 shkolla fillore (në Deçan, Isniq, Prapaqan, Junik, Irzniq, Dranoc, Gramaçel, Strellc të Epërm, Prejlep e Restavicë) me 9 paralele të ndara, si dhe shkolla e mesme “V. Frashëri” në Deçan. Në të gjitha këto shkolla do të punojnë rreth 500 mësues, arsimtarë e profesorë, kurse numri i nxënësve do të arrijë shifrën rekorde prej 10 mijë nxënësve fillor dhe 2500 nxënësve të mesëm.
Goditja më e rëndë arsimit shqip, iu dha me suprimimin e Autonomisë së Kosovës në mars të ’89-shes. Kështu, nuk do të shkojë larg dhe prej shtatorit ’91 mbyllen të gjitha shkollat e fakultetet në Kosovë, pasi më parë ishin mbyllur dhe ndaluar edhe institucionet më të larta arsimore. Por në mars të vitit 1992, populli edhe një herë në këtë shekull do t’i hapë zemrat, dhe kullat e gurit që nuk mundi t’i rrëzojë asnjë armik, do të bëhen tempuj diturie, si dikur nëpër mote... Kështu, në rrethanat aktuale të okupimit, edhe popullsia e Deçanit me rrethinë, e cila është në shumicë absolute shqiptare, po bën sakrifica të mëdha për të mbijetuar këtë errësirë që e ka pllakosur tërë Kosovën. Përpos organizimit në sfera të ndryshme vitale të jetës, kujdes i veçantë po i kushtohet edhe organizimit sa më të mirë të procesit edukativo-arsimor. Shkollat punojnë sipas varianteve C, B dhe A (në rastin e lirimit të lokalit). Aktualisht, në komunë punojnë 14 shkolla fillore, si dhe shkolla e mesme me 7 punktet e veta, me drejtimet e gjimnazit dhe shkollës teknike. Rezultatet janë inkurajuese, me gjithë dhunën që ushtrohet përditë ndaj nxënësve e pedagogëve të tyre. Është kjo dhunë shkaku që sot numri i nxënësve në mërgim shënon rritje, derisa këtu në Kosovë, ky numër është në rënie. Është po kjo dhunë shkaku që sot të mos jenë mes nesh Rasim Molliqaj, Haki Povataj, Salih Hadërgjonaj, Mentor Tolaj, Naim Turkaj, Armend Daci, Edmond Hoxha, Luan Haradinaj e dhjetëra të tjerë të rënë anekënd Kosovës. Prandaj, edhe sakrificat e shqiptarëve për shkollën shqipe e për atdheun e lirë janë më se të arsyeshme dhe më se të domosdoshme.
Thirrja e përbashkët e të gjithë atyre mësuesve të parë, e të gjithë atyre nxënësve këmbëzbathur por krenar, e të gjithë atyre luftëtarëve për liri e pavarësi, e të gjithë atyre të rënëve për këtë dhe, është më shumë për arsimin dhe shkollën shqipe, sepse këto janë shtylla të qëndresës kombëtare.

19 qershor 1997, Deçan                                                   Skënder (Bardh) NITAJ


P.S. U shfrytëzuan materiale të botuara dhe të pabotuara!

Numri i parë, i botuar më 3 shtator 1997, gazeta “Bujku” (Rilindja), faqe 6, me titullin kryesor: Shkolla – shtyllë e qëndresës dhe e vetëdijes kombëtare
Numri i dytë, i botuar më 4 shtator 1997, gazeta “Bujku” (Rilindja), faqe 7, me titullin kryesor: Themelohet gjimnazi “Vëllezërit Frashëri”