Sunday, April 20, 2014

Bardh (Ukë) Nitaj (biografi e shkurtër)

Bardh (Ukë) Nitaj

(6 maj 1919 – 8 dhjetor 1995)
                                                                                                  
(Biografi e shkurtër)

Bardh (Ukë) Nitaj (6 maj 1919 – 8 dhjetor 1995)
Bardh Nitaj u lind më 6 maj 1919, në fshatin Dranoc të Vokshit, komuna e Deçanit. Rrjedh nga një familje fshatare, me vlera të larta kombëtare.

Bardhi, shkollën fillore e kreu në Deçan. Vazhdoi mësimet në gjimnazin e Pejës, por për shkak te pjesëmarrjes se tij ne lëvizjen e rinise përparimtare u përjashtua nga ky gjimnaz si nxënës i klasës se II-te. Bardhi mësimet i vazhdoi ne Gjakove ku i kryen 3 klase qytetëse te shkollës se mesme.

Gjate kohës se okupacionit nazifashist Bardhi, ishte pjesëmarrës aktiv ne rezistence. Në mes tjerash, si i ri që ishte, bëri edhe përcjelljen e ilegaleve-delegatëve për në Malësinë e Gjakovës, ku ne Bujan (me 31 dhjetor 1943 e 1 dhe 2 janar 1944), u mbajt Konferenca e parë themeluese e Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit. Angazhohet në Brigadën e 25-të Shqiptare të Malësisë së Gjakovës, si luftëtar i saj.

Ne fillim te vitit 1945, ne Pejë Bardhi vijoi një kurs tremujor sanitar. Pas kryerjes se kursit, Bardhi u caktua te punoje si infermier sanitar ne Deçan, me ç’rast kreu detyra me rëndësi për shëndetin e popullatës, e cila ishte kapluar nga sëmundje të ndryshme si pasoje e luftës dhe skamjes qe mbretëronte. Ne korrik te vitit 1945, Bardhi emërohet referent sanitar ne Këshillin Popullor te Vendit në Deçan. Po në këtë vit, Bardhi bashkë me mësuesin Ramë (Shaban) Alaj themeluan shkollën fillore në fshatin e tyre të lindjes Dranoc, ku edhe punuan gjate vitit shkollor 1945/46.

Në të njëjtën kohë, Bardhi me shokët nga kursi sanitar i vazhdojnë mësimet në gjimnaz dhe kështu gjer në qershor të vitit 1946, kur shokët e arsimit të krahinës në krye me profesor Zekerja Rexhën i nxorën nga gjimnazi dhe i dërguan në kurse pedagogjike që të aftësohen për mësues. Kështu, Bardhi, prej 15 korrikut deri me 30 shtator 1946 ne Prizren kreu Kursin e Ulët Pedagogjik. Me 14 tetor 1946 Dega e Arsimit e Këshillit Popullor Rajonal për Kosove e Metohi, ne Prizren, me vendimin nr. 11.706, emëron Bardh Ukën, mësues ne fshatin Mulliq, te Këshillit Popullor të Vendit në Batushë, Rrethi i Gjakovës. Bardhi, në Mulliq, themeloi shkollën fillore “Jahë Salihu”, ku punon si mësues dhe drejtor, një vit të plotë shkollor. Në ndërkohë, Bardhi vazhdonte mësimet me korrespondencë, në Gjimnazin e Pejës. Prej 1 korrikut deri me 30 shtator 1947, ne Prizren, Bardhi kreu edhe një kurs tjetër, Kursin Tremujor Pedagogjik. 

Prej 26 tetorit 1947 e deri me 2 maj 1949, iu deshtë te shërbej ne Armatën Jugosllave në Mostar. Këtu, Bardhi kreu Kursin nënoficer sanitar 6 mujor, prej 1 prillit deri me 1 tetor 1948. Gjate shërbimit ne ushtri, u gradua ne Rreshter te Klasës së I-rë. Po ashtu, gjatë shërbimit, në vitet 1948 – 1949, Bardhi vijoi dhe përfundoi shkollimin e rregullt ne Shkollën e Mesme te Medicinës ne Sarajevë, me sukses te shkëlqyeshëm, me ç’rast u kualifikua Ndihmës Mjeku. Si nxënës i kësaj shkolle, ishte angazhuar edhe në procesin e mësimdhënies, për lëndën e Matematikës.    

Një takim me Mehmet Gjevorin, në Sarajevë, inspektor krahinor i arsimit, ishte vendimtar që Bardhi, të braktisë rrugën e studimeve aq të dëshiruara në fushën e mjekësisë, e ti kthehet profesionit të shenjtë të mësuesit të popullit nga i cili nuk u nda më asnjëherë.

Me vendimin nr. 41.218 te organeve kompetente te arsimit, Bardhi u emërua me detyre ne fshatin Ponashec te Rrethit te Gjakovës, ku punon prej 6 majit deri me 1 shtator 1949, ne shkollën fillore “Ganimete Tërbeshi”, si mësues dhe drejtor shkolle. Në ndërkohë, prej 1 korrikut deri me 30 shtator 1949, Bardhi kreu Kursin e Naltë Pedagogjik në Pejë, me ç’rast dha provimin e pjekunisë për mësuesi. Gjatë tërë kësaj periudhe kohore, por edhe më vonë, Bardhi ushtroi edhe një varg funksionesh të rëndësishme në Rrethin e Gjakovës.

Prej 1 shtatorit 1949 e deri me 1 shtator 1950, Bardhi kthehet serish ne Dranoc, ne shkollën fillore “Sylë Alaj”, si mësues dhe drejtor. Prej 1 shtatorit 1950 e deri me 1 shtator 1953, me vendimin nr. 18.796, të organeve arsimore të Rrethit të Gjakovës, angazhohet të themelon Gjimnazin e Ultë (progjimnaz, shkallë e ultë e shkollës së mesme, shkollë katër vjeçare)(me vone shkolla fillore “Drita”) në Gramaçel, kurse prej 1 shtatorit 1953 e deri me 1 tetor 1955, transferohet në Gjimnazin e Ulët (më vonë shkolla fillore “Kultura”) në Irzniq. Në të dy këto shkolla pos si drejtor, punoi edhe si mësues. 

Në vitin e rasformimeve të rretheve dhe krijimit të sistemit komunal, Bardhi emërohet Referent për Arsim e Kulturë në Këshillin Popullor të Komunës së Deçanit, ku punon prej 1 tetorit 1955 e deri me 31 gusht 1956. Kontributet e tij, ne këtë periudhe ishin te panumërta, derisa ra ne konflikt te hapur me kryetarin (serb) te komunës, kur Bardhi kundërshtoi zbatimin e vendimit për suprimimin e klasave te larta te shkollës tetëvjeçare – mësimi ne gjuhen shqipe, me ç’rast edhe arriti te pengoje zbatimin e këtij Vendimi, i marrë nga Pleqësia e Arsimit te Komunës se Deçanit. Si refleksion i kësaj, Bardhi pati mjaft vështirësi ne studimet me korrespondence qe ne te njëjtën kohe i ndiqte ne Shkollën e Larte Pedagogjike ne Nish, ne degën histori-gjeografi, ne te cilën shkolle u diplomua ne shtator 1957, ku u kualifikua arsimtar i tetëvjeçareve dhe gjimnazeve te ulta.

Prej 1 shtatorit 1956 e deri me 30 shtator 1972, Bardhi punoi ne shkollën fillore “Bratstvo” ne Deçan, si arsimtarë i historisë dhe gjeografisë, ndihmësdrejtor dhe ne fund edhe drejtor i shkollës. Paralelisht me punën, Bardhi vazhdonte studimet me korrespondence, ne Fakultetin Filozofik ne Shkup, grupi Histori, ne te cilin u diplomua ne shtator te vitit 1972, e kualifikua Profesor i Historisë. Po ashtu, Bardhin e shohim ne seminare dhe simpoziume shkencore nga fusha e historisë, me ç’rast dallohet me temat nga Historia e përgjithshme e kohës me te re. Janë te njohura punimet e tija shkencore: “Mehmet Ali-Pasha Misirliu dhe Egjipti ne gjysmën e pare te shekullit XIX”; “Kemajl Ataturku, themeluesi i shtetit modern turk”, etj.     

Që nga viti shkollor 1958/59, me angazhimin e tij, në Deçan, u hapen paralelet e ndara, të shkollave të mesme ekonomike dhe bujqësore, të gjimnazit dhe të shkollës normale të Pejës, vetëm për klasat e I-ra dhe të II-ta, përderisa për klasat e III-ta dhe të IV-ta, duhej vazhduar ne Pejë apo Gjakovë. Mësimet për këto paralele të ndara, mbaheshin në lokalet e shkollës fillore. Bardhi, njëkohësisht angazhohet në mësimdhënie në këto paralele.

Paralelisht me punën në arsim, Bardhi ushtroi edhe një varg funksionesh të rëndësishme në Komunën e Deçanit e më gjerë. Ishte deri në pensionim, delegat në Kuvendin Komunal të Deçanit, anëtar dhe disa herë udhëheqës i organizatave të ndryshme shoqërore-politike, në nivel komunal dhe të Kosovës, si në organizatat e luftëtarëve, kryqit të kuq, ato shëndetësore etj. Ishte sekretar i parë i Fondit komunal për arsim e kulturë, si dhe sekretar i parë i Bashkësisë komunale të Arsimit. Gjatë kësaj kohe u arrit, të ndërtohen objekte të reja shkollore në Deçan dhe në fshatrat tjera të komunës. Gjatë viteve 1969-1974, ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, në dhomën arsimore-kulturore. Është kjo periudha e aprovimit të amendamenteve kushtetuese si dhe e Kushtetutës së vitit 1974, si dhe po ashtu e themelimit të shkollave të larta e fakulteteve dhe e Universitetit të Prishtinës, me ç’rast kontributi i Bardhit ishte i konsiderueshëm.

Me iniciativën e Bardhit, si delegat në Kuvendin Komunal, në vitin 1967, u themelua Gjimnazi i plotë në Deçan. Bardhi ishte emëruar edhe kryetar i Komisionit amë për themelimin e gjimnazit. Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri”, filloi nga puna në vitin shkollor 1967/68, në objektet e shkollës fillore, me gjithsej 167 nxënës (12 vajza). Bardhi angazhohet si mësimdhënës, paralel me punën në shkollën fillore. Angazhimi i Bardhit ishte vendimtar, që në vitin shkollor 1972/73, gjimnazi të nis punën në objektin e ri.

Prej 1 tetorit 1972, Bardhi kalon përfundimisht në gjimnaz, ku punon deri më 31 tetor 1981, fillimisht si mësimdhënës i historisë, pastaj zëvendësdrejtor, ndihmësdrejtor dhe në fund edhe drejtor prej 20 nëntorit 1978. Kontributi i bacës Bardh, në rritën dhe zhvillimin e kësaj qendre arsimore, ishte i jashtëzakonshëm. Gjimnazi i Deçanit, me vite ishte shpallur ndër më të suksesshmit në Kosovë e jashtë saj. Kështu, në vitin shkollor 1980/81, gjimnazi numëronte mbi 2300 nxënës (700 vajza).

Demonstratat e vitit 1981dhe ngjarjet që i pasuan këto, ishin një fillim i errët edhe për arsimin shqip në Kosovë. Pushtet mbajtësit komunistë, pos largimit dhe burgosjes së shumë nxënësve dhe profesorëve, suspenduan dhe e larguan nga puna edhe Bardhin, drejtorin e Gjimnazit. Mirëpo, për fat, dashamirët e arsimit, e rikthejnë sërish Bardhin në punë, por tashmë në cilësinë e Këshilltarit për Arsim dhe Edukim, pranë Kuvendit Komunal. Në këtë detyrë qëndroi prej 1 nëntorit 1981 deri më 13 korrik 1984. Në periudhën prej 1 dhjetorit 1982 deri më 31 korrik 1983, ishte ushtrues detyre i Sekretarit të BVI-së komunale për arsim dhe edukim fillor, kurse prej 13 korrikut 1984 e deri më 31 korrik 1986, Inspektor i Arsimit. Edhe në këto pozita, roli i bardhit për zhvillimin e arsimit shqip në komunë ishte e pamohueshme, sidomos në zgjerimin e rrjetit të shkollave. Bardhin e shohim edhe në aktivitetet e Takimeve të Veteranëve të Kosovës. 

Nga 1 tetori 1984 deri më 26 prill 1989, Bardhi ushtroi detyrën e Kryetarit të Organizatës së Luftëtarëve të Komunës së Deçanit. Në këtë cilësi, Bardhi ishte edhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit Komunal dhe anëtar i Kryesisë së Komitetit Komunal të Deçanit. Këto detyra, i kryen edhe pas pensionimit prej 1 janarit 1987, kur ishte në prag të 68 vjetorit të lindjes. Shembja e autonomisë së Kosovës si dhe demonstratat e përgjakshme edhe në Deçan, do të jenë arsye e mjaftueshme që Kryesia e Komitetit Komunal të LK të Deçanit (në krye me Sali Çekun, kryetar, e ku Bardhi ishte anëtar), ndër të parët denoncojnë dhunën dhe krimet serbe ndaj shqiptarëve dhe ndër të parët lëshojnë radhët e Lidhjes së Komunistëve. Bardhi, merr pjesë në protestën e madhe të muajit prill 1989, në qendër të Deçanit. Më 26 prill 1989, Bardhi paraqet dorëheqje të parevokueshme nga Kryesia dhe nga posti i Kryetarit të Organizatës së Luftëtarëve të Deçanit, duke përfunduar një veprimtari të shquar afro 50 vjeçare si mësues, edukator, pedagog, profesor, historian, luftëtar në luftë dhe pas saj, deputet i Kuvendit të Kosovës, këshilltar dhe humanist.   

Për të gjitha këto kontribute, u shpërblye me shumë mirënjohje e dekorata, kurse në vitin 1984, është laureat i shpërblimit “Dita e Rinisë” dhënë nga BVI-ja për Arsim dhe Edukim e Kosovës, për arritje në lëmin e arsimit dhe të edukimit.

Bardh Nitaj, pas një sëmundje të gjatë, ndërroi jetë, në banesën e tij, në Deçan, më 08 dhjetor 1995. U varros të nesërmen, në fshatin e tij të lindjes, në Dranoc, me nderimet e mijëra qytetarëve, që kishin ardhur t’i bëjnë nderimet e fundit – mësuesit të tyre të dashur.