Wednesday, December 9, 2020

A do ta 'gjunjëzonte' Evropa, Serbinë?

Ekzistojnë arsye të forta për tu krijuar bindja e plotë se Evropa asnjëherë nuk do ta gjunjëzojë Serbinë (aq më pak për shkak të Kosovës) siç e gjunjëzuan dikur Gjermaninë e Hitlerit. Pasi që siç mësojmë nga historia e shekullit të kaluar, pjesë të Ballkanit janë përdorur si monedhë kusuritjeje për Evropën në njërën anë dhe për Rusinë në anën tjetër. Të tilla u nevojiten edhe sot, fatkeqësisht!

Gjermania dhe Serbia emërues të përbashkët kanë shkaktimin e krimit gjenocidal, por dallojnë mes tyre në përmasat e ndikimit global të këtij krimi! E para u kishte sjellë shumë dëm edhe vet Fuqive të Mëdha, përderisa e dyta arsenalin ushtarak shkatërrues e kishte zbrazur vetëm në këto 'pjesë kusuritjeje' të Ballkanit, e cila gjë nuk kishte rrezikuar pothuajse asnjë gjeo-strategji euro-atlantike.

Intervenimi i NATO-s, edhe në Bosnjë edhe në Kosovë, pothuajse kryekëput ishte i karakterit human dhe i sjelljes se një paqeje qoftë edhe të brishtë, e assesi nuk kishte për synim gjunjëzimin e Serbisë. Kush u mor me Hitlerin e aleatët e tij, deri në momentin kur ai nuk i mësyu vet Fuqitë e Mëdha! Bile, kishte edhe miratime e marrëveshje me të, për copëtime e aneksime shtetesh, si Polonia, Austria etj.

Në kohën kur Serbia po vazhdon të armatoset fuqishëm, para heshtjes së plotë evropiane, Kosova, por edhe Bosnja, me politikat e tyre duhet punuar në atë drejtim të nxitjes që në këto territore të qëndrojë gjatë, e vetmja ushtri garantuese e paqes, ajo e ShBA-së.

© Skënder Nitaj, 08 dhjetor 2020


Thursday, December 3, 2020

2020

E nisim çdo ditë të re me shumë ngushëllime,

Edhe sot si dje, jeta në betejë me vdekjen,

Më shumë lot pikëllimi se sa kupa gëzimi po derdhen,

Në secilën ditë të këtij viti të mbrapshtë!...


© Skënder Nitaj, 12 gusht 2020