Tuesday, November 17, 2020

Gjendja aktuale e sistemit shkollor përballë pandemisë

Në periudhën e të ashtuquajturës "valë të dytë" të pandemisë, aktiviteti jetësor kudo në botë sa po vjen e po bëhet më i rëndë dhe siguria për shëndet e jetë më e brishtë. Nga ky këndvështrim, as sistemi shkollor nuk mbetet pa u prekur. Mu për këtë, kudo nëpër botë janë zhvilluar e avancuar platforma të mësimit nga distanca, si përpjekje për të zbutur sado pak pasojat edhe ashtu vështirë të rikuperueshme nga pamundësia e zhvillimit normal të procesit mësimor nëpër shkolla. Përdorimi i tyre, është e keqja më e vogël e mundshme, përballë rrezikut që mund të sjellë vijimi fizik i mësimit. Në Kosovë, varësisht nga gjendja infektive nëpër shkolla, disa sosh për një periudhë dy javore, me rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, po mbyllen për të kaluar në variantin C - të mësimit ‘online’.

Gjatë kësaj periudhe ‘mbylljeje’, nxënësve iu ofrohen 2 orare mësimi. Njëri paradite, me mësim ‘online’ në lidhje të drejtpërdrejta me mësimdhënësit e tyre në platforma elektronike. Ndërsa, pasdite, nxënësve u duhet përcjellë mësimet e xhiruara që shfaqen në kanalin televiziv RTK4. Mësimdhënësit, zakonisht i obligojnë nxënësit që t’i përcjellin mësimet nga televizori, nga ku edhe do t’i marrin detyrat e shtëpisë. Është evidente, se ekzekutimi i plan programeve mësimore nuk është në sinkron as mjaftueshëm kënaqshëm, në mes të atij që realizohet gjatë vijimit të mësimit nëpër shkolla me atë që ndiqet në televizor. Në këso raste, nxënësit, jo rrallë, mbesin të hutuar, kur një mësim detyrohen ta trajtojnë dy herë, apo një mësim tjetër duhet t’ia arrijnë ‘ta kuptojnë’ edhe pa i mësuar 2-3 mësime paraprake.

Kur i shtohen këtyre edhe problemet reale teknike që shfaqen, atëherë mësimi i tillë, me realizime të pa sinkronizuara të plan programit bëhet akoma më i vështirë. Platforma e ofruar nga Komuna e Prishtinës, e-Shkollori, nuk arrin të përballoj kyçjen në të, të një numri të madh nxënësish e arsimtarësh në të njëjtën kohë, ashtu që shpesh orët e parapara iu shkojnë humbës ose gjysma-gjysmë. Disa herë, zgjidhja gjendet duke kaluar në platforma të tjera, që lehtësisht i përballojnë kyçjet në masë të vijuesve, si Zoom apo Google Meet. Se kujt i ka shërbyer më së miri e-Shkollori mbetet të shihet, por, se funksionimi i tij lë shumë për të dëshiruar, kjo veç po shihet. Disa nga mësimdhënësit e pranojnë së janë të shtrënguar ta përdorin këtë platformë, ani pse janë të vetëdijshëm se nuk i plotëson kriteret që aktualisht po i imponon situata. Në anën tjetër, transmetimi i mësimeve në RTK4 ka të metat e veta, duke filluar nga fakti që kanali televiziv RTK4 ka një transmetim jo cilësor (jo-HD) në rrjetet kabllore, ndërsa nuk transmetohet fare në rrjetin tokësor. Ndërsa, postimi i këtyre video-mësimeve ne kanalin Youtube nuk po ndodh menjëherë (ose nuk po ndodh fare), kështu që nxënësi nëse e ka humbur video-mësimin për çfarëdo arsye, atë nuk mund ta shikoj askund tjetër. Pse ndodh kjo kështu? Përgjigja e vetme mund të jetë, neglizhenca e atyre që janë duke e organizuar e-Mësimin (Ministria e Arsimit dhe Shkencës - MASH), por edhe e të tjerëve, si mësimdhënësit, udhëheqësit e shkollave, shoqatat e prindërve  etj., që nuk kërkojnë të mos ndodh kështu! Nuk do të ishte e tepërt, që të gjitha video-mësimet t'ju siguroheshin nxënësve nga mësimdhënësit e tyre, edhe në formate të tjera të përshtatshme për ta, si video (mp4) apo tekst (pdf).

Bazuar në gjendjen e rënduar tej mase, me raste në shtim të infektimeve me Covid-19, si dhe në rrezikun që mbart në vete vazhdimi i mbajtjes së mësimit nëpër shkolla, do të duhej me urgjencë, të shikohet mundësia e kalimit të plotë në variantin C - të mësimit ‘online’, por duke i marrë parasysh edhe të metat që i ka kjo mënyrë e të mësuarit, në mes tjerash edhe ato që u lartë ceken, e duke bërë përpjekje që një cilësi në organizim të mësimit ‘online’ të ndodh, duke ndërhyrë në të gjitha hallkat e zinxhirit që mund ta përbejnë një mësim nga distanca. Një ‘mbyllje’ në prag-dimër bëhet edhe më e domosdoshme, marrë parasysh afrimin e një periudhë edhe ashtu ‘të pasur’ me viruse sezonale, që veç sa do t’i jepnin sinergji virusit pandemik.

© Skënder Nitaj, 17 nëntor 2020