Saturday, May 14, 2022

Loja e shahut e përkthyer në zhvillime reale

Shahu, një lojë tavoline, e shfaqur në Evropë kah fundi i shekullit të 15-të, ka evoluuar nga çaturanga, një lojë e ngjashme shumë më e vjetër, me origjinë indiane. 

Shahu është një lojë strategjie, ky dy lojtarët kundërshtarë, nisin ballafaqimin krejtësisht të barabartë, përpos dallimit në ngjyra të figurave si dhe faktit që figurat e bardha 'sulmojnë' të parat. Lojtarët kanë nën kontroll nga: një mbret, një mbretëreshë, dy topa, dy oficerë, dy kalorës dhe tetë ushtarë. Synimi i lojës është që të vihet mbreti i kundërshtarit në pozicionin mat, pas së cilit mbreti nuk ka asnjë mënyrë për të shpëtuar. Loja gjithashtu mund të përfundojë edhe baras. 

Aspekte të artit dhe kulturës gjenden në lojën e shahut, e cila po ashtu ndërlidhet edhe me fusha të tjera si matematika, shkencat kompjuterike dhe psikologjia. 

E përkthyer në zhvillime reale të aktiviteteve njerëzore, loja e shahut, na mëson se në çfarëdo lloj ballafaqimi, lufte apo paqeje, gjithnjë ka një rregullshmëri rolesh e veprimesh, a numrash që duhen marrë në konsideratë. 

Lideri apo prijësi, sikurse 'mbreti' në shah, në fakt është figurë pa të cilin loja edhe nuk mund të zhvillohet, e kapitullimi i të cilit nënkupton mbarimin e saj. Pra, një lider, i nevojitet cilitdo zhvillim. Lideri, do të ndjehet shumë i motivuar dhe i sigurt në udhëheqjen e tij, kur krahas i qëndron 'mbretëresha' e tij, e cila edhe do tē flijohet për të, nëse do të jetë e nevojshme. 

Asnjë qëllim, nuk mund të arrihet, nëse nuk ke armët apo mjetet e duhura, siç është për shembull 'topi' në shah. 'Oficerët' janë elita e njerëzve, që paraqesin shtylla të çdo lloj organizimi e të cilët mendjet e tyre i vejnë në shërbim të qëllimit. 'Kalorësit', duke qenë se paraqesin dinamikën, forcën, ballafaqimin, besnikërinë, japin kontributin e tyre plotësues. 

Pararojë e gjithë akterëve të mësipërm, janë 'ushtarët'. Ata vihen gjithnjë të parët në çdo përpjekje. Ashtu siç nuk mund të mendohet një betejë pa ushtarë, njëlloj nuk mund të mendohet një vend pa njerëz, një institucion pa shërbyes, një shkollë pa nxënës, një skuadër pa lojtarë, një ndërmarrje pa punëtorë, një protestë pa protestues, ... Barra më e madhe bie mbi supet e kësaj kategorie, duke qenë gjithmonë në ballë të çdo përpjekje. Në mesin e kësaj kategorie nuk qëndron vetëm kuantiteti. Në shumë ballafaqime, gjatë gjithë historisë njerëzore, nga masa e gjerë, ka rezultuar edhe kualiteti. Sikurse në lojën e shahut, kur 'ushtari' i thjeshtë, që mbërrin në krye të anës së kundërt të tabelës edhe mund të shndërrohet në një 'top' apo 'mbretëreshë', edhe në zhvillimet reale një 'ushtar' i sodit mund të jetë një 'mbret' i nesërm. Edhe në jetën reale, sikurse në shah, 'rokadat' janë të mundshme!... 

© Skënder Nitaj, 14 maj 2022