Wednesday, February 1, 2023

Amendamentet Kushtetuese të vitit 1989 dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe

Ka një ngjashmëri rrëqethëse në mes presionit që ushtrohej gjithandej në delegatët e Kuvendit të Kosovës rreth aprovimit të Amendamenteve për ndryshimet kushtetuese, në vitin 1989 dhe presionit që po ushtrohet tash e sa kohë ndaj Qeverisë së Kosovës rreth formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. 

Në të dy herët, kjo po bëhet për kinse ngritjen në nivel të barabartë të të drejtave për pakicën serbe në Kosovë. Në vitet e '80-ta, është e tepërt të thuhet se ishin të drejtat e shqiptarëve që ishin shkelur që nga niveli federativ e më poshtë, ndërsa, për vitet e pasluftës, serbët edhe mund të ankohen për diskriminimin pozitiv që u bëhet, shembull ky i padëgjuar as për vendet më demokratike të botës. 

Dihet se çfarë ndodhi pas Aprovimit të Amendamenteve Kushtetuese në vitin 1989! A ka një parashikim se çfarë rrethanash do të krijohen në rast të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe? 

© Skënder Nitaj, 01 shkurt 2023

Sunday, January 15, 2023

E tashmja që na mëson historinë dhe anasjelltas

Për të vlerësuar të kaluarën, ndonjëherë na duhet edhe një analizë e së tashmes. Për të shpjeguar rrethanat që kanë mbizotëruar në Evropë, për shembull, në periudhën pas Betejës së Kosovës, apo në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, do të na ndihmonte njohja e rrethanave aktuale në luftën e Ukrainës.

Në rastin e parë, kur Perandoria Osmane përparonte me pushtimet e saja në drejtim të  Evropës, kjo e fundit përpiqej ta mbante sa më larg vetvetes rrezikun e pushtimit, qoftë edhe duke e mbështetur (jo mjaftueshëm) rezistencën e pashembullt të kryetrimit shqiptar, Skënderbeut, i cili për afro 3 dekada zmbrapsi përpjekjet osmane ta pushtonin Shqipërinë, e kështu në të njëjtën kohë pamundësoi mësymjen e Perandorisë drejt Evropës nëpërmjet Adriatikut! 

Në rastin e dytë, Evropa pothuajse ndejti duarkryq (apo rezistoi dobët) kur Gjermania Naziste e ndihmuar edhe nga Bashkimi Sovjetik, e ndau në dysh Poloninë, e në të njëjtën kohë, aneksoi edhe vendet përreth ku jetonin gjermanët. Evropa, shpresonte, se Gjermania do të ndërpriste zgjerimin e saj. Por, u desh mbështetja finale e ShBA-ve, për të ndaluar dhe kthyer mbrapsht këtë zgjerim! 

Në rastin e tretë, Evropa duke e konsideruar për partner të denjë, arriti ta forconte në dëm të vetes, Rusinë diktatoriale, e cila me rastin e nisjes së luftës për pushtimin e Ukrainës, tregoi se ajo nuk kishte qenë partnerja e sinqertë e perëndimit dhe se apetitet e saja mund të mos ndalojnë vetëm në Ukrainë. Zelenski ndoshta do të mbështetet më shumë se sa dikur kryetrimi shqiptar, por kjo ndihmë mund të jetë e qëllimit të njëjtë, si ajo e para 5 shekujsh, që të mbahet sa më larg rreziku për ndonjë pushtim apo sulm ndaj Evropës. 

A po na mëson e tashmja se si kanë mundur të zhvilloheshin rrethanat edhe në të kaluarën? Sigurisht, edhe e kaluara, mund të na jap ndonjë orientim se si do të marrin epilog ngjarjet e tashme! A është Zelenski i tashëm, Skënderbeu i kaluar? Apo, është Evropa, ajo që krijon të tilla rrethana, që të lindin figura të tilla, të cilat duke u vënë në ballë të mbrojtjes për popujt e vet, e mbrojnë edhe Evropën në të njëjtën kohë! 

Shqiptarët nuk u shpërblyen pothuajse asnjëherë nga Evropa për faktin që dikur ishin pararojë e saj! Po Ukrainasit? 

© Skënder Nitaj, 14 janar 2023

Sunday, January 8, 2023

'Déjà vu'-ja kosovare

Fenomeni i ashtuquajtur Déjà vu, tashmë që një kohë po ndodh në Kosovë. Sikur po përsëriten ngjarje e rrethana nga vitet e '80-ta. 

•Një Gjykatë Kushtetuese që i fal tokë Manastirit të Deçanit; 
•Një Qeveri që hedh firmë për një Asociacion të Komunave një etnike; 
•Një Kuvend i Kosovës, që themelon Gjykatë Speciale kundër etnisë më të madhe; 
•Një Gjykatë Speciale që trajton e dënon vetëm shqiptarë; 
•Një Serbi që nuk ndalon të nxis popullatën serbe në Kosovë, e gatshme edhe për inskenime prej më të pabesueshmeve, e kështu të shkaktoj arsye për konflikt e mësymje me forcat e veta, këtu. 

Ka edhe shumë rrethana e ngjarje të këtyre viteve të fundit, që shpeshherë të përngjajnë me zhvillime nga vitet e largëta të '80-tave. Pas Demonstratave të vitit 1981, atëbotë, situatën në dorë për stabilizimin e gjendjes në Kosovë e pati marr Federata e Jugosllavisë, e cila edhe kishte larguar nga udhëheqja kosovare 'grupin e gjakovarëve' duke i zëvendësuar ata, kryesisht me udhëheqës luajal e besnik ndaj Federatës. E tërë kjo, deri në ardhjen në pushtet të Millosheviqit, të cilit më nuk i nevojiteshin as shqiptarët luajal, për të arritur spastrimin etnik të synuar e zbatuar në Kosovë! Udhëheqja federative, le që nuk kishte arritur të stabilizojë Kosovën apo edhe të ndaloj ardhjen në skenë të 'kasapit të Ballkanit', por nuk kishte arritur ta shpëtoj as vet Federatën, të cilën e përfaqësonte. 

Dhe, kur analizohet situata aktuale në Kosovë dhe rrethanat ndërkombëtare të ndërlidhura me të, është për tu habitur, se si ka ngjashmëri paradoksale. Në krye të shtetit serb, është bashkëpunëtori i Millosheviqit, ish-ministri i propagandës në qeverinë e tij, e i cili në të njëjtën kohë është i vetmi lider ballkanik e evropian, i pozicionuar pro Rusisë, në raport me luftën në Ukrainë. Ndërsa, në të njëjtën kohë, nga perëndimi, po vlerësohet si bashkëpunues në lidhje me dialogun Serbi - Kosovë. Në të gjitha inskenimet e Serbisë, të këtyre viteve të fundit, për një krizë gati konfliktuoze, sidomos në kufirin verior, perëndimi, jo rrallë ka dërguar mesazhe deri qortuese për udhëheqësit kosovar. 

Tash e sa kohë, tre nga ish-krerët kosovar, po përballën me drejtësinë ndërkombëtare në Gjykatën Speciale, përderisa kryetari serb, pavarësisht trashëgimisë së tij prej bashkëpunëtori të Millosheviqit dhe pozicionimit aktual pro-rus, është i lirë dhe ndjehet komod në përgatitjet e planeve të tij kundër Kosovës! 

Në fillim të luftës në Ukrainë, pas reagimit të bllokut euro-atlantik, u fitua përshtypja që shtetet që do të pozicionoheshin pro Ukrainës, do të trajtoheshin me kujdes e dashamirësi nga blloku. Edhe Kosova, pa hezitim, u vu në mbështetje të popullit të Ukrainës, pasi që edhe vet ajo, kishte kaluar nëpër të njëjtën katrahurë nga Serbia. Dhe, natyrisht, Kosova edhe mund të priste, një mbështetje akoma më të madhe, sidomos në rrafshin e sigurisë, aq më parë, kur Serbia, tashmë kishte kohë që armatosej fuqishëm dhe rriste bashkëpunimin me Rusinë. 

Është brengosës vetëm fakti i letërkëmbimit në mes kryetarit serb dhe KFOR-it, në lidhje me një miratim të mundshëm të përfshirjes së një numri forcash serbe brenda territorit të Kosovës, e lërë më mendimi se një gjë e tillë edhe mund të ndodhë! Edhe heshtja aktuale e përgjigjes së KFOR--it, vet-flet! 

Dikur, në vitet e '80-ta, federata jugosllave pati marrë në dorë situatën në Kosovë, por për shkak të qasjes së padrejtë, lërë që kishte dështuar, por kishte lënë hapësirën për ardhjen në pushtet, të atij që do të shkaktonte gjakderdhjen më të madhe në këto anë, pas Luftës së Dytë Botërore. Që fenomeni Déjà vu të mos vlejë plotësisht, e kështu të prishet besëtytnia rreth këtij fenomeni, duhet uruar që shtetet euro-atlantike, të cilat pos që ndihmuan në çlirimin përfundimtar të Kosovës, por edhe u bënë dorëzan të shpalljes së Republikës, të mos hezitojnë të përmbyllin deri në fund misionin e nisur, duke e shuar pa mëdyshje ëndrrën serbe për Kosovën. 

© Skënder Nitaj, 7 janar 2023