Sunday, January 15, 2023

E tashmja që na mëson historinë dhe anasjelltas

Për të vlerësuar të kaluarën, ndonjëherë na duhet edhe një analizë e së tashmes. Për të shpjeguar rrethanat që kanë mbizotëruar në Evropë, për shembull, në periudhën pas Betejës së Kosovës, apo në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, do të na ndihmonte njohja e rrethanave aktuale në luftën e Ukrainës.

Në rastin e parë, kur Perandoria Osmane përparonte me pushtimet e saja në drejtim të  Evropës, kjo e fundit përpiqej ta mbante sa më larg vetvetes rrezikun e pushtimit, qoftë edhe duke e mbështetur (jo mjaftueshëm) rezistencën e pashembullt të kryetrimit shqiptar, Skënderbeut, i cili për afro 3 dekada zmbrapsi përpjekjet osmane ta pushtonin Shqipërinë, e kështu në të njëjtën kohë pamundësoi mësymjen e Perandorisë drejt Evropës nëpërmjet Adriatikut! 

Në rastin e dytë, Evropa pothuajse ndejti duarkryq (apo rezistoi dobët) kur Gjermania Naziste e ndihmuar edhe nga Bashkimi Sovjetik, e ndau në dysh Poloninë, e në të njëjtën kohë, aneksoi edhe vendet përreth ku jetonin gjermanët. Evropa, shpresonte, se Gjermania do të ndërpriste zgjerimin e saj. Por, u desh mbështetja finale e ShBA-ve, për të ndaluar dhe kthyer mbrapsht këtë zgjerim! 

Në rastin e tretë, Evropa duke e konsideruar për partner të denjë, arriti ta forconte në dëm të vetes, Rusinë diktatoriale, e cila me rastin e nisjes së luftës për pushtimin e Ukrainës, tregoi se ajo nuk kishte qenë partnerja e sinqertë e perëndimit dhe se apetitet e saja mund të mos ndalojnë vetëm në Ukrainë. Zelenski ndoshta do të mbështetet më shumë se sa dikur kryetrimi shqiptar, por kjo ndihmë mund të jetë e qëllimit të njëjtë, si ajo e para 5 shekujsh, që të mbahet sa më larg rreziku për ndonjë pushtim apo sulm ndaj Evropës. 

A po na mëson e tashmja se si kanë mundur të zhvilloheshin rrethanat edhe në të kaluarën? Sigurisht, edhe e kaluara, mund të na jap ndonjë orientim se si do të marrin epilog ngjarjet e tashme! A është Zelenski i tashëm, Skënderbeu i kaluar? Apo, është Evropa, ajo që krijon të tilla rrethana, që të lindin figura të tilla, të cilat duke u vënë në ballë të mbrojtjes për popujt e vet, e mbrojnë edhe Evropën në të njëjtën kohë! 

Shqiptarët nuk u shpërblyen pothuajse asnjëherë nga Evropa për faktin që dikur ishin pararojë e saj! Po Ukrainasit? 

© Skënder Nitaj, 14 janar 2023

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.