Saturday, September 12, 2020

Digjitalizimi i teksteve shkollore, domosdoshmëri

Ministria e Arsimit dhe Shkencës - MASH, në kuadër të parapërgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, si alternativë, do të duhej urgjent të bënte digjitalizimin e krejt fondit të teksteve shkollore që janë në dispozicion, (në formatin ‘pdf’ dhe 'free download'), (në bashkëpunim edhe me shtëpitë botuese) dhe kështu do të krijonte kushte shumë më cilësore për nxënësit (sidomos të klasave më të larta), të cilët me sa po shihet, edhe sivjet do të jenë të shtrënguar të vijojnë mësimet 'online'. Shtetet e rajonit por edhe më gjerë, e kanë bërë këtë digjitalizim shumë kohë më parë, gjithnjë në shërbim të nxënësit. Digjitalizimi i teksteve shkollore është edhe në funksion të masave mbrojtëse anti-COVID-19, duke evituar përdorimin e materialeve (librave) që mund të kalojnë nga dora në dorë.

Në këtë logjikë, do t'i ftoja edhe të gjithë mësimdhënësit që t'i inkurajojnë nxënësit që edhe detyrat shkollore (në rastet kur është e mundur) t'i kryenin në forma elektronike (si në word, excel, power point apo formate tjera) dhe kështu do të evitohej përdorimi i materialeve të tjera (fletoreve, blloqeve etj.) e të cilat për arsye të njëjta, mund të jenë të kontaminuara.

Shekulli 21 edhe ashtu është shekulli i digjitalizimit dhe i teknologjisë informative, prandaj kjo veçse do të ndihmonte nxënësit në përvetësimin e shkathtësive të reja nga fusha e teknologjive të reja të komunikimit.

© Skënder Nitaj, 27 gusht 2020