Sunday, February 13, 2022

Lufta që nuk e dëshirojmë

Historia jo rrallëherë na mëson dhe na mundëson të bëjmë parashikimet e nevojshme për të tashmen dhe të ardhmen. Deri më tani, Lufta e Dytë Botërore, mbetet ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit (përderisa nuk do të ndodh ndonjë ngjarje akoma më e madhe). Asaj i kanë paraprirë shumë zhvillime, si mbarimi i Luftës së Parë Botërore dhe pasojat që kishte lënë ajo, kriza e thelluar ekonomike gjithandej deri në depresion masiv, pandemia globale disa vjeqare nga një virus i gripit, ngritja e doktrinave të reja në zhvillimet politike si nacionalizmat kombëtare dhe internacionalizmat e veshura me petkun komunist, deri tek ngritja si nga hiri i Gjermanisë naziste. Polonia, ishte objektivi i parë i synuar, okupimi i së cilës do të shënoj edhe fillimin e Luftës së Dytë. Ky vend, u bë pre e një 'pazari' në mes prijësit sovjetik dhe atij gjerman, me ç‘rast ajo u nda përgjysmë mes ushtrive të të dy vendeve. Pra, Polonia u pushtua nga një fuqi me ideologji komuniste (bolshevike) dhe nga një fuqi tjetër me ideologji naziste. 

Të gjithë i dimë humbjet marramendëse në njerëz, nga kjo luftë. Për t'u ndalur, u nevojit të përdoreshin edhe armët bërthamore. Ironia më e madhe doli të jetë, se në radhët e fituesve të kësaj lufte, zuri vend parësor Bashkimi Sovjetik, ani pse ajo e kishte filluar këtë luftë me okupimin përgjysmë të Polonisë... Edhe kaq mizore sa ishte, nga historianët dhe vlerësuesit politik, Lufta e Dytë Botërore, është cilësuar dhe vlerësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme, në radhë të parë, për shkakun që në botë u vendos një rend i ri botëror, duke u rritur edhe numri i popujve të lirë dhe i shteteve të pavarura. Kjo ngjan, si ajo thënia: 'pas çdo shiu, del dielli'. 

Tani, bota ndodhet pothuajse në një rend krejtësisht të ri botëror. Globalizmi, duket të jetë ideologjia mbarë botërore. Por?!... 

A ka zhvillime të ngjashme me ato të para disa dekadave? Një pandemi globale është sërish duke e shkundur njerëzimin, një rritje e nacionalizmave gjithandej, por edhe një thellim i zhvillimeve diskrepante mes shoqërive dhe shteteve. Por, edhe një lider rus, i cili duket të jetë simbiozë e dy liderëve nismëtar të Luftës së Dytë, jo vetëm për nga mënyra e udhëheqjes por edhe e ardhjes në pushtet me fuqi absolute. Të nisura me apo pa dashje, në krizat e tilla, si luftëra apo sëmundje pandemike, njerëzit dhe humbjet e jetëve paraqesin vetëm shifra dhe vetëm synimi i objektivave të 'të mëdhenjve' ka rëndësi, për fat të keq! 

A mund të jetë Ukraina, një paralele ngjashmërie me Poloninë e dikurshme nga Lufta e Dytë, apo thjesht kjo 'aventurë ruse' do të mund të kornizohet ngjashëm me pushtimin e Çekosllovakisë nga koha e Luftës së Ftohtë? Apo, do të luhet loja e 'ruletit rus' si në Krizën e Kubës, ku sa për fije peri nuk pati zbrazje të kokave bërthamore? Edhe po të përfundoj me 'happy end' e tërë kjo, i bie që gjithë kjo lëvizje dhe pozicionim i ushtrive më të fuqishme e antagoniste, të jetë 'manovra' më e madhe deri më tani, e parë ndonjëherë! Lideri aktual rus, padyshim që është trashëgimtarë dhe pasues i denjë i ish-diktatorit sovjetik. A do të prodhojë koha në vazhdim, trashëgimtarë dhe strateg të tillë si Ruzvelt e Çërçill, që të mund të neutralizojnë një tiran të ri?!... 

Shqiptarët shpeshherë gjatë historisë janë gjendur të papërgatitur dhe jo të bashkuar rreth pozicionimit të duhur dhe të drejtë. Padyshim, i vetmi pozicionim i duhur dhe i drejtë, është ai, edhe ku përkasin natyrshëm, me familjen evropiane dhe boshtin euro-atlantik! Sfida të vështira, mund të na presin!... 

© Skënder Nitaj, 11 shkurt 2022