Saturday, September 25, 2021

Kosova vs. Serbia

Fluturimi provokues i sotëm i helikopterëve të policisë serbe në brezin kufitar Kosovë-Serbi mbi pikëkalimin kufitar Bërnjak, ngjarje kjo e vëzhguar edhe nga kamera të ndryshme dhe po ashtu edhe nga Policia e Kosovës, është një sinjal për brishtësinë e raporteve edhe ashtu jomiqësore mes dy vendeve, edhe pas plot 22 vitesh të përfundimit nga lufta e fundit 1998-99. Atëherë u desh të intervenoj NATO për t'i dhënë fund luftës dhe dëbimit masiv të shqiptarëve.

Gjeopolitika rajonale e më gjerë, tash mund të këtë ndryshuar nga aspekti i interesave, të të njëjtëve akterë. Kosova ka shpallur shtetësinë e saj dhe ka funksionalizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës si ushtri të saj. Por, derisa ajo (FSK-ja) ndodhet akoma tek në fillimet e saj të ndërtimit të kapaciteteve, në anën tjetër dëshmohet për një armatim të vazhdueshëm të ushtrisë serbe, rreshtuar pranë saj ajo ruse. KFOR ka një prezencë pothuajse minimale të saj këtu!

Raportet vëllazërore që do të duhej të mbretëronin gjithnjë edhe në mes udhëheqësish nga Kosova e Shqipëria, kohëve të fundit siç duket janë luhatur e ftohur skajshmërisht, ndoshta edhe me fajin e të dy palëve, por jo më më pak hile edhe këtu qëndron Serbia, e cila ka arritur ta josh më shumë 'vëllain e madh' me iniciativa të tipit 'mini-Shëngen' apo 'open Balkan', e kështu në stilin 'përçaj e sundo' të futet lehtësisht mes vëllezërve, në rast të një plani për mësymje të këtyre tokave! Apo nuk ka ndodhur kështu gjatë historisë?

Armiqësia serbo-shqiptare ka zanafillë shekullore, e si e tillë pritet të zgjasë. Shqiptarët, vetëm të bashkuar mund të përballen me një fat të tillë. As një aleancë e huaj, nuk garanton përgjithmonë paqen e brishtë. Këmbanat e zgjimit dhe ngritjes së vetëdijes mbarëkombëtare, do të duhej të bien pa u ndalur, orë e çast, e kundërta vlen: 'uji fle, anmiku nuk fle'!

© Skënder Nitaj, 24 shtator 2021

Thursday, September 16, 2021

Menaxhimi (jo)politik i Pandemisë

Përballë ngjarjeve apo fatkeqësive madhore (që janë mbi domenin e fuqive njerëzore) siç janë p.sh. tërmetet, vullkanet, zjarret, vërshimet, luftërat, sëmundjet epidemike etj., kudo në shtetet moderne, në legjislacionet e tyre edhe mund të parashikohen mënyrat e sjelljes apo menaxhimit në ato raste deri në mbi vlefshmërinë e vendimeve emergjente ndaj akëcilit akt ligjor në fuqi.

Kosova, aktualisht është duke përjetuar rritjen më të madhe dhe enorme me rastet e infektimeve me virusin e rrezikshëm, ndërsa veprimet e një menaxhimi emergjent nga Qeveria e Kosovës nuk po shihen në horizont, ose së paku nëse ka ndonjë menaxhim, ai nuk po rezulton efektiv, përkundrazi!

Në raste si kjo pandemi, pos një menaxhimi tejet emergjent, thelbësore do të duhej të ishte edhe një moratorium politik, sepse virusi i sulmon dhe rrezikon të gjithë njëlloj, pavarësisht grupeve apo interesave politike. 

Në këtë kontekst, edhe shtyrja e Zgjedhjeve lokale do të duhej të shqyrtohej me urgjencë. Nuk ka nevojë të mendohet rreziku që do të paraqitnin tubimet elektorale gjithandej. Menaxhimi emergjent në nivel qendror dhe lokal do të duhej të ishte i vetmi prioritet i spektrit politik e në veçanti i Qeverisë!

© Skënder Nitaj, 26 gusht 2021


Thursday, February 25, 2021

Dhomat një etnike apo duhet të presim e të shohim !?...

"Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës u themeluan në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, një amendamenti kushtetues, si dhe në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës." 

"Ato janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë." 

"Fletëza të një ditari" dëshmojnë se këto "Dhoma të Specializuara" duhet të "mirëpresin" edhe të dyshuarit e etnisë tjetër. Në fakt, etnia tjetër si në segregacionet më të njohura në histori, kishte shtrirje absolute në tërë territorin e Kosovës së okupuar, ku ata kryen spastrim klasik etnik, të përcjella me shpërngulje masive, vrasje e masakra të civilëve shqiptar, djegie dhe rrënim të pronës së tyre. Për të besuar në këto "Dhoma të Specializuara", duhet t'i shohim urdhërdhënësit dhe kryerësit e këtij spastrimi gjenocidal prapa grilave dhe para drejtësisë ndërkombëtare. (s.n.) (29.09.2020)

"Fletëza të një ditari" 

https://skendernitaj.blogspot.com/2015/01/hollokausti-ne-dite
n-e-kurban-bajramit.html 

#Dhomat_e_specializuara

Ledina, Carrabreg, 1998-1999 © S. Nitaj

Foto: Gjurmë djegie, nga lufta në Kosovë, 1998-1999 (Ledina, Carrabreg) © S. Nitaj

Kam thënë ...

********************************************************************
Sa më shumë që është zgjatur prej pasluftës, zgjidhja e 'problemit të Veriut', aq më shumë kjo ngjan me rrezikun e hapjes së 'kutisë së Pandorës'. Ndoshta më shumë se sa për 'fuqi baroti', ka nevojë për 'mendje të shëndoshë', për t'u përballur dhe për ta tejkaluar këtë sfidë finale. (s.n.) (29.05.2023)
********************************************************************
Pas kaq vitesh, Evropa po i hap 'dyert' për qytetarët e Kosovës duke i liruar ata të dalin nga 'zhgualli' i kufijve të saj!... Nejse, jo bash, për tu lavdëruar! (s.n.) (18.04.2023)
********************************************************************
Thellësisht jam i bindur, që dy datat e lavdisë gjithkombëtare, 28 Nëntori dhe 17 Shkurti, sikur nuk mjaftojnë për atdhedashuri!...  (s.n.) (17.02.2023)
********************************************************************
Në rast të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në respektim të plotë të Kushtetutës (shtetësisë), a e nënkupton kjo që serbët lokal, e pranojnë Republikën e Kosovës ? Në rast që serbët lokal e pranojnë Republikën e Kosovës, a e nënkupton kjo që Serbia nuk ka më arsye të shqetësohet për pakicën e saj dhe rrjedhimisht edhe ajo do ta njoh Republikën e Kosovës ? Këto dy çështje janë thelbësore, në përballje me faktorin ndërkombëtarë, për të cilët ata do të duhej dhënë zgjidhje por edhe të jenë dorëzan deri në implementim! (s.n.) (31.01.2023)
********************************************************************
Çfarëdo lloj përfshirje e forcave policore e ushtarake të Serbisë në territorin e Kosovës, nënkupton luftë. Nëse kjo përfshirje do të ndodhte me miratimin e forcave paqëruajtëse, atëherë i bie që ka miratim veri-atlantik për luftë! Kosovës, i duhet të mbijetojë pavarësisht cilitdo miratim! (s.n.) (16.12.2022)
********************************************************************
Meqë dialogu i Qeverisë me Sindikatën duket kaq i pashpresë, mund të merret me mend se sa i pamundur do të jetë dialogu me Serbinë! Apo jo?!... (s.n.) (29.09.2022)
********************************************************************
Si shoqëri, po mbahemi peng i mosmbajtjes së mësimit në shkollat publike, megjithë cilësinë që lë shumë për të dëshiruar! Shteti nuk mund të quhet funksional, kur shkollat mbahen të mbyllura. Beteja politike rreth 'grevës' e zhvendosur në rrafshin më të ndjeshëm, atë të familjes me theks të veçantë te kategoria që po lëndohet pa-riparueshëm - fëmijët, nuk do të ketë fitues. Shteti dhe e ardhmja e tij po vriten nga të gjithë, nga ata që e kanë nisur këtë betejë shkatërruese dhe nga ata që po durojnë! (s.n.) (27.09.2022)
********************************************************************
Domëthënë duke mos u arritur të mbahen shkollat hapur, e ardhmja e fëmijëve që janë edhe e ardhmja e vendit, po rrezikohet skajshmërisht. Përgjegjës për këtë janë të gjithë, qeveria, opozita, sindikata, shoqëria civile dhe prindërit. Fëmijët do të kenë të drejtë të mos e duan këtë vend!... (s.n.) (25.09.2022)
********************************************************************
Pothuajse prej pasluftës, vit për vit, po vazhdon avazi i grevave, e sidomos në arsim. Shtylla kryesore për një shtet, e para së gjithash për ato që janë në bërje e sipër si Kosova, është arsimi! Prandaj, për sa kohë që shkollat nuk janë në funksion, mund të thuhet që edhe shteti do të vendnumërojë. Apo, thënë më saktë, funksionon vetëm një pjesë e shtetit, në raport të njëjtë sa ka shkolla private, të cilat pa problem po punojnë. Po sikur të privatizohej ky shtet, ndoshta edhe shkollat publike do të ri-hapeshin për nxënësit e prindërve publik?!... (s.n.) (11.09.2022)
********************************************************************
#Qeveria po do ta kursejë 'kuletën' e shtetit; #SBASHK po do t'i jap dinjitet 'kuletës' së mësuesve; humbjet nga mos mbajtja e mësimit janë të pallogaritshme dhe i tejkalojnë shumat e 'kuletave' të palëve antagoniste! (s.n.) (11.09.2022)
********************************************************************
I 'shumëvuajturi' krye-sindikalist i arsimit, po do t'i bëj të gjithë të vuajnë! #EnoughIsEnough (s.n.) (05.09.2022)
********************************************************************
Para 31 vitesh, shkollat në Kosovë, ishin mbyllur nga regjimi pushtues serb. Populli në kundërpërgjigje hapi shtëpitë-shkolla. Po sot? E pafalshme, mos-fillimi i mësimit! Kushdo nga përgjegjësit, duket se nuk frymojnë e ëndërrojnë shqip!... (s.n.) (01.09.2022)
********************************************************************
1 shtatori është festa e dritës, dijes dhe përparimit. Akterët që kujdesen që kjo datë të mos jetë e tillë, e për rrjedhojë, të mos gumëzhijnë oborret e shkollave nga nxënësit, do të mbesin përgjegjës. Kërkesave, cilat do qofshin ato, të mësimdhënësve, u duhet kushtuar vëmendje e u duhet dhënë rrugëzgjidhje nga përgjegjësit qeveritar! Lojëra jo të sinqerta, janë thirrjet e të dy palëve, që nesër (nuk) do të filloj mësimi! Nxënësit dhe prindërit presin përgjegjësi të lartë nga mësuesit dhe qeveritarët! Uroj që 1 shtatori të mos e gjej vendin me shkolla pa mësim. Nuk i duhet edhe kjo Kosovës, në kohën që po kalon, në terr gjithandej, me mirëqenie të rënduar, me shpresa të venitura, me besim të lëkundur, me pasiguri lëvizjeje dhe me skenarë politik kundër shtetit tonë! (s.n.) (31.08.2022)
********************************************************************
Kosova, ky 'ishull' i rrethuar me tokë!... (s.n.) (25.08.2022)
********************************************************************
Jam në paqe me spektrin politik. Kam zero pritshmëri nga ndonjë e mirë prej tyre. (s.n.) (16.06.2022)
********************************************************************
Kosova, vazhdon të vend-numëroj me Pro & Contra-t e saj! 👍vs.👎 (s.n.) (15.06.2022) 
********************************************************************
Fondi i kursimeve pensionale, nuk do të duhej të zhvleftësohej deri në atë masë, sa që 'të vjelët' sa herë që do të këtë përballje me kriza! Për një shoqëri të avancuar, sigurimi pensional është mbi të gjitha kulturë! 'Prekja' e kursimeve pensionale, është akti kur humbet besimi që do të këtë një të ardhme! (s.n.) (27.05.2022) 
********************************************************************
Rusia do të gjunjëzohej po të kishte Ukraina forcën e Perëndimit apo Perëndimi guximin e Ukrainës! (s.n.) (21.03.2022) 
********************************************************************
Përpara se satanai të 'lozte' me ndonjë 'buton të kuq', apo të përparonte për ndonjë 'Jaltë 2', do të ishte shpëtimtare që ai të përmbysej nga ndonjë 'Revolucion i Tetorit 2'! 🙏 (s.n.) (16.03.2022)
********************************************************************
Dinamika e përshpejtuar e zhvillimit të ngjarjeve gjithandej, e pasuar me zëvendësimin e forcës së ligjit me ligjin e forcës në nivel global!... Zoti e ruajt njerëzimin dhe Tokën, shtëpinë e përbashkët, nga forcat e errëta sataniste! 🙏 (s.n.) (01.03.2022) 
********************************************************************
Me logjikën e ri-kthimit të tokave të humbura ruse që nga koha e carit e këndej, pas sulmit mbi Ukrainë e ndonjë vendi aty përreth, do të duhej pritur një mësyemje ruse drejt Alaskës, pasi ndoshta shitblerja e saj është kryer në rrethana të njëjta siç janë kryer p.sh. faljet e krahinave të Krimesë, Donjeckut apo Luganskit. (s.n.) (26.02.2022)
********************************************************************
Brezi përtej vijes kufitare në veri-lindje të Kosovës, ka ngjashmëri të frikshme me atë të Ukrainës!!! (s.n.) (24.02.2022)
********************************************************************
Sa për t'mos harruar: Forcat e para 'paqëruajtëse' që u futën në Kosovë në qershor 1999, ishin ato ruse!... (24.02.2022)
********************************************************************
Sigurisht, tash në radhë është edhe 'shtrenjtimi' i pagave?! 😉 (s.n.) (09.02.2022)
********************************************************************
Sot: sa ma 'drejtë' ma 'shtrenjtë'! Dje: sa ma 'lirë' ma 'mirë'? (s.n.) (31.01.2022)
********************************************************************
Trashëgimia e viteve të '90-ta ishte pakrahasimisht më e zymtë, se e çdo periudhe tjetër kohore, por kjo nuk i dekurajoi 'qeveritë e hajnave' të merrnin timonin e udhëheqjes së vendit, përderisa 'qeveria e shpresës' vetëm e tillë po del të mos jetë! (s.n.) (20.01.2022)
********************************************************************
Efiçienca (kursimi) vs. Komoditeti (rehatia) (s.n.) (18.01.2022)
********************************************************************
Fikja e dritave s'është gjë, përballë venitjes së shpresave! (s.n.) (28.12.2021)
********************************************************************
Në rast të ndonjë 'konflikti' mes ndonjë marrëveshjeje nga '#OpenBalkan'-i dhe ndonjë marrëveshjeje nga ato të nënshkruarat në mes të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, cila prej tyre do të ishte e zbatueshme për shtetin Shqiptar? (s.n.) (20.12.2021)
********************************************************************
3/4-tat e 1/4-tës së mandatit, koha kur duhet nisur nga puna, pa u ankuar! (s.n.) (15.12.2021)
********************************************************************
'Shqipeve' iu mjafton 'shnosh me konë' edhe u kry puna! 'Tjerat i bjen Zoti!' (s.n.) (15.12.2021)
********************************************************************
Po të kishin fëmijët shkollar të drejtë vote, ndoshta edhe do t'u sigurohej ndonjë transport i sigurtë e qe besa edhe gratis, por jo!... Kjo është gjendja e përditshme në Prishtinë, ku nxënësit, edhe me bileta mujore të Trafikut Urban, megjithatë detyrohen të udhëtojnë me autobusë të sektorit privat, sepse autobusët e linjave 3, 4 etj. thjesht nuk ndalojnë nëpër stacionet e qytetit, nën pretekstin se nuk mund të marrin më shumë pasagjerë si shkak i masave anti-Covid! Pastaj, fillon aventura e nxënësve se si të mbërrijnë në kohë në mësim apo edhe anasjelltas, se si të kthehen dikur më vonë në shtëpi! Kush kujdeset për mbarëvajtjen e procesit të mësimit në këtë qytet e në ketë shtet? KUSH? (s.n.) (05.10.2021)
********************************************************************
Marrëveshja e Kumanovës, në njërën prej dispozitave kryesore përcakton një zone të sigurisë ajrore 25 km dhe 5 km të zonës së sigurisë tokësore rreth kufijve të Kosovës, me përjashtim të një policie të armatosur lehtë që mund të vazhdoi të veprojë brenda zonës jashtë Kosovës sipas marrëveshjes. Në rastin e krizës aktuale të targave, është kryer me sa duket shkelje e kësaj dispozite qenësore të  Marrëveshjës së Kumanovës, nga ana e Serbisë si dhe e KFOR-it për moszbatim, kur helikopterë policor, aeroplanë ushtarak e makineri të tjera motorike tokësore ushtarake nga Serbia, e kanë shkelur zonën e përcaktuar të sigurisë! Prania e NATO -s është e sanksionuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në bazë të Rezolutës 1244 (1999), e cila autorizoi shtetet anëtare të OKB -së dhe organizatat ndërkombëtare që të mbajnë një prani ndërkombëtare të sigurisë përmes KFOR -it në Kosovë derisa të arrihet përfundimisht një marrëveshje dhe kushtet e saj të zbatohen! (s.n.) (dt. 05.08.2021)
********************************************************************
Doza e 3-të e vaksinës, mininum duhet marrë 8 muaj pas marrjes së dozës së 2-të, sipas organizatave relevante kredibile. Në Kosovë, akoma ka kohë të mendohet për dozën e 3-të, z. Ministër i Shëndetësisë! T'i marrim njëherë dy dozat e para, por, me urgjencë dhe 24/7! (s.n.) (28.08.2021)
********************************************************************
Afganistani po braktiset nga bashkësia ndërkombëtare dhe po i ri-kthehet mes-jetës! Keqardhje për misionin e pambaruar dhe të pasuksesshëm. Kosova përpos të qenit solidar me njerëzit atje, duhet nxjerrë edhe ndonjë paralele dhe vetëdijesim për sjellje dhe politikbërje në rrafshin ndërkombëtar! (s.n) (dt. 15.08.2021)
********************************************************************
Ministria e Shëndetësisë si bartëse e aktiviteteve dhe përgjegjësive për Covid-19, në kuadër të fushatës së vaksinimit, i bën thirrje njerëzve nga mosha 18+ t'i përgjigjen ftesës për vaksinim. Për të qenë një përgjigje akoma më e mirë, do të duhej që në Raportet ditore me të dhëna rreth rasteve të reja të të infektuarve, të jepen të dhëna shtesë nëse këto raste të reja janë të vaksinuar ose jo. Kështu, do të rritej vetëdijesimi rreth rëndësisë së vaksinimit si dhe do të zbehej dilema se a duhet apo jo të merret vaksina. Sa më shumë transparencë e shoqëruar me të dhëna të sakta e reale, aq më shumë do të rritej gatishmëria për vaksinim, e atyre që kanë dilema e mëdyshje rreth kësaj çështje! (s.n.) (dt. 05.08.2021)
********************************************************************
Bazuar në të gjitha sondazhet dhe disponimin gjithandej, po del që Zgjedhjet e 14 Shkurtit nuk do të  jenë shumë atraktive duke u ditur fituesi i tyre, përveç ndoshta se kush do të zë vendin e dytë!  😉 (s.n.) (dt. 03.02.2021)
********************************************************************
Presidenti i porsazgjedhur amerikan së bashku me tërë stafin e tij politik, gjatë gjithë fushatës zgjedhore, si edhe në inaugurim, por edhe në ditët vijuese, asnjëherë në publik nuk kanë mundur të shihen pa maska mbrojtëse. Në ndërkohë, shohim figurat kryesore politike në Kosovë, bashkë me ndjekësit e tyre, kudo pa maska. Mirë po bëjnë, sepse kështu ua mbajmë jo veç në mendje fytyrat por edhe historia do të bëj vend për ta, për nam të keq, duke shkaktuar përhapjen e sëmundjes, vdekjen e akoma më shumë njerëzve, e rrjedhimisht futjen e vendit në mjerim edhe më të madh! 😡 (s.n.) (dt. 28.01.2021)
********************************************************************
Të kërkohet eliminimi i liderit të Vetëvendosjes nga lista zgjedhore është joracionale, aq më parë kur dihet se në të dy palë zgjedhjet e fundit, ai ishte bindshëm më i votuari. Cilido ligj apo interpretim i tij duhet të jetë në shërbim të interesave të masës! Gazi lotsjellës në Kuvend ishte i kundërligjshëm, por në mbrojtje të vendit!... Jo shumë kohë më parë, edhe Presidenti historik në Kuvend kishte arritur të zgjidhej tek në raundin e tretë të votimit, megjithëse masa e gjerë e donte dhe do ta nderonte post-mortum me përmasa biblike në temperatura siberiane!... #Ligji vs #Populli!!! (s.n.) (dt. 22.01.2021)
********************************************************************
Kryeministri në detyrë po thotë se për mbarëvajtjen e sigurt të procesit mësimor, janë në ndërlidhje zinxhirore drejtoritë komunale të arsimit, drejtoritë e shkollave, këshillat e prindërve, policët e lagjes e jo kush tjetër. E them në cilësinë e prindit, me përgjegjësi të plotë se, në shkollën ku vijon mësimin fëmija im, gjysmë vjetori i parë është kryer pa asnjë mbledhje të prindërve, e po ashtu as orar të konsultimeve të prindërve me arsimtarë nuk ka pasur!... (s.n.) (dt. 21.01.2021)
********************************************************************
Stinë 'e nxehtë' joklimatologjike veq sa ka filluar në vendin tim! (s.n.) (16.01.2021)
********************************************************************
Ndoshta më mirë do të kishte qenë që Kushtetuta të ishte shkruar mirë e saktë në kohën kur është hartuar, se sa që ajo "të trashej" pothuajse çdo vit me dhjetëra faqe Aktvendimesh të Gjykatës Kushtetuese. Ky lëmsh i 'shkeljeve kushtetuese' e më pastaj 'aktvendimesh' apo 'interpretimesh kushtetuese', po dëshmon brishtësinë e seriozitetit të shtet ndërtimit. Emërues të përbashkët të fajësisë për këtë gjendje, sigurisht që janë krerët e lartë politik të pasluftës dhe 'vartësit' e tyre nga fusha e drejtësisë, të cilët po dëshmohet që pos bërjes 'lëmsh' nuk dijnë të bëjnë gjë tjetër. Faturën e këtij 'lëmshi' po e paguan e ardhmja e zbehur e vendit dhe njerëzit e tij. (s.n.) (06.01.2021)
********************************************************************
Të gjithë kundër VV-së apo VV-ja kundër të gjithëve. A po krijohet skena politike prej dy blloqeve? Janë të djathtë apo të majtë? Do të presim e do të shohim! Uroj që vendi të profilizohet politikisht! (s.n.) (28.12.2020)
********************************************************************
Ligjërisht e joligjërisht, brenda vitit të parë pandemik, Kosova rrëzon dy qeveri. Njerëzit e vendit tim jetojnë në kohën e luksit politik! (s.n.) (22.12.2020)
********************************************************************
Në vend të reagimit për vrasjen e të riut shqiptar nga policia shqiptare 😥 
Më ka rastisur, disa herë të qëndroj jashtë vendit, e nga secili vend i huaj njeriu sheh e dëgjon përvoja nga më të ndryshmet. Por, në një rast, në kryeqytetin slloven, një polic, siç dukej jashtë detyre por i uniformuar, në ecje e sipër, vëren një grup të rinjsh diku rreth 5-6 veta, duke kaluar zebrat pa qenë drita e gjelbër e semaforit akoma e ndezur. Përveç se ata kalonin në mënyrë të palejuar zebrat, ata bënin edhe sjellje aspak të hijshme. Unë që isha dëshmitar i drejtpërdrejt i ndodhisë, vërej që edhe pse polici ngutej për punët e tija, megjithatë kthen mbrapsht dhe i ndalon të rinjtë. Asnjë demonstrim dhune a force, a prangosje, a thirrje për përforcim, por veç qortim, që më shumë ngjasonte në qortim prej prindi a vëllait të madh. Të rinjtë, të zënë ngushtë, kokë ulur, pranonin pa bëza qortimin, por edhe këshillat e policit - edukator, prind, vëlla i madh!... Migjeni, bënte thirrje "për pak dritë o shok, o vëlla", derisa unë bëj thirrje për pak më shumë kulturë sjelljeje, o populli im, gjithandej! 
#RIP #Klodian_Rasha (s.n.) (dt. 11.12.2020)
********************************************************************
Siç po shihet, tashmë sikur është bërë zakon, Serbia e Vuçiqit dhe e Daçiqit, në periudhën e tranzicioneve të pushteteve në ShBA, joshen t'ia mësyjnë forcërisht drejt Kosovës. Akoma, është e freskët vërsulja me 'trenin rus' para 4 vitesh. Ndërsa, retorika luftënxitëse e ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë të kriminelit Millosheviq, vazhdon edhe në këtë prag-ndërrimi të pushteteve në shtetin garantues e pararojë të Pavarësisë së Kosovës. Sikur edhe para 4 vitesh, Kosova ka një fragjilitet të frikshëm në udhëheqje, përballë këtyre sfidave!... (s.n.) (12.11.2020)
********************************************************************
Vitet e 90'ta ishin vite të mbijetesës për popullin e Kosovës! Nisur nga kjo, pothuajse të gjithë pa dallim frymonin vetëm shqip. Njerëzve u mungonte liria kombëtare, e jo (siç u keq-kooptua pas luftës) liria fetare. Shqiptarët në Kosovë, asnjëherë nuk i ndau religjioni, për fat të mirë! Religjioni karshi mungesës së lirisë, shihej si luks, n’ ato vite! Edhe LDK-ja e Rugovës, edhe UÇK-ja ishin lëvizje popullore dhe buruan nga aty! (s.n.) (09.11.2020)
********************************************************************
'Shkëlqimi' dhe 'rënia' e vendit tim, po ndodh?!... (s.n.) (05.11.2020)
********************************************************************
Sulmi i Vjenës, si njeri - të trazon pa masë, e si shqiptar - të pikëllon tej mase. Sulmuesi, viktima dhe policët shqiptarë, akterë në fushë të huaj, në role të ndryshme, braktisur vendesh origjine, sikur mos të kishin shtet të tyre amë, si jetimë, bredhur botës, të lënë pas dore. E këta nuk janë të vetëm, pasi armata e të rinjve braktisur nga qeveritë amë, po shtohet dita ditës, e jo të gjithë do t'i shohim në role aktesh që do të mburremi me ta! Zot, ndihmo bijtë tu, braktisur e bredhur gjithandej jashtë tokës mëmë! 🙏 (s.n.) (03.11.2020)
********************************************************************
Tek ku po na kërkohet ndryshimi i saj, po del se nuk e paskemi edhe aq të dobët Kushtetutën (e Ahtisarit)!... Se ç'më sjellët ndër mendje, kur u bën ndryshimet kushtetuese në vitin jo aq të largët '89!... (s.n.) (17.10.2020)
********************************************************************
Nëse ShBA e kanë vendosur të finalizojnë ndonjë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë asaj nuk i nevojiten 'lojtarë të mëdhenj' nga Kosova, thjesht mjafton të jetë dikush sa të hedh firmën në letër. Në fakt, i vetmi lojtar i madh këtu, si gjithmonë në historinë tonë më të re, mbetet Amerika! (s.n.) (03.09.2020)
********************************************************************
Në kohë pandemie, e në kohë të acarimeve rreth e përqark nesh, të pritet një zbutje e raporteve Kosovë - Serbi, duket utopi! Sido që të jetë duhet lutur për paqe, gjithandej, ani pse do të duhej edhe një gatishmëri për ndonjë të keqe të mundshme! (s.n.) (02.09.2020)
********************************************************************
I bëj thirrje MAShTI-t që të bëj kujdes me përzgjedhjen e cilësdo mënyrë të organizimit të vitit të ri shkollor, duke vënë në rend të parë shëndetin e fëmijëve tonë. Druaj me arsye, se nëse organizimi i vitit shkollor do të bëhet njëlloj si menaxhimi i pandemisë, atëherë shëndeti i fëmijëve (lexo: i të ardhmes së gjithsecilit prej nesh) do të rrezikohet në mënyrë të paparamenduar! Infrastruktura shkollore nuk siguron kushte për masa mbrojtëse, ndërsa sistemi i shëndetit publik, edhe ashtu pothuajse i kollapsuar, nuk do të mund të ofrohet si digë e sigurt për trajtimin e dëmeve shtesë që do të ndodhnin! (s.n.) (11.08.2020)
********************************************************************
Pakot e lehtësimit të masave në pandemi dhe rikthimit në 'normalitet', si duket kanë përfshirë çdo sferë të shoqërisë, gjithandej. Gjithçka po kthehet në zanafillë. Prandaj nevojitet kujdes, 'virusët' janë gjithandej! (s.n.) (04.06.2020)
********************************************************************
Pavarësisht, a është shpallur emergjencë shëndetësore apo gjendje e jashtëzakonshme, e duke ditur që #OBSh ka shpallur #pandemi, të gjitha subjektet politike në vend, do të duhej të shpallnin moratorium politik, e në vend të kësaj të fokusoheshin në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, me votën e të cilëve ato u bënë të rëndësishme. Kjo nënkupton, që #Qeveria duhet të punojë, jo prej vullnetit të tyre të mirë, por prej situatës së imponuar, në përbërje të plotë, ashtu siç ishte para dt. 18.03.2020, duke fashitur inatet personale, deri në ditë më të mira. E ne, qytetarët e shumëvuajtur të Kosovës, do të duhej të mos ua harrojmë asnjëherë e të mos ua falim kurrë, mëkatin e sjelljes së tillë të tyre, karshi një situate asnjëherë të provuar më parë nga bota mbarë! (s.n.) (20.03.2020)
********************************************************************
Virusët edhe mund të vrasin shumë njerëz, por pseudo-'politikanët' shqiptarë janë në gjendje t'a mbysin një popull të tërë! Mallkimi i ynë! 😥 (s.n.) (18.03.2020)
********************************************************************
Planeti blu 'i kuq', ndalo #sot për të lëvizur #nesër! Ndihmo Zot! 🙏 (s.n.) (16.03.2020)
********************************************************************
#Wuhan, ky #Chernobyl i Mileniumit të Ri, apo Kur pranvera vonohet! Zot, ndihmo krijesat e tua! 🙏 (s.n.) (13.03.2020)
********************************************************************
"Taksa100%" dhe të gjitha "ç'njohjet", përfshirë këtu edhe "mospranimet" në organizatat ndërkombëtare, do të duhej të largoheshin në të njëjtën kohë, si masë e parë për krijimin e një klime të mirëbesimit reciprok, e pastaj të vazhdohej me "dialogun". Por, para se gjithash, vendi do të duhej të kishte një Qeveri, jo "në detyrë" por në ballë të sfidave që e presin! (s.n.) (24.01.2020)
********************************************************************
"Koalicioni i shpresës" po i ngjan atij vagonit të fundit të trenit. Nëse nuk arrihet, është fundi i shpresës. Nuk po shihet ndonjë tren tjetër në horizont, e as ndonjë dritë në fund të tunelit!... (s.n.) (16.01.2020)
********************************************************************
Ndonjë nga deputetët në tentativë, lirshëm do të mund të bartë edhe numrin zero, shikuar nga prizmi i barazvlefshmërisë. (s.n.) (12.09.2019)
********************************************************************
Te të kurorëzohet fati nga një mik i madh, por i largët si Amerika, e te të duhet të bashkëjetosh me një plakë, si Evropa, duhet të jetë sfiduese për një fëmijë, pothuajse të rritur pa nënë, si Kosova. (s.n.) (22.06.2019)
********************************************************************
Gatishmëria për mëvetësim gradual dhe të plotë nga fqinji verior, sidomos në sektorin e bujqësisë (lexo: ushqimeve) do të provohej edhe në rast që ky resor nuk do të lihej të udhëhiqej nga dikush që vjen prej listës së përpiluar nga përtej Ibri! (s.n.) (23.11.2018)
********************************************************************
'Pushteti paralel' i shqiptarëve në Kosovën e viteve të '90-ta, i cili bazohej vetëm në përgjegjësinë morale, po del të ishte më dinjitoz se sa të gjitha pushtetet dhe politikat e pasluftës!... (s.n.) (25.01.2018)
********************************************************************
T’zotë e shtëpive si ujku e dhia, ndërsa fëmijët u luajnë bashkë!!!... (s.n.) (18.11.2017)
********************************************************************
Pavarësisht se për kë votojnë votuesit shqiptarë në të gjitha shtetet ku ata jetojnë, bindja ime e fuqishme është se majtizmi ishte historikisht antikombëtar, sepse kjo ideologji lidhet ngushtë me socializmin pan-sllavist, përderisa djathtizmi pan-amerikan së paku dy herë brenda shekullit 20 - solli në jetë 2 shtete shqiptare! (s.n.) (26.06.2017)
********************************************************************
Koha po kalon për tu mbajtur gjallë gatishmëria e njerëzve, për të qëndruar në Kosovë e për të mos kërkuar medoemos shpresën duke ikur nga këtu. (s.n.) (18.05.2017)
********************************************************************
Kjo e sotmja që njihet nga bashkësia e shteteve, nuk është Shqipëria që do të duhej të ishte. As Kosova, që po njihet gradualisht, nuk është ajo që do të duhej të ishte. Sido që të jetë, një Flamur Kuq e Zi, i mban gjallë ndjenjat për tokën që akoma e zotërojmë si dhe për tokat që i humbëm! (s.n.) (27.11.2016)
********************************************************************
Koha është relative. Ndonjëherë disa momente lejnë gjurmë më shumë se sa vitet, e ndonjëherë vitet na ikin pa i vënë re. (s.n.) (17.11.2016)
********************************************************************
Mos lejo pleqërinë, te të pyet se ku e pate rininë! (s.n.) (14.11.2016)
********************************************************************
Pas BrExit, edhe USExit!... Çka tutje?... (s.n.) (09.11.2016)
********************************************************************
Një herë pata qarë për ty, Kosovë!... (s.n.) (25.02.2016)
********************************************************************
E keqja më e madhe nuk qëndron në atë se çfarë qeverie kemi, por në atë se oponentët jo rrallë janë gjendur duke hedhur hapa me të! Ndryshime të mëdha duhet filluar të bëhen brenda taborëve. Synimet afatshkurtra kanë jetëgjatësi po ashtu të shkurtër!... (s.n.) (17.02.2016)
********************************************************************
Këta humbës të mëdhenj!... (s.n.) (23.10.2015)
********************************************************************
Jo me argumentin e forcës, por, me forcën e argumentit! (s.n.) (08.10.2015)
********************************************************************




Tuesday, February 16, 2021

Votimi me inercion

Në fillimet e para të Kosovës së pasluftës, pavarësisht se partitë që në prapavijë buronin nga UÇK-ja dhe rezistenca e saj, e kështu apriori synonin që edhe të udhëhiqnin me vendin, sikundër edhe që ndodh zakonisht, megjithatë populli e kishte të vështirë të votonte dikë tjetër përpos Rugovës, i cili kishte fituar simpatinë e shumicës përgjatë 10 viteve të rezistencës gandiane kundrejt okupimit serb të viteve të 90-ta. Pra, votuesi kishte zgjedhur drejtuesin e vendit me inercion. 

Pas vdekjes së Rugovës, lideri politik i UÇK-së, Thaqi, arriti të drejtoj me vendin dhe të kthej inercionin e votuesit kah vetja e tij e sidomos pas leximit të Deklaratës së Pavarësisë në cilësinë e kryeministrit. Inercioni i votuesit në favor të Thaqit zgjati edhe atëherë kur kurba e kontributit të tij shtetndërtues kishte pësuar rënie, saqë Zgjedhjet e vitit 2014 i kishte fituar pothuajse 'me duar në xhepa' i vetëm, duke iu falënderuar këtij inercioni. 

Që ndëshkimit të votuesit nuk mund t'i ikësh, sado që ai të jetë i vonuar dhe me inercion, e dëshmojnë edhe rritjet e votave në favor të Kurtit dhe LVV-së së tij në tre palë zgjedhjet e fundit. Votuesi kosovar po dëshmon që mund t'i ndërrojë drejtuesit e vendit me votën e tij. Për shkak të dinamikës së jetës, në një të ardhme të afërt, inercioni në votim mund të jetë i dëmshëm, pasi që dënimi dhe shpërblimi për drejtuesit politik dhe subjektet që përfaqësojnë ata do të duhej të ishte në 'kohë reale', gjithnjë bazuar në 'meritat' dhe angazhimet që ata do të shpërfaqin. 

Rugova, Thaqi e Kurti janë sinonim për tre periudha të ndryshme e të veçanta të këtij vendi, dhe figurat e tyre janë të brumosura nga rrethanat për të cilat ata, në sytë e popullit, duken të veçantë, megjithëse shikuar nga prizmi real, ata paraqesin rezultante të periudhave përkatëse. Apo siç thuhet, koha i kërkon njerëzit në flakë!... 

© Skënder Nitaj, 15 shkurt 2021