Saturday, September 25, 2021

Kosova vs. Serbia

Fluturimi provokues i sotëm i helikopterëve të policisë serbe në brezin kufitar Kosovë-Serbi mbi pikëkalimin kufitar Bërnjak, ngjarje kjo e vëzhguar edhe nga kamera të ndryshme dhe po ashtu edhe nga Policia e Kosovës, është një sinjal për brishtësinë e raporteve edhe ashtu jomiqësore mes dy vendeve, edhe pas plot 22 vitesh të përfundimit nga lufta e fundit 1998-99. Atëherë u desh të intervenoj NATO për t'i dhënë fund luftës dhe dëbimit masiv të shqiptarëve.

Gjeopolitika rajonale e më gjerë, tash mund të këtë ndryshuar nga aspekti i interesave, të të njëjtëve akterë. Kosova ka shpallur shtetësinë e saj dhe ka funksionalizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës si ushtri të saj. Por, derisa ajo (FSK-ja) ndodhet akoma tek në fillimet e saj të ndërtimit të kapaciteteve, në anën tjetër dëshmohet për një armatim të vazhdueshëm të ushtrisë serbe, rreshtuar pranë saj ajo ruse. KFOR ka një prezencë pothuajse minimale të saj këtu!

Raportet vëllazërore që do të duhej të mbretëronin gjithnjë edhe në mes udhëheqësish nga Kosova e Shqipëria, kohëve të fundit siç duket janë luhatur e ftohur skajshmërisht, ndoshta edhe me fajin e të dy palëve, por jo më më pak hile edhe këtu qëndron Serbia, e cila ka arritur ta josh më shumë 'vëllain e madh' me iniciativa të tipit 'mini-Shëngen' apo 'open Balkan', e kështu në stilin 'përçaj e sundo' të futet lehtësisht mes vëllezërve, në rast të një plani për mësymje të këtyre tokave! Apo nuk ka ndodhur kështu gjatë historisë?

Armiqësia serbo-shqiptare ka zanafillë shekullore, e si e tillë pritet të zgjasë. Shqiptarët, vetëm të bashkuar mund të përballen me një fat të tillë. As një aleancë e huaj, nuk garanton përgjithmonë paqen e brishtë. Këmbanat e zgjimit dhe ngritjes së vetëdijes mbarëkombëtare, do të duhej të bien pa u ndalur, orë e çast, e kundërta vlen: 'uji fle, anmiku nuk fle'!

© Skënder Nitaj, 24 shtator 2021

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.