Thursday, June 4, 2020

Logjika kundërthënëse e një interpretimi

Sipas logjikës më të re të interpretimit kushtetues, në zgjedhjet e ardhshme, nuk do të jetë e domosdoshme të krijohen koalicione parazgjedhore për tu fituar zgjedhjet, pasi që kur subjekti fitues jo absolut nuk do të mundet i vetëm, të formojë qeverinë, atëherë subjektet pasuese mund të shfaqen në skenë, duke ‘grumbulluar karriget' e fituara dhe duke u shndërruar në 'fitues' pas zgjedhor. 

Në të njëjtën logjikë, subjektet nuk do të kenë nevojë të bëjnë fushatë me ndonjë kandidat të nominuar për kryeministër, pasi që atë, ato do ta zgjedhin pas ‘grumbullimit’ të atyre 'karrigeve' që kanë qenë të mundura të fitohen. Kështu, duke mos pasur nevojë për kandidat për kryeministër, rrjedhimisht nuk do të këtë nevojë as për shpalosje të ndonjë programi qeverisës, me të cilin do të mund të josheshin votuesit për dhënien e besimit të tyre. 

Kështu, edhe togfjalëshi 'garë zgjedhore' do të mund të reduktohej në 'zgjedhje', pasi që sensi i garimit bie. Cilit subjekt do t'i nevojitej të mundohej të garonte, për të fituar (jo absolutisht) e vetme - vendin e parë, kur me një matematikë pas zgjedhore dhe me disa marrëveshje jo medoemos parimore, do të mund të shfrytëzohej, tashmë e drejta e formimit të qeverisë, si e dyta, e treta, e kështu më radhë.

© Skënder Nitaj, 30 maj 2020