Sunday, February 19, 2017

Në ëndërr

Kujtoj që nuk është udhëtim nëpër kohë, më shumë më përngjan si kalim në një dimension tjetër, paralel. Natyrisht, jo fizikisht, por me mendje gjithsesi, e mua më duket edhe shpirtërisht. Sepse aty takoj ata që flenë në shpirtin tim. Edhe pse ka kohë që nuk janë mbi këtë dhe!... Janë bashkë dhe duket që kujdesen për njëri-tjetrin. Nuk janë shumë të lodhur, por të plakur gjithsesi. Nevojat nuk i shpërfaqin, duket se iu mjafton të qëndrojnë në votrën e vjetër, ku shpesh duan të na shohin bashkë - si dikur! Kthjellët i shoh dhe nuk ngurroj të çmallem me ta, duke i shtërnguar si asnjëherë më parë. Përqafim, që në dimensionin tonë rrallë ndodh. Bisedohet, por si në filmat pa zë, nuk regjistrohet në mbamendje asnjë fjalë. Por, ka shumë mall dhe dashuri pa kushte aty. Ka një ndjesi frike, pasi që dimensionet duket se, megjithatë nuk janë hermetikisht të murosura në mes vete. Vdekja, vjen si shkrepëtimë drithëruese duke dhënë sinjalin që ajo është duke ruajtur kufirin në mes këtyre dy botërave. Krejt pështjellueshëm dhe apriori e di që 'fundjava' disa sekondëshe po mbaron. Largimi nga votra e vjetër, duke lënë pjesët e shpirtit tënd aty si dy roje nderi, sjell shumë dhembje. Janë pothuajse të barabarta dhembja e ndarjes me lumturinë që sjell takimi me ta - në ëndërr!

Tuesday, February 7, 2017

Mendime të lira

********************************************************************
Liria nuk është absolute, ajo ka rregulla dhe kufinjë, përndryshe degradon në anarki dhe robëri! (s.n.) (23.04.2023)
********************************************************************
Betejat që zhvillohen pa zhurmë, mund të ndezin më shumë! (s.n.) (29.03.2023)
********************************************************************
E vërteta në kohë reale nuk është medoemos në sinkron me perceptimin që krijohet për të. Perceptimi ndodh me inercion, atëherë kur realiteti veç ka pësuar ndryshim! (s.n) (23.03.2023)
********************************************************************
Nëse të duhet, zëvendësoje 'të vjetrën' me 'të renë', por në vend që ta hudhësh në koshin e harresës, ruaje 'atë' në arkën e kujtesës! (s.n.) (22.12.2022)
********************************************************************
Si do t'i kujtojmë të vdekurit, kur po i harrojmë edhe të gjallët! (s.n.) (02.11.2022)
********************************************************************
As retë e dendura në qiell, as perdet e mbyllura në dritare, e as muret e trasha të qelive, nuk e ndalojnë diellin të lind çdo mëngjes! (s.n.) (11.04.2022)
********************************************************************
Mallin për të shkuarën, mundohu ta shuash me të tashmen, e cila po ashtu mund të të ik dhe një ditë edhe ajo të jetë veçse një e shkuar! (s.n.) (22.02.2022)
********************************************************************
Na kujtohet pothuajse gjithçka që nuk kemi bërë, përderisa harrojmë shumëçka që kemi bërë. A thua që mosveprimi të jetë më mbresëlënës se veprimi? (s.n.) (19.02.2022)
********************************************************************
Njerëzit duke qenë më shumë sipërfaqësor harrojnë të jenë edhe pak përmbajtësor. Kështu, për shembull ata më shumë kujdesen për mirëmbajtjen e trupit të tyre nga së jashtmi, duke anashkaluar shpeshherë funksionalitetin e tij nga së brendshmi. Të mos flasim pastaj që lënë pas dore krejtësisht kujdesin shpirtëror për veten e tyre. (s.n.) (30.01.2022)
********************************************************************
Dyshimi i njerëzve për efektivitetin e vaksinave edhe mund të këtë për bazë panjohuritë shkencore të tyre, por paradoksi qëndron kur shkenca dyshon në (pa)mjaftueshmërinë e imunitetit natyror tek njerëzit! (s.n.) (23.01.2022)
********************************************************************
Që të mund të mbajmë kursin në rrugëtimin drejt së ardhmes, ndonjëherë na duhet që shpirtin ta ushqejmë me kujtimet e së shkuarës e trupin me ushqimet e së tashmes. (s.n.) (19.01.2022)
********************************************************************
Gabimet e mjekëve i mbulon dheu, e për gabime të mësuesve kemi mjekë të gabuar. (s.n.) (16.01.2022)
********************************************************************
Kthesa jetike në zhvillimin e shoqërisë njerëzore ishte shkollimi. E ngjashme me mungesën e shkollimit, është degradimi i tij! (s.n.) (15.01.2022)
********************************************************************
Politikanët, njëkohësisht janë mbamendësit dhe harrestarët më të mëdhenj! Përderisa, pothuajse harrojnë se kush ishin, nga vinin e çfarë thanë, deri në hakmarrje mbajnë në mendje çdo pengesë e çdo gjë që u doli përballë drejt ngritjes së tyre. (s.n.) (14.01.2022)
********************************************************************
Jeta është një udhëtim me një drejtim. Edhe kur vendnumërojmë, jemi duke udhëtuar në kohë. Vetëm kthim prapa s'ka! (s.n.) (07.01.2022)
********************************************************************
Të bazuarit në të dhënat shkencore, nuk të japin vetëm mundësinë e analizës (konstatimit të gjendjes) por edhe të sintezës (parashikimit dhe ideimit të zgjidhjeve). (s.n.) (27.12.2021)
********************************************************************
Jo veç gjuhësisht, por edhe praktikisht, secila paMUNDËSI është një lloj s(ë)MUNDJE! (s.n.) (18.12.2021)
********************************************************************
Të gjallët, vështirë ta faktojnë historinë e së kaluarës. Në rastin e kundërt, të një udhëtimi ajnshtajnian pas në kohë, t'u tregosh historinë e së tashmes atyre që nuk jetojnë më, vështirë ta besojnë! (s.n.) (08.12.2021)
********************************************************************
Jo rrallë, mimika e fytyrës është një pasqyrim i gjendjes shpirtërore! (s.n.) (22.11.2021)
********************************************************************
Pa vullnetin e tyre, njerëzit me individualitet udhëhiqen nga njerëzit e turmave. (s.n.) (13.11.2021)
********************************************************************
Këmbanat e zgjimit dhe ngritjes së vetëdijes mbarëkombëtare, do të duhej të bien pa u ndalur, orë e çast, e kundërta vlen: 'uji fle, anmiku nuk fle'! (s.n.) (25.09.2021)
********************************************************************
Në politikë, më mirë pa opozitë se sa me një kuazi-oponencë. (s.n.) (24.09.2021)
********************************************************************
Sado të hapura gjithandej, degët e një peme ushqehen nga rrënjët e të njëjtit trung. Ndonjë degë që shkon shumë më larg, edhe mund të thyhet e të mos jetë më pjesë e pemës! (s.n.) (03.09.2021)
********************************************************************
Errësira dhe qetësia janë sinonime të vdekjes, prandaj bëj dritë dhe thyej heshtjen, që të ndjehet jeta! (s.n.) (31.08.2021)
********************************************************************
Vaji i fëmijëve tingëllon njëlloj kudo në botë. Edhe të qeshurat e tyre po ashtu. Bashkëndje me dhembjen e vuajtjen e tyre dhe bëj që buzëqeshja t'u kthehet në fytyrat e tyre të njoma! Bëje botën më të lumtur! (s.n.) (22.08.2021)
********************************************************************
Çdo i vaksinuar përballë infeksionit me virus ngjan me një rrufepritës përballë një zbrazjeje atmosferike. Sa më shumë të tillë që ka, përfitohet një zonë mbrojtëse efikase dhe e sigurt për të gjithë. (s.n.) (24.07.2021)
********************************************************************
Jetojmë në ëndrrat e së shkuarës, përderisa ajo që ka kaluar na përngjan si një ëndërr. (s.n.) (04.06.2021)
********************************************************************
Fëmijët janë gjurmët që duhet ndjekur për një të ardhme më të lumtur në botë! (s.n.) (27.02.2021)
********************************************************************
Familja është si një diamant, me një fortësi shkëmbi e shkëlqim hyjnor, e që mbahet nga dashuria. (s.n.) (27.01.2021)
********************************************************************
Sidomos për një shoqëri në tranzicion, njëlloj është e dëmshme si mospjesëmarrja në votime, ashtu edhe mungesa e një aktivizmi politik të të gjithë komunitetit. Nuk guxohet të lihet fati i të gjithëve në duart e vetëm një grupi njerëzish, që jo rrallë herë synojnë politikën si mjet arritjeje qëllimesh të tyre të ngushta a klanore! (s.n.) (16.01.2021)
********************************************************************
Sa më shumë që po rritet njerëzimi, aq më shumë njeriu po ndjehet më i vetmuar!... (s.n.) (08.01.2021)
********************************************************************
Vlerësoje të djeshmen dhe nxjerr mësimet e duhura ashtu që e nesërmja mos ta ndjej të nevojshme të të gjykoj për veprimet që i bën sot! (s.n.) (11.11.2020)
********************************************************************
Njeriun, asgjë nuk e ruan më mirë nga të bëmat e tij, se sa ndërgjegjja e tij, nëse e ka. (s.n.) (01.11.2020)
********************************************************************
Një qëllim madhor duhet të të jap kurajën që të mos dorëzohesh përpara asnjë ligësie a motivi të ulët. (s.n.) (31.10.2020)
********************************************************************
Ndjehu keq dhe kërko falje, jo vetëm për premtimet e papërmbushura por edhe për mundësitë për vepra të mira që ke pasur, por që nuk i bëre dot! (s.n.) (25.01.2020)
********************************************************************
Jeta, më parë se të jetë një dhuratë, është një mision. Çështja është se me sa devotshmëri do ta luajmë rolin tonë në këtë mision. (s.n.) (05.01.2020)
********************************************************************
Pothuajse të humbin fjalët, kur mendon së gjithçka të është ose e njohur ose e pamundur. (s.n.) (30.12.2019)
********************************************************************
Fëmijë mund të mbetesh për tërë jetën, nëse ia del që duke u rritur, shpirtin tënd të mos e bësh strehë të djallit. (s.n.) (23.11.2019)
********************************************************************
Sa më shumë që zotëroja rrahjen e tasteve të kompjuterit, aq më pak praktikoja lapsin dhe bukurshkrimin. 💻vs.✏(s.n.) (09.11.2019)
********************************************************************
Kur isha më i ri, e dëgjoja më ëndje muzikën e vjetër që atëherë ishte e kohës, e tash që po plakem nuk e ndjej më njëlloj muzikën e kohës që tashmë është e re. 🎶🎼🎧📻🔊 (s.n.) (09.10.2019)
********************************************************************
Zëre çastin, e pastaj jeto me aromën e nektarit të tij. (s.n.) (20.08.2019)
********************************************************************
Ndonjëherë gjatë ecjes jetësore, të bën mirë të ndalosh e të kthesh kokën prapa. Kështu, duke krahasuar të kaluarën me të tashmen, mund të gjykosh se deri ku ke mbërritur si dhe mund të vlerësosh se sa larg qëndron nga kulmet e arritjeve të synuara jetësore. (s.n.) (09.08.2019)
********************************************************************
Jo gjithnjë të të ngazëllejë një buzëqeshje e bardhë, por as të të mërzisë një mimikë e ngrysur! Kjo e fundit mund të jetë duke u merakosur për ty, për dallim nga e para e cila mund të jetë duke u zgërdhyer me ty! (s.n) (24.07.2019)
********************************************************************
Edhe e kaluara sado e lavdishme të ishte, fillon e zbehet kur e tanishmja është e ngrysur! (s.n.) (29.06.2019)
********************************************************************
Kur ndodhi Shpërthimi i Madh, nga energjia pafundësisht e madhe, u krijua materia. Pra, i bie që e para ishte idea! (s.n.) (30.05.2019)
********************************************************************
Këndi prej kah vështron njeriu është unik, prandaj ai ka unin e tij, mendimin dhe veprimin e tij, botëkuptimin e tij. (s.n.) (12.05.2019)
********************************************************************
Asgjë e keqe nuk pritet të të ndodh nëse nuk e bën një të keqe!... (s.n.) (03.05.2019)
********************************************************************
Shteti ashtu si familja mund të degradoj, kur 'të zotët' trajtojnë vetëm vetën e tyre! (s.n.) (24.04.2019)
********************************************************************
Dashuria dhe urrejtja nuk qëndrojnë shumë larg njëra tjetrës. Si një binom, ato janë anët e kundërta të së njëjtës medalje. (s.n.) (23.04.2019)
********************************************************************
Sfidë dhe arritje e veçantë në jetë është kur gjërave që kanë vajtur keq, mund t'ju japësh një epilog të suksesshëm. (s.n.) (13.04.2019)
********************************************************************
I vetmi antidot që mund të shuaj helmin që nxjerr urrejtja, është dashuria! (s.n.) (26.03.2019)
********************************************************************
Jeta çdo ditë na jep mësime, por ne vështirë t'ua nxjerrim kuptimin. (s.n.) (13.03.2019)
********************************************************************
Kjo tokë që na mban e na ushqen, e prej së cilës të gjithë ruhemi të mos përbaltemi! Çfarë përbuzje ironike! (s.n.) (08.03.2019)
********************************************************************
Rrethanat nuk të përshtaten ty, ti duhet t'ju përshtatesh atyre. (s.n.) (02.02.2019)
********************************************************************
Një prej instrumenteve matëse të demokracive të zhvilluara, përpos zgjedhjeve të lira, fjalës së lirë etj., është edhe organizimi sindikal i të gjitha kategorive të punëmarrësve. Ndërsa, për cilësinë e rezultateve të punëve, kujdesen punëdhënësit, duke siguruar ambient me të gjithë parametrat e nevojshëm. Në një vend funksional, gjithsecili kryen detyrën sipas roleve që mbart! Suksesi i matur me nivel performance, e i bazuar në ngritje dhe përvojë profesionale, do të jetë kriter për shpërblim. (s.n.) (21.01.2019)
********************************************************************
Gjithsecili bart rolin kryesor në filmin e jetës së tij. (s.n.) (06.12.2018)
********************************************************************
Përderisa institucionet e dijes do të duhej të ideonin, projektonin dhe ndërtonin rrugët e së ardhmes, institucionet qeveritare do të duhej të zbatonin ato politika, rezultatet e të cilave do të ishin të prekshme në kohën aktuale, në kuptimin sa më cilësor, për gjithsecilin. Në të kundërten, çdo mosfunksionim i tillë apo përzierje e roleve, do të kishte për pasojë një shthurje totale në shoqëri deri në depresion kolektiv, si dhe shuarje të ëndrrave për një të ardhme më të ndritur! (s.n) (04.12.2018)
********************************************************************
E keqja e ka kapluar këtë botë, si një ortek që vjen e rritet. Gjithçka e shkapërderdhur, gjithandej! (s.n.) (30.09.2018)
********************************************************************
Ti edhe mund t’i kesh fituar betejat më radhë, por të kesh humbur luftën në fund. (s.n.) (02.09.2018)
********************************************************************
Shprehja e ndjesive të theksuara vjen në pah si rezultat i njohurive të pamjaftueshme të thellësisë së gjërave. (s.n.) (04.08.2018)
********************************************************************
Gjërat e shtrenjta nuk kanë çmim dhe nuk blihen. Ato ose fitohen nga sakrifica ose dhurohen nga dashuria. (s.n.) (17.07.2018)
********************************************************************
Ekonomia dhe rrjedhimisht e ardhmja e një vendi është e pashpresë atëherë kur bankat u ofrojnë bizneseve kredi me kamata të larta, përderisa depozitat “shpërblehen” pothuajse me zero normë të interesit. (s.n.) (14.07.2018)
********************************************************************
Njerëzit e mëdhenj ashtu si meteorë, pasi që kryejnë misionin, sikur shpejtojnë të ikin duke lënë pas veprën e tyre si gjurmën që shndrit. (s.n.) (11.06.2018)
********************************************************************
Të gjallët duhet vazhduar së jetuari edhe për të mos u vyshkur kujtimi për të vdekurit! (s.n.) (10.06.2018)
********************************************************************
Një gjë është e sigurt, se edhe në të kaluarën sado të largët, jeta ka qenë me ngjyra! (s.n.) (15.05.2018)
********************************************************************
I kemi parë vet, kur hienat në tufë ua merrnin prenë disa luanëve! (s.n.) (25.04.2018)
********************************************************************
Fjala e urtë popullore duke qenë aq e vjetër dhe e skalitur nëpër kohë, rezonon aq pa lëkundshëm, sa që duket të jetë e shenjtë, si të ishte fjalë e Perëndisë. (s.n.) (20.04.2018)
********************************************************************
Kush nuk mëson nga historia, ajo do t'i riprovojë duke iu përsëritur si një spirale e Arkimedit! (s.n.) (03.04.2018)
********************************************************************
Orteku i pangopësisë rrezikon seriozisht racën njerëzore! (s.n) (30.03.2018)
********************************************************************
Të mësosh nuk është luks, por pastaj të bëhesh i ditur është privilegj. (s.n.) (14.02.2018)
********************************************************************
Njëlloj është e rrezikshme, si arma në dorën e një vrasësi, si lapsi në dorën e një injoranti. (s.n.) (02.02.2018)
********************************************************************
I dashur njeri, kjo botë ka ekzistuar edhe para se të vije ti, e do të vazhdoj të ekzistoj edhe pasi ti të mos jesh. Prandaj, merre shtruar dhe me qetësi dhe jetoje njerëzisht episodin e jetës që të është dedikuar. (s.n.) (05.12.2017)
********************************************************************
Përderisa optimisti e imagjinon një dritë në fund të tunelit, pesimisti ngutet t’ia fik atë. (s.n.) (25.11.2017)
********************************************************************
Populli është arma, me votën e të cilit arrihet në pushtet, prandaj, lamtumirë popull deri në katërvjeçarin e ardhshëm! (s.n.) (23.11.2017)
********************************************************************
Dhembja ngjason me hijen. Kudo që të ikësh, ajo të vjen pas. (s.n.) (17.11.2017)
********************************************************************
Koha është relative. Ndonjëherë disa momente lejnë gjurmë më shumë se sa vitet, e ndonjëherë vitet na ikin pa i vënë re. (s.n.) (17.11.2017)
********************************************************************
E pabesueshme, por më të gjallë janë disa të vdekur. E dhembshme, kur më të vdekur janë disa të gjallë! (s.n.) (11.11.2017)
********************************************************************
Koha paraqet një trajektore sekuencash diskontinuale të raportit në mes të materies dhe lëvizjes. (s.n.) (07.11.2017)
********************************************************************
Jo shumë kohë më parë, e ëndërronim lirinë, ndërsa sot e kuptojmë se liria është nocion relativ, kompleks dhe shumëdimensional. Sido që të jetë, liria e individit duhet të shtrihet deri në atë masë, ku nuk fillon të cenohet liria e tjetrit. (s.n.) (15.09.2017)
********************************************************************
Mos nis ditën e re me hidhërimin e vjetër, sepse dita e re sjell shans të re. (s.n.) (08.09.2017)
********************************************************************
Nëse kjo botë dhe jeta në të është një shfaqje hyjnore, e pavarësisht se a kemi të bëjmë me premierë apo reprizë, atëherë skenari edhe mund të jetë shkruar deri në detaje apo thjesht gjithçka zhvillohet e pa determinuar brenda një kornize saktësisht të definuar me mundësi të ndërhyrjeve në raste. (s.n.) (27.07.2017)
********************************************************************
Janë dy kategori njerëzish, politikanët dhe ne. (s.n.) (10.06.2017)
********************************************************************
Kur tradhtia lind në besatim, ti më kot e kërkon njeriun. (s.n.) (01.06.2017)
********************************************************************
Ngritjet dhe rëniet në jetë ngjasojnë me ngjitjet dhe zbritjet nga shkallët. Të lodhshme janë ngjitjet shkallëve, e krejt lehtësisht zbresim nga to. Prandaj, përqendrimi më i madh duhet të jetë kur të kemi arritur majat. Fare lehtë, jeta mund të na rrokullisë teposhtë! (s.n.) (28.05.2017)
********************************************************************
Geocentrikët shihnin botën si qendër të sistemit planetar, ndërsa mediokrët shohin botën të lëviz rreth tyre. (s.n.) (24.05.2017)
********************************************************************
Njeriu jeton edhe për aq kohë sa ka kush e kujton atë. (s.n.) (14.05.2017)
********************************************************************
Jeta është luftë, lufto! (s.n.) (07.05.2017)
********************************************************************
Nëse duhet zgjedhur, në rastin më të keq, më e pranueshme do të ishte një diktaturë se sa një anarki. Së paku, faji do të kishte emër dhe adresë! (s.n.) (25.04.2017)
********************************************************************
Duke qenë se njeriu është pjesë integrale e natyrës, atëherë çdo veprim i tij është i natyrshëm. (s.n.) (19.03.2017)
********************************************************************
Shfaqja e vetme në të cilën të gjithë njerëzit sillen pa u pyetur, jo vetëm për të shikuar por edhe për të luajtur pjesën e tyre, e megjithatë asnjëri nuk do ta lëshon skenën e amfiteatrit sado dramatike të jenë duke u zhvilluar ngjarjet në të, është jeta. (s.n.) (16.03.2017)
********************************************************************
Labirint që përfundon në kurth është jeta. (s.n.) (28.02.2017)
********************************************************************
Jetoje vetëm jetën tënde, pa e dëmtuar lirinë dhe të drejtën e tjetrit. Lëri më shumë hapësirë Zotit, të bëj punën e Tij! Bota është strehë e mjaftueshme për të gjithë. Mjafton të mbulohet me petkun e dashurisë! Para se të bëhesh i ligë, mos harro të kujtohesh se edhe makina jote një ditë do të shuhet! Pas të mirit dhe të ligut do të mbetën vetëm kujtimet, të cilat nuk do të mund të shlyhen ndër breza!... (s.n) (24.02.2017)
********************************************************************
Në jetë ndodh plot herë që të lëkundesh me shumë mëdyshje për të vazhduar në rrugën që ti mendon se është më e drejta. Mirëpo, pavarësisht, se do të të shfaqen pengesa serioze, ti, asnjëherë mos ndalo që të plotësosh kohën tënde të shenjtë të jetës, e cila të është dedikuar. Mund të ndodh që rrethanat të ndryshojnë aq shumë, të tilla që të duket se je zbritur papritur në Tokë nga askundi, por, fakti që ti vazhdon të jesh akoma në jetë, është sinjal i sigurt që duhet të vazhdosh rrugëtimin tënd. Mos të të ndaloj dëshpërimi, braktisja, vështirësia e çastit. Çdo gjë ka zanafillë dhe fund. Mos lejo të të diktoj tjetri fundin! Përballo, me qetësi hyjnore, sikur gëzimin, edhe vuajtjen, pikëllimin, dhembjen. Ti mund të mos e besosh, por me besim, ti mund të gjesh edhe qëllimin e rrugëtimit tënd. Është dikush dhe diçka që do të të qëndroj aq afër, brenda teje, sa do të të lehtësoj dhe ndriçoj rrugëtimin tënd. Dikush që do të gëzohet si fëmijë, që ti do ta pranosh për dritë të syve tu’. Si prindi që i gëzohet dashurisë kthyese të fëmijës së tij... (s.n.) (05.02.2017)
********************************************************************
Hipokrizia ekstremisht e çmendur e njeriut në pushtet ndodh kur tentohet që fati i tij i lëkundur të ndryshohet duke e pështjelluar atë me fatin kolektiv duke nxitur lëkundje të mëdha dhe për më keq duke provuar të përfitoj duke ri-shkruar dhe vulosur emrin e tij në histori! Kështu ka ndodhur gjithnjë gjatë tërë historisë njerëzore dhe e tillë mbetet pritshmëria edhe për të tashmen dhe të ardhmen!... (s.n.) (24.01.2017)
********************************************************************
Historia nuk është gjë tjetër pos përmbledhje e biografive të njerëzve të mëdhenj, të tjerët janë thjesht numra. Nisur nga kjo, udhëheqësit e shteteve të fuqishme edhe mund të shënojnë epokë në histori - për të mirë a për të keq. Njerëzit e thjeshtë që paraqesin numrat në faqet e historisë, edhe mund të nuhasin ardhjen e këtyre epokave - dhe demonstrojnë! Jo gjithmonë, një epokë e re ka sjellë dritë dhe shpresë!... (s.n.) (20.01.2017)
********************************************************************
Në fakt, ne bashkëjetojmë çdo ditë me zombit! Ata janë kudo, rreth dhe mes nesh! Mjafton, të ndiqen edicionet e lajmeve dhe të bindemi për këtë!... (s.n.) (25.12.2016)
********************************************************************
Koha është relative. Ndonjëherë disa momente lejnë gjurmë më shumë se sa vitet, e ndonjëherë vitet na ikin pa i vënë re. (s.n.) (17.11.2016)
********************************************************************
Mos lejo pleqërinë, te të pyet se ku e pate rininë! (s.n.) (14.11.2016)
********************************************************************
Nuk je rritur, nëse ke zvogëluar tjetrin! (s.n.) (07.10.2016)
********************************************************************
Ne, kur lutemi ashtu në ndërdije, që planeti ynë të mos goditet nga trupa qiellorë pa orbitë, harrojmë fare të lutemi edhe për Hënën, pa të cilën nuk do të ekzistonte as Toka! Toka dhe Hëna jetojnë në çift, në harmoni të plotë. Në këtë mënyrë ato kanë mbijetuar deri tani!... Mos të harrojmë, kur të lutemi për veten, të ndajmë një copëz lutje edhe për Atë tjetrin, pa të cilin jeta do të ishte e zbrazët, siç është e zbraztë edhe pjesa më e madhe e qiellit!... (s.n.) (03.10.2016)
********************************************************************
Pa u zhytur në filozofinë e Pse-së së madhe për ekzistencën e botës që e prekim dhe e ndjejmë, si dhe duke e marrë për të qenë maksimën: "Mendoj, prandaj ekzistoj!", nuk ka dyshim se çdo veprim i ynë, do të hedhet në aksin e lokomotivës kohore, ashtu që efekti i tij të mund të përballoj sa më shumë nga ky rrugëtim, edhe atëherë kur ne, fizikisht, nuk do të mund të jemi bashkudhëtar me të, ani pse, ndoshta shpirtërorja do të donte të kthente mbrapsht në aks, për të bërë ndonjë korrigjim eventual!... (s.n.) (18.09.2016)
********************************************************************
Historia nuk është gjë tjetër veç se përmbledhje e biografive të njerëzve të mëdhenj. Të tjerët janë thjesht numra. (s.n.) (15.09.2016)
********************************************************************
Trungu mund të rrëzohet, por rrënjët mbesin! (s.n.) (01.09.2016)
********************************************************************
E vërteta?... Secili ka versionin e tij!... (s.n.) (30.07.2016)
********************************************************************
Sa të vështirë janë njerëzit. Për t'iu drejtuar atyre shpesh duhet përdorë "vegla" analoge si To, Cc apo Bcc. Për dallim nga kur i drejtohemi Krijuesit tonë - në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pavarësisht gjithçkaje! Faleminderit o Zot! (sn) (25.07.2016)
********************************************************************
Ndonjëherë duhet të vraposh që të mësosh të ecësh! (s.n.) (12.02.2016)
********************************************************************
Me ty, si pa ty! Por, pa ty?!... (s.n.) (24.01.2016)
********************************************************************
Në ballafaqimin triumfues me kundërshtarin, gjithmonë lej një shteg hapur, në mënyrë që ai të mund të dali faqebardhë nga ajo humbje! (s.n.) (14.01.2016)
********************************************************************
Ndaj njerëzve të mëdhenj duhet sjellur si ndaj zjarrit, nuk u duhet qëndruar shumë larg se do të mërdhish, por as shumë afër se do të djegësh! (s.n.) (09.01.2016)
********************************************************************
Dikujt as në akull nuk i rrëshqasin këpucët. (s.n.) (17.12.2015)
********************************************************************
Bota është marrëdhënie e të kundërtave. (s.n.) (02.12.2015)
********************************************************************
Koha e kërkon njeriun në flakë. (s.n.) (01.12.2015)
********************************************************************
Nëse je vegjetarian, përse ua ha ushqimin kafshëve? (s.n.) (18.11.2015)
********************************************************************
Askujt nuk i dhurova jetë, që t'i jap vetës të drejtë t'i marr dikujt! (s.n.) (14.11.2015)
********************************************************************
Dy vdekje s'janë, e njërës s'mund t'i ikësh! (s.n.) (13.09.2015)
********************************************************************
Jeta është një labirint! Kur të të mbyllet një portë, mos u dorëzo, ka plot të tjera që janë të hapura! Ti vetëm duhet t'i gjesh! (s.n.) (18.07.2015)
********************************************************************
Kalojmë çdo ditë të jetës, njërën pas tjetrës, duke u përpjekur për një të ardhme, por, vetëm të kaluarën e kemi në pronësi. (s.n.) (18.05.2015)
********************************************************************
Vetëm për faktin se mund të flasësh, nuk do të thotë që medoemos edhe duhet të flasësh! (s.n.) (09.04.2015)
********************************************************************
Dashuria zvogëlon vdekjen! (s.n.) (26.03.2015)
********************************************************************
Gazetari, gjysmën e karrierës së tij profesionale e kalon duke shkruar për gjëra që nuk i di mirë, kurse gjysmën tjetër e kalon duke mos shkruar për gjëra që i di fort mirë! (s.n.) (12.11.2014)
********************************************************************
Në kohëra të padrejta, korrigjohen "padrejtësitë" që janë bërë në kohëra të drejta. (s.n.) (27.04.2014)
********************************************************************
Kur reflektoni pozitivizëm, edhe absorboni pozitivizëm. (s.n.) (26.01.2014)
********************************************************************
Ndonjëherë duhet pasur frikë nga dëshirat e mëdha, sepse ka të ngjarë që ato një ditë të realizohen!... (s.n.) (04.09.2013)
********************************************************************
Koha i shëron plagët, por kur plaga është e madhe, koha është oksigjeni i saj!... (s.n.) (13.10.2012)
********************************************************************
Nëse Djalli është këtu, duhet të ekzistojë edhe Zoti! (s.n.) (30.09.2012)
********************************************************************

Manastiri i Deçanit dhe Gjykata Kushtetuese

Manastiri i Deçanit, rikthen pronat duke iu falënderuar Gjykatës Kushtetuese te Kosovës, e cila kur liston një Përmbledhje kronologjike te fakteve (AKTGJYKIM ne rastin nr. KI132/15, dt. Prishtine, me 20 maj 2016):

• 20. Me 28 qershor 1946, duke u bazuar ne paragrafin 2, neni 18 i Ligjit mbi Reformen Agrare dhe Kolonizimin te Brendshem te Serbise, "Keshilli Ekzekutiv Popullor i Rrethit per Kosove e Metohi", me seli ne Prizren, i Republikes Socialiste Federative te Jugosllavise se atehershme, nxori Vendimin Uf. 2649, duke i shpronesuar parashtruesit te kerkeses disa ngastra toke.
• 21. Me 5 nentor 1997, Qeveria e Republikes se Serbise lidhi Marreveshje mbi Dhurimin, Uf. 04 Uf. 464-2914-97, me parashtruesin e kerkeses. Me kete Marreveshje mbi Dhurimin, nje pjese e tokes se konfiskuar iu kthye parashtruesit te kerkeses dhe u regjistrua ne kadaster me numer 464-2914/97.


- do të duhej të merrte në konsideratë edhe faktet e pamohueshme të radhës:

RREGULLORE NR. 1999/1

UNMIK/RREG/1999/1

25 qershor 1999

PËR AUTORIZIMET E ADMINISTRATËS SË PËRKOHSHME NË KOSOVË

Neni 2

RESPEKTIMI I STANDARDEVE TË PRANUARA NDËRKOMBËTARE

Të gjithë personat që marrin përsipër detyra publike ose mbajnë funksione publike në Kosovë, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre duhet t’i respektojnë standardet e pranuara ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të mos diskriminojnë asnjë person për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, bindjes politike ose bindjeve të tjera, origjinës kombëtare, etnike apo sociale, shoqërimit me një komunitet kombëtar, pasurisë, lindjes ose të ndonjë statusi tjetër.

Neni 3

LIGJI NË FUQI NË KOSOVË

Ligjet e Kosovës të cilat kanë qenë në fuqi në territorin e saj para datës 24 mars 1999 do të vazhdojnë të zbatohen në Kosovë nëse nuk bien në kundërshtim me standardet e përmendura në nenin 2, me përmbushjen e mandatit të dhënë UNMIK-ut me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ose me këtë rregullore a çdo rregullore tjetër të nxjerrë nga UNMIK-u.


Efekti konkret i Neneve 2 dhe 3, është zhvleftësimi i të gjitha Ligjeve diskriminuese të Serbisë, në raport me Kosovën, gjatë periudhës së dhunimit të Autonomisë së Kosovës. Kjo fuqizohet edhe më shumë me:

RREGULLORE NR. 1999/24

UNMIK/RREG/1999/24

12 dhjetor 1999

PËR LIGJIN NË FUQI NË KOSOVË

Neni 1

LIGJI NË FUQI

1.1 Ligji në fuqi në Kosovë përfshin:

(a) Rregulloret e shpallura nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe instrumentet ndihmëse të nxjerra në përputhje me to dhe

(b) Legjislacionin në fuqi në Kosovë më 22 mars 1989.

"Në kohëra të padrejta, korrigjohen "padrejtësitë" që janë bërë në kohëra të drejta." (s.n.)

Prishtinë, 21 Maj 2016

Friday, February 3, 2017

BE-ja dhe Kosova

Naivitet politik është të mendohet dhe të besohet se BE-ja nuk do ta pranojë në gjirin e saj Serbinë, vetëm për shkakun se ajo ka tema të hapura me Kosovën. Mos të harrohet fakti se në BE është edhe Qiproja (pjesa greke) dhe kështu i bie se ajo (BE-ja) një pjesë të territorit të saj (pjesën turke të Qipros) e ka të kontestuar, por ajo se ka aspak problem këtë gjë. Edhe Bullgaria dhe Rumania janë pranuar në BE pa i plotësuar kriteret, ka mjaftuar vetëm kriteri kryesor - ai politik. Pra, nëse BE-së i intereson ta këtë brenda vetes - Serbinë, për motive politike, ajo (BE-ja) do t'i anashkalojë temat e hapura që i ka Serbia me Kosovën. Aq më parë, kur tashmë janë hedhur firmat iniciale dhe të plota, në shumë marrëveshje trepalëshe, e që do t'i faturohen si sukses dhe plotësim kriteresh - Serbisë. Kosova, me apo pa të drejtë, do të mbetet edhe për një kohë të ëndërrojë për Evropën!...

Prishtinë, 08 Mars 2016