Tuesday, September 4, 2018

Kosova dhe të gjitha “korrigjimet” e kufijve të saj

Vilajeti i Kosovës, i krijuar nga Perandoria Osmane, në pjesën e dytë të shekullit XIX, për dallim nga tre vilajetet e tjera me etni shqiptare (Shkodrës, Manastirit dhe Janinës), pësonte më shumë lëvizje gjeografike dhe shtrihej edhe përtej vendbanimeve shqiptare, e tërë kjo për të shkaktuar kështu një heterogjeni etnike dhe rrjedhimisht për të dobësuar lëvizjen kombëtare shqiptare që kishte intensifikuar veprimtaritë e saja, në këto anë, e të cilat kulmojnë me Lidhjen e Prizrenit e më pastaj edhe me Lidhjen e Pejës.

Pas luftërave ballkanike, Traktati i Londrës i vitit 1913, Kosovën e ndau në mes të Serbisë dhe Malit të Zi, ndërsa në Mbretërinë SKS (e më pas Jugosllave), territori i sotëm i Kosovës ri-organizohej herë në Rrethe e herë në Banate, për të njëjtat arsye si dikur në Vilajetin e Kosovës, me qëllim të ndryshimit të përbërjes etnike të Kosovës. Ishte kjo periudha e një spastrimi të paimagjinueshëm etnik dhe kolonizimit të këtushëm të hapësirave me serb e malazez.

Pas pushtimit të Mbretërisë Jugosllave nga Forcat e Boshtit, me 1941, sërish Kosova pëson një shkëputje, po ashtu për interesa të pushtuesve, ku pjesa më e madhe iu bashkëngjit Mbretërisë Shqiptare të kontrolluar nga Italia, ndërsa pjesa tjetër u nda në mes Gjermanisë dhe Bullgarisë. Kosova, përkundër Vendimeve të Konferencës së Bujanit, të miratuara unanimisht nga Fronti Antifashist Nacional-Çlirimtar i Kosovës, me ç’rast “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”, pas përfundimit të L.II.B, pësoi sërish, tashti duke mbetur pjesë e Jugosllavisë Komuniste, nën administrimin e Serbisë.

Fillimisht si Krahinë e Kosovë dhe Metohisë, e më vonë me Kushtetutën e vitit 1974, avancoi duke fituar një autonomi substanciale, por serish me ndryshime të kufijve administrativ, gjatë tërë kësaj periudhe, duke i bashkangjitur komuna me shumicë serbe në veri e duke ia marrë ndonjë me shumicë shqiptare në lindje të saj. E tërë kjo, për të shtrembëruar pasqyrën etno-demografike të Kosovës, e cila përkundër vazhdimit të spastrimit etnik (i mbetur në gjysmë, nga periudha në mes të dy luftërave botërore) shënonte një natalitet në rritje të shqiptarëve, gjithandej. Pas rënies së Rankoviqit dhe thellimit të autonomisë (themelimi i Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve të tjera), zhvillimi i Kosovës dhe avancimi i shqiptarëve kishte marrë hov. Mirëpo, pas vdekjes së Titos dhe pas Demonstratave të vitit 1981, apetitet serbe për t’u rikthyer në Kosovë, kulmuan deri në atë pikë, sa fillimi i viteve të ’90-ta shënon rënien e Jugosllavisë dhe fillimin e luftërave të përgjakshme në këto anë. U deshtë gati një dekadë pas përfundimit të luftës në Kosovë, që të vijë deri te shpallja e Pavarësisë, me 2008, nën mbikëqyrjen e shteteve euro-atlantike, e të cilat edhe kishin mundësuar çlirimin e saj, krahas rezistencës epike nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Aktualisht, Kosova numëron 117 njohje diplomatike nga shtete të pavarura (prej tyre 2 njohje të tërhequra). Flamuri i Kosovës, me një sfond të kaltër, mban hartën e Kosovës, me të cilën demonstrohet pacenueshmëria e kufijve të saj, si dhe mbi të, të vendosura 6 yje, që simbolizojnë grupet etnike më të mëdha në vend. Kështu, nënkuptohet që sipas Kushtetutës (të bazuar në Pakon e Ahtisarit), të drejtat e të gjitha etnive janë të garantuara, deri në masën e ‘diskriminimit pozitiv’ për ato etni që janë më pak në numër se shqiptarët.

Shtetet gjatë tërë historisë, kryesisht janë krijuar mbi territore jo krejtësisht mono-etnike. Në demokracitë perëndimore, pakicat përpos si pasuri e diversitetit etno-kulturor paraqesin edhe një garant për raportet ndërshtetërore, sidomos të atyre që ndajnë kufij të përbashkët. Natyrisht, reciprociteti në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të tyre është bazik. Dihen fatet e atyre diktaturave dhe tiranëve që tentuan të krijojnë perandori apo shtete të shumicës mbi kurriz dhe fatkeqësi të pakicës. Dhe këto histori nuk janë shume të vjetra. Përse mentaliteti ballkanik nuk po arrin të ndryshojë për të mirë dhe të arrihet një pajtueshmëri, se e drejtë universale e secilit njeri apo grup etnik është të jetojë e të punoj, aty ku ai ndodhet. Nëse vendet e Ballkanit juglindor kanë për synim të bëhen pjesë e familjes evropiane, atëherë asnjë korrigjim i kufijve me bazë etnike nuk do të duhej të yshtej e assesi të miratohej nga ato vende të cilat mburren për demokraci të zhvilluara dhe mbrojtje e promovim të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Prishtinë, dt. 04 shtator 2018