Wednesday, August 3, 2022

Kosova 'e Amerikës' vs. Serbia 'e Rusisë'

Deklarimet e shpeshta të drejtuesve shtetëror, sidomos prej fillimit të invazionit ndaj Ukrainës, se Rusia qëndron edhe mbrapa nxitjeve të Serbisë kundrejt Kosovës, nuk bazohen në diplomaci të matur dhe të arsyeshme, e po ashtu kur analizohen mirë, edhe mund të mos jenë shumë të sakta. 

Populli serb për nga trungu i prejardhjes janë shumë të afërt me rusët, e po ashtu edhe si shtete janë gjendur afër njëra tjetrës në aleanca krejt të natyrshme. Në raport me shqiptarët dhe trojet e tyre, Serbia është ndihmuar e mbështetur nga Rusia, gjatë gjithë historisë më të re. 

Apetitet shekullore të serbëve për dëbimin e shqiptarëve nga tokat e tyre stërgjyshore, nuk janë shuar asnjëherë dhe si të tilla edhe pritet që të jenë në thelbin e politikave e memorandumeve të tyre. Tingëllon si një tentim për shfajësim të Serbisë, kur deklarohet se Rusia qëndron mbrapa të gjitha aktiviteteve për destabilizimin e Ballkanit perëndimor, me theks të veçantë nxitjes për një konflikt të ri Serbi - Kosovë. 

Fjalori i ashpër i përdorur në raste krizash të mëdha, si kjo e luftës në Ukrainë, është një lloj i taktikës psikologjike që përdorin fuqitë e mëdha ndaj njëra tjetrës. Shqiptarët, edhe nga aspekti i trungut të prejardhjes së popujve, nuk kanë afërsi 'gjaku' me asnjë popull. Falë Amerikës, jemi këtu ku jemi. Por, nuk jemi në lidhje 'gjaku' me amerikanët! Për lidhjen me evropianët, as që po flasim. Ani pse, shqiptarët janë ndër banorët më të lashtë të kontinentit të vjetër, ata akoma janë në pritje për t'iu bashkuar 'familjes' evropiane e të lëvizin lirshëm e të barabartë gjithandej. 

Në anën tjetër, serbët janë në lidhje 'gjaku' me rusët, megjithëse Serbia e ka historinë e saj shekullore si shtet dhe si pushtuese, e si e tillë nuk është në moshën e 'adoleshencës' për të ndërmarrë veprime vetëm se atë ia kërkon 'kushëriri' i saj rus. Ka periudha historie, kur edhe raportet mes tyre kanë qenë të ftohura skajshmërisht. Prandaj, është shumë e besueshme pavarësia politike e Serbisë ndaj Rusisë, ashtu siç ishte në kohën e Millosheviqit, kur ajo luftoi me kroatët, boshnjakët e me shqiptarët, e u bombardua dy herë nga NATO-ja, përkundër të qenurit në 'kushërillëk' me rusët. Pra, Serbia, edhe sot, nuk ka nevojë të nxitet nga Rusia, për të qenë armiqësore ndaj fqinjëve të saj. Ajo, e kërkon dhe e mirëpret ndihmën e Rusisë, por, memorandumet me synime ekspansioniste i ka të shkruara vet! 

Drejtuesit shtetëror, duhet të dinë se çdo lloj marrëveshje finale për Kosovën, medoemos do të duhet të kaloj përpos kah Brukseli e Uashingtoni, edhe nga Moska, prandaj fjalorin e ashpër u duhet lënë vetëm këtyre qendrave të mëdha vendimmarrëse. 

Veprat duhet të jenë të mëdha, jo fjalët! 

© Skënder Nitaj, 2 gusht 2022