Sunday, July 10, 2022

Kosova dhe Kushtetuta e vitit 1974

Kosova, për herë të parë në historinë e saj, u bë me Kushtetutë, më 27 shkurt 1974. Paraprakisht, sipas Kushtetutës së vitit 1963 të RFPJ-së, ishte shpallur Krahinë Autonome, më saktësisht bashkësi shoqërore e politike në kuadër të Republikës së Serbisë, pa status kushtetues. Kushtetutës së vitit 1974, i kishin paraprirë shumë zhvillime politike, të cilat shkonin në favor të avancimit të statusit të Kosovës, siç ishin rënia e Rankoviqit, demonstratat e vitit 1968, zyrtarizimi i gjuhës shqipe në vitin 1969, legalizimi i përdorimit të flamurit kombëtar, themelimi i Universitetit të Prishtinës më 15 shkurt 1970 etj. 

Me Kushtetutën e vitit 1974, me Nenin 1, Kosova definohej si bashkësi autonome socialiste shoqërore politike në kuadër të Republikës Socialiste të Serbisë dhe të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Në pjesën e katërt, ku bëhej fjalë për ndryshimet e Kushtetutës së Kosovës, në Nenin 399, thuhej: Mbi dhënien e pëlqimit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Kushtetutës së Republikës Socialiste të Serbisë vendos Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës me shumicën prej dy të tretash të të gjithë delegatëve të Kuvendit. 

Në të gjitha zhvillimet e viteve të 80-ta, e sidomos pas ardhjes në pushtet të Millosheviqit, rrethanat politike u përshpejtuan në disfavor të Kosovës. Kushtetuta e vitit 1974, e sidomos Neni 399, do të bëhej pengesë për synimet serbomëdha, kështu që më 23 mars 1989, Serbia ia doli të suprimoi autonominë e Kosovës. Mësymjeve të Serbisë nuk munden t'u shpëtojnë as Republikat e tjera ish-jugosllave. Mbeten për analizim dhe trajtim nga studiues të politikës dhe historisë rrethanat në të cilat Kosova pati ngritjen dhe më pastaj rënien kushtetuese dhe për meritat ose dështimet e të gjithë akterëve që i kontribuuan këtyre zhvillimeve. 

Roli i veçantë i Kushtetutës së vitit 1974, vihej në pah edhe në Opinionin e GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e vitit 2010, e cila në pikën 61 i referohej Rregullores Nr. 1999/24 të UNMIK-ut, të dt. 12 dhjetor 1999, Për Ligjin në Fuqi në Kosovë, 
Neni 1: Ligji në Fuqi 
1.1 Ligji në fuqi në Kosovë përfshin: 
(a) Rregulloret e shpallura nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe instrumentet ndihmëse të nxjerra në përputhje me to dhe 
(b) Legjislacionin në fuqi në Kosovë më 22 mars 1989.

Skënder Nitaj
Prishtinë, 02 Korrik 2022