Sunday, February 19, 2017

Në ëndërr

Kujtoj që nuk është udhëtim nëpër kohë, më shumë më përngjan si kalim në një dimension tjetër, paralel. Natyrisht, jo fizikisht, por me mendje gjithsesi, e mua më duket edhe shpirtërisht. Sepse aty takoj ata që flenë në shpirtin tim. Edhe pse ka kohë që nuk janë mbi këtë dhe!... Janë bashkë dhe duket që kujdesen për njëri-tjetrin. Nuk janë shumë të lodhur, por të plakur gjithsesi. Nevojat nuk i shpërfaqin, duket se iu mjafton të qëndrojnë në votrën e vjetër, ku shpesh duan të na shohin bashkë - si dikur! Kthjellët i shoh dhe nuk ngurroj të çmallem me ta, duke i shtërnguar si asnjëherë më parë. Përqafim, që në dimensionin tonë rrallë ndodh. Bisedohet, por si në filmat pa zë, nuk regjistrohet në mbamendje asnjë fjalë. Por, ka shumë mall dhe dashuri pa kushte aty. Ka një ndjesi frike, pasi që dimensionet duket se, megjithatë nuk janë hermetikisht të murosura në mes vete. Vdekja, vjen si shkrepëtimë drithëruese duke dhënë sinjalin që ajo është duke ruajtur kufirin në mes këtyre dy botërave. Krejt pështjellueshëm dhe apriori e di që 'fundjava' disa sekondëshe po mbaron. Largimi nga votra e vjetër, duke lënë pjesët e shpirtit tënd aty si dy roje nderi, sjell shumë dhembje. Janë pothuajse të barabarta dhembja e ndarjes me lumturinë që sjell takimi me ta - në ëndërr!

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.