Tuesday, February 16, 2021

Votimi me inercion

Në fillimet e para të Kosovës së pasluftës, pavarësisht se partitë që në prapavijë buronin nga UÇK-ja dhe rezistenca e saj, e kështu apriori synonin që edhe të udhëhiqnin me vendin, sikundër edhe që ndodh zakonisht, megjithatë populli e kishte të vështirë të votonte dikë tjetër përpos Rugovës, i cili kishte fituar simpatinë e shumicës përgjatë 10 viteve të rezistencës gandiane kundrejt okupimit serb të viteve të 90-ta. Pra, votuesi kishte zgjedhur drejtuesin e vendit me inercion. 

Pas vdekjes së Rugovës, lideri politik i UÇK-së, Thaqi, arriti të drejtoj me vendin dhe të kthej inercionin e votuesit kah vetja e tij e sidomos pas leximit të Deklaratës së Pavarësisë në cilësinë e kryeministrit. Inercioni i votuesit në favor të Thaqit zgjati edhe atëherë kur kurba e kontributit të tij shtetndërtues kishte pësuar rënie, saqë Zgjedhjet e vitit 2014 i kishte fituar pothuajse 'me duar në xhepa' i vetëm, duke iu falënderuar këtij inercioni. 

Që ndëshkimit të votuesit nuk mund t'i ikësh, sado që ai të jetë i vonuar dhe me inercion, e dëshmojnë edhe rritjet e votave në favor të Kurtit dhe LVV-së së tij në tre palë zgjedhjet e fundit. Votuesi kosovar po dëshmon që mund t'i ndërrojë drejtuesit e vendit me votën e tij. Për shkak të dinamikës së jetës, në një të ardhme të afërt, inercioni në votim mund të jetë i dëmshëm, pasi që dënimi dhe shpërblimi për drejtuesit politik dhe subjektet që përfaqësojnë ata do të duhej të ishte në 'kohë reale', gjithnjë bazuar në 'meritat' dhe angazhimet që ata do të shpërfaqin. 

Rugova, Thaqi e Kurti janë sinonim për tre periudha të ndryshme e të veçanta të këtij vendi, dhe figurat e tyre janë të brumosura nga rrethanat për të cilat ata, në sytë e popullit, duken të veçantë, megjithëse shikuar nga prizmi real, ata paraqesin rezultante të periudhave përkatëse. Apo siç thuhet, koha i kërkon njerëzit në flakë!... 

© Skënder Nitaj, 15 shkurt 2021

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.