Wednesday, December 9, 2020

A do ta 'gjunjëzonte' Evropa, Serbinë?

Ekzistojnë arsye të forta për tu krijuar bindja e plotë se Evropa asnjëherë nuk do ta gjunjëzojë Serbinë (aq më pak për shkak të Kosovës) siç e gjunjëzuan dikur Gjermaninë e Hitlerit. Pasi që siç mësojmë nga historia e shekullit të kaluar, pjesë të Ballkanit janë përdorur si monedhë kusuritjeje për Evropën në njërën anë dhe për Rusinë në anën tjetër. Të tilla u nevojiten edhe sot, fatkeqësisht!

Gjermania dhe Serbia emërues të përbashkët kanë shkaktimin e krimit gjenocidal, por dallojnë mes tyre në përmasat e ndikimit global të këtij krimi! E para u kishte sjellë shumë dëm edhe vet Fuqive të Mëdha, përderisa e dyta arsenalin ushtarak shkatërrues e kishte zbrazur vetëm në këto 'pjesë kusuritjeje' të Ballkanit, e cila gjë nuk kishte rrezikuar pothuajse asnjë gjeo-strategji euro-atlantike.

Intervenimi i NATO-s, edhe në Bosnjë edhe në Kosovë, pothuajse kryekëput ishte i karakterit human dhe i sjelljes se një paqeje qoftë edhe të brishtë, e assesi nuk kishte për synim gjunjëzimin e Serbisë. Kush u mor me Hitlerin e aleatët e tij, deri në momentin kur ai nuk i mësyu vet Fuqitë e Mëdha! Bile, kishte edhe miratime e marrëveshje me të, për copëtime e aneksime shtetesh, si Polonia, Austria etj.

Në kohën kur Serbia po vazhdon të armatoset fuqishëm, para heshtjes së plotë evropiane, Kosova, por edhe Bosnja, me politikat e tyre duhet punuar në atë drejtim të nxitjes që në këto territore të qëndrojë gjatë, e vetmja ushtri garantuese e paqes, ajo e ShBA-së.

© Skënder Nitaj, 08 dhjetor 2020


No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.