Tuesday, January 17, 2017

Megjithatë këpucët rrëshqasin

Kohë më parë pata thënë: "Dikujt as në akull nuk i rrëshqasin këpucët", mirëpo, sot, kur bora e parë po zbardhte natyrën dhe të ftohtit e acartë po ngrinte gjithçka para vetës, kjo thënie fitoi edhe një dimension të ri kuptimi. Këpucët e pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) sot nuk bënin. Ato nuk përballonin dot një ngricë rruge të mëngjesit, nuk ishin të dimensionuara për këtë prag-dimri. E i gjori ushtar, e ka të pamundur të mos rrëzohet dy a tre herë brenda dy-treqind metrave rrugë, kur po shkonte këtë mëngjes për në detyrën që e priste. Si do të arrijë ky djalë i ri i Forcës sonë t'i zbatoj detyrat që i jepen, me këto këpucë? A thua edhe eprorët e tij mbajnë këpucë të tilla? Po, le të më thotë dikush, nëse kryetarë, qeveritarë, deputetë, drejtorë e udhëheqës tjerë rrëzohen rrugëve dhe trotuareve tona kur mësyjnë vend-punimet e tyre, sepse këpucët e tyre nuk bëjnë për ditë të ftohta e me ngrica!... Nuk do të shkruaja, sepse këtu, në Kosovën time, për të arritur ngushëllimin shpirtëror e moral, duhet që kudo që lëvizim, të mbajmë laps migjenian që të hedhim mbi letër të bardhë të gjitha të zezat që i hasim në përditshmërinë tonë. Mirëpo, ishte për keqardhje deri në dëshpërim, kur sheh ushtarin tënd që rrëzohet disa herë para syve tu për shkak të këpucëve që nuk bëjnë. Në një ditë si kjo, unë si qytetar duhej të shihja ushtarin të bënte hapa të guximshëm, me këpucë adekuate, duke ndihmuar njerëzit kalimtarë në nevojë!...

Pa u zgjatur, me dëshpërim të thellë, dyshoj që kjo klasë politike ka interes dhe synim forcimin e Forcës dhe shndërrimin e saj në Ushtri!...

Prishtinë, 29 Nëntor 2016

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.