Thursday, May 18, 2017

Zgjedhjet në Kosovë

Prej pasluftës në Kosovë u organizuan disa zgjedhje, në nivel komunal si edhe në atë qendror. Kujt nuk i kujtohen zgjedhjet e para, në të cilat radhët për të votuar e kështu për të kryer obligimin qytetar dhe të drejtën kushtetuese, ishin pa fund. Gjasonte me festë. Për herë të parë populli përcaktohej se kujt t'ia besonte drejtimin e vendit. Tjetër për çfarë do të mbahen në mendje zgjedhjet e para:

- fitorja absolute e Rugovës dhe humbja jo pak befasuese e krahut të luftës; 

- krijimi i parë i qeverisë qendrore nga tre subjektet kryesore, duke mos lënë fare opozitë;

- diskriminimi pozitiv për pakicat (krejt me hile dhe i pashembullt për demokracitë e avancuara);

- të qenurit ditë pushimi, të hënëve, menjëherë pas zgjedhjeve, nga droja e përplasjeve nga taboret kundërshtare, etj.

Pas vdekjes së Rugovës dhe shkapërderdhjes së një pjesë të elektoratit të LDK-së, numri i votuesve pjesëmarrës kishte rënie të dukshme. Kështu, pati një memorandum mirëkuptimi nga subjektet kryesore politike që zgjedhjet të pranoheshin për të vlefshme edhe nëse numri i votuesve nuk kalon mbi 50%. Kjo marrëveshje natyrisht pos që ishte anti-demokratike, dëshmonte se subjektet politike nuk kishin arritur të ngjallnin aspak interesim por as besim tek votuesit.

Pa dëshirën për kritikë për të metat e sistemit të pareformuar zgjedhor, edhe zgjedhjet e radhës nuk shpresohet që do të sjellin shumë të mira për njerëzit këtu, jo vetëm për faktin se akterët kryesorë të skenës politike janë po ata të njëjtit, por se shumica e subjekteve poltike nuk kanë parime dhe programe të orientuara dhe të qarta politike. Vet fakti se koalicionet i lidhin në ditët dhe minutat e fundit por edhe se janë të hapur për çfarëdo kombinimi, dëshmon se atyre nuk iu intereson shteti dhe zhvillimi tij, por pushteti dhe interesat e ngushta personale apo klanore. Me pak dallime, pothuajse të gjithë janë provuar duke qenë në pushtet, dhe krejt çfarë kanë arritur ata është rritja enorme e pasurive së tyre. 

Sido qe të jetë, populli edhe kësaj radhe duhet besuar në forcën e së drejtës së tij për votë duke dalur në numër të madh për të votuar, ndërsa partitë të zotohen se do t'i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve. Fituesit, por edhe humbësit, të kthjellën dhe të punojnë vetëm për të mirën e vendit dhe njerëzve këtu, pasi që koha po kalon për të mbajtur gjallë gatishmërinë e këtyre njerëzve për të qëndruar në Kosovë e për të mos kërkuar medeomos shpresën duke ikur nga këtu.

Me fat Kosovë!

Prishtinë, 18.05.2017

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.