Wednesday, September 10, 2014

Historiku i zhvillimit të arsimit shqip në Komunën e Deçanit

ARSIMI – SHTYLLË E QENDRESËS DHE VETËDIJËS KOMBËTARE

(në 30-vjetorin e themelimit të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan)
Sivjet, nxënësit dhe arsimtarët si dhe qytetarët e Deçanit me rrethinë kremtojnë një jubile të rëndësishëm për arsimin, edukimin dhe kulturën e kësaj treve në përgjithësi. Pikërisht në maj të maj të vitit 1967, u themelua Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” i cili për tridhjetë vjet të ekzistencës së vet do të lë gjurmë të pashlyeshme në historikun e arsimit shqip të Deçanit dhe fshatrave përreth.

Shkollat e para dhe mësuesit

Popullsia e kësaj treve ka një traditë të pasur kulturore dhe arsimore, mirëpo shënime rreth zhvillimit të shkollave hasen tek në fillim të këtij shekulli. Natyrisht, që këto shkolla do të punojnë herë në gjuhën shqipe e herë në atë serbe, varësisht nga rrethanat politike të kohës. Kështu, më 1906 në Manastirin e Deçanit punon shkolla në gjuhën serbe, kurse më 1909 në Xhaminë e Carrabregut punon shkolla në gjuhën shqipe me alfabet arab, me mësues mulla Adem Dautaj. Një zhvillim më të mirë të shkollës në gjuhën shqipe e hasim në periudhën e Luftës së Parë Botërore (1915-18). Kështu, së pari më 1915 hapet shkolla në Dranoc, në xhaminë e fshatit dhe një vit më vonë edhe në Junik, Strellc dhe Irzniq.
Në shkollën e Dranocit qenë përfshirë rreth 80 nxënës, të gjithë djem nga fshatrat e regjionit të Vokshit, si dhe fëmijë serbë nga Lloqani. Shkolla punonte në dy ndërrime e mësimi mbahej nga Ibrahim Fehmiu (i cili do të punojë më pas edhe në shkollat në Junik e Irzniq). Një vit më vonë do të vijë edhe mësuesi i dytë, Haxhi Hasi, nga Shqipëria. Në shkollën e Junikut mësues ishte Tahir Efendi Shehiqi, kurse në shkollën e Irzniqit Latif Shaqiri. Shkollën në Strellc e udhëhoqi Nexhip Draga, kurse 175 nxënësit e kësaj shkolle i mësonin edhe mësuesit Muharrem Blakçori, Xhevat Kelmendi e Ndue Varfri. Në këto shkolla mësoheshin lëndët: gjuhë shqipe, arithmetikë, gjeometri, gjeografi, histori, njohuri natyre, mësim fetar, bukurshkrim, këngë, vizatim, punëdore, fizkulturë dhe mirësjellje, deri sa në shkollat në serbishte më kryesore ka qenë lënda mbi fenë. Kushtet për punë në këto shkolla ishin mjaft të vështira. Në Dranoc, mësimi zhvillohej në korridorin dhe në ballkonin e xhamisë. Orendi nuk kishte fare, pos disa bankash të vjetra dhe të ndonjë tabele primitive. Tekstet ishin të pakta dhe ato silleshin nga Shqipëria.
Asnjë nxënës nuk e kreu shkollën, sepse pas tre vjet pune, më 1918, regjimi i Mbretërisë SKS i mbylli këto shkolla dhe nuk lejoi që të përdorej asgjëkundi fjala dhe shkronja shqipe. Kështu, nxënësit shqiptarë, me mundime të mëdha, do të jenë të detyruar të ndjekin mësimet në serbishte, në shkollat që do të rihapen, më 1922 në Deçan e Strellc, më 1924 në Junik dhe më 1927 në Irzniq. Shkolla e Deçanit prej vitit 1927 do të kalojë në lokal shoqëror (tash lokali i vjetër i shkollës fillore).
Shkollat në Deçan, Junik, Strellc e Irzniq do të punojnë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore pa ndërprerje, përsëri në gjuhën shqipe me mësues nga Kosova e Shqipëria. Kështu, Beqir Kastrati do të emërohet kryemësues në shkollën fillore të Deçanit, kurse drejtor i shkollës Haki Taha. Në këtë shkollë do të punojnë edhe mësuesit Haki Bardhi, Beqir Pozhegu etj. Edhe shumë mësues tjerë të njohur frekuentuan gjatë kësaj periudhe (1941-45) por edhe më pas, nëpër shkollat fillore të Deçanit e fshatrave përreth, duke sjellë rezultate të pamohueshme në arsimimin e popullatës së këtushme gati krejt analfabete dhe duke ngritur tek ta idealet dhe aspiratat për liri dhe pavarësi. Megjithëse frontet e shumta të luftës kishin gëlltitur shumë të rinj të moshës shkollore, një pjesë arriti që të shkollohej dhe t’i bashkohej armatës jo të numërt të mësuesve të kohës dhe kështu të kontribuonin në vënjen e gurthemeleve të shkollës shqipe.

Gurthemelet e shkollës shqipe

Përfundimi i luftës, popullsinë e këtushme, si kudo nëpër Kosovë, do ta gjejë në skamje e mjerim të madh. Njerëzit, që kryesisht merreshin me veprimtari bujqësore e blegtorale, kishin rënë në një varfëri të madhe, kurse sëmundjet e shumta epidemike si rezultat i luftës e ngarkonin edhe më shumë jetesën e tyre. Kur i shtohet kësaj edhe (ri)okupimi sllavo-komunist, atëherë mund të paramendohet se çfarë drame po përjetonin shqiptarët këndej kufirit. Mirëpo, si gjithnjë gjatë historisë, populli do t’i nxjerrë nga gjiri i vet bijtë dhe bijat më të mira të kombit, ashtu që këta të bëhen fli për çështjen madhore të kombit. Dhe duke qenë arsimi – shtyllë e qendresës kombëtare, detyrë prioritare e këtyre patriotëve të kombit ishte vënia e gurthemeleve të shkollës shqipe. Prandaj, edhe sukseset në arsim që do të pasojnë i gjejmë në kontributin e pakontestueshëm të të gjithë atyre pionierëve të arsimit, të cilët nuk kursyen asgjë dhe jo rrallë flijuan vetveten, duke u gjendur në udhëkryqe të vështira e të kurdisura nga pushteti komunist.
Fillimi ishte shumë i vështirë. Mungesa e lokalit, mjeteve të punës e sidomos e kuadrit mësimdhënës ishin mjaft të ndjeshme, sikurse edhe faktet se mbi 90 për qind e popullsisë ishin analfabetë, 95 për qind të mësuesve ishin të pakualifikuar, ndërsa arsimtarë dhe profesorë s’kishte fare. Por, këto vështirësi do të tejkalohen në saje të angazhimit të të gjithë njerëzve arsimdashës, e para se gjithash në saje të mësuesve të parë – veteranëve Bardh (Ukë) Nitaj, Ramë (Shaban) Alaj, Avdyl (Nush) Çekaj, Haxhi (Mahmut) Aliçkaj, Hasan (Beqir) Baçaj, Ahmet (Avdyl) Povataj, Fazli (Jahë) Binakaj, Jusuf (Sadik) Nimonaj e shumë të tjerëve, të cilët karrierën e mësuesisë e filluan duke hapur shkolla nëpër fshatrat e ndryshme të Deçanit, por edhe gjetiu nëpër Kosovë, kudo që ndjehej nevoja. Nuk duhet harruar këtu as mundin e djersën e mësuesve tjerë të ardhur nga viset e Kosovës, siç ishin Islam Spahiu, Qazim Zhubi, Njazi Fehmiu, Haki Rraci, Hasan Zeka, Sali Prizreni, Ramiz Musa, Pajazit Nushi, Ramiz Pupovci etj.
Ndërtesa shkollore kishte vetëm në Deçan e Irzniq. Në Junik, nxënësit mësonin në xhami dhe në kullat  Ali Bajraktarit, ndërsa në Gramaçel në kulla të Kamer Sylës, Kuqit e Malokëve. Pas 27 viteve, do të rihapet shkolla në Dranoc, ku në fillim mësimi do të mbahet në xhaminë e fshatit e më pas në shtëpinë e imamit të xhamisë dhe në shtëpinë e Sava Popoviqit (i vrarë si çetnik). Në këtë kohë, kompetentët e arsimit të Kosovës (në krye me prof. Zekerja Rexhën) angazhonin edhe shumë të rinj gjimnazistë në procesin mësimor, duke i aftësuar nëpër kurse pedagogjike për mësues, pasi që nevoja për hapjen e shkollave dhe kurseve analfabetike e shëndetësore sidomos nëpër fshatra ishte e madhe.
Kështu, shumë të rinj deçanas i vijuan këto kurse, duke iu bashkuar mësuesve të tjerë në procesin mësimor ose duke hapur shkolla të reja në Deçan e rrethinë, si dhe gjetiu nëpër Kosovë. Shumë sish vazhduan të shkolloheshin në nivele më të larta, paralelisht me punën e mësuesit që e kryenin. Prandaj, kjo ishte e mirëseardhur, pasi në ndërkohë përpos shkollave fillore do të hapen edhe gjimnazet e ulëta (progjimnazet) si në Deçan, Gramaçel, Irzniq etj. Këto progjimnaze më vonë do të shndërrohen në shkolla të plota fillore (8 vjeçare). Kështu, në vitet e rasformimeve të rretheve dhe krijimit të sistemeve komunale, rrjeta shkollore në Komunën e Deçanit numëronte 5 shkolla të plota fillore (Deçan, Junik, Irzniq, Gramaçel e Strellc) dhe tetë paralele të detashuara të këtyre shkollave, ku mësimet i vijonin afro 5 mijë nxënës.

Themelohet gjimnazi “Vëllezërit Frashëri”

Ata nxënës që kryenin shkollën fillore shpeshherë nuk kishin mundësi t’i vazhdonin mësimet në shkollat e mesme të qyteteve të Kosovës për shkak të kushteve ekonomike dhe largësisë, andaj ndihej nevoja e hapjes së ndonjë shkolle të mesme në komunë. Kështu, falë angazhimit të disa mësimdhënësve, qysh në vitin shkollor 1958-59 në lokalet e shkollës fillore të Deçanit, do të fillojnë nga puna tri paralele të detashuara, të Gjimnazit, shkollës së mesme bujqësore dhe shkollës së mesme ekonomike – të Pejës, ku do të përfshihen nxënësit e rritur që më parë nuk patën mundësi të shkolloheshin gjetiu. Mësimet në paralelen e Gjimnazit dhe në atë të shkollës bujqësore zhvilloheshin shqip, derisa në paralelen e shkollës ekonomike serbisht. Në këto paralele mësimet nuk i vijoi asnjë vajzë shqiptare, pasi që mësimi zhvillohej në ndërresën e dytë dhe të tretë. Pas daljes së gjeneratave të para këto paralele u shuan. Mirëpo, pas përpjekjeve të serishme u arrit që në vitin shkollor 1962/63 të hapen paralelet e ndara të Shkollës Normale të Pejës, të cilat po ashtu punojnë në lokalet e shkollës fillore të Deçanit, në gjuhën shqipe dhe serbokroate, me arsimtarë vendës dhe disa tjerë nga Peja. Nxënësit në këto paralele i kryenin dy klasët e para, për të vazhduar më pas në ndonjë shkollë tjetër normale. Kësaj radhe u përfshi edhe një numër i konsiderueshëm i vajzave shqiptare, të cilat pasi kryejnë normalen, fillojnë punën mësuese në shkollat fillore të këtushme. Edhe këto paralele ndërpresin punën pas tre vjetëve.
Duke e parë nevojën për shkollimin e mesëm të të rinjve deçanas, pasi ishin shuar paralelet e ndara të Pejës, në një mbledhje të Kuvendit Komunal të Deçanit (në maj të vitit 1967), deputeti i dhomës për kulturë dhe arsim, profesori Bardh (Ukë) Nitaj inicioi hapjen e një gjimnazi të plotë dhe të pavarur në Deçan. Pas një sërë debatesh dhe polemikash, dominoi mendimi i intelektualëve dhe i dashamirëve të arsimit dhe kështu kuvendi miratoi propozimin dhe emëroi Komisionin amë për themelimin e Gjimnazit në Deçan. Komisioni prej 5 anëtarëve në krye me prof. Bardhin, i kreu të gjitha përgatitjet e duhura brenda një afati rekord dhe kështu me Vendimin nr. 01-5162/9 dt. 07.XII.1967 të K.K. Deçanit, u themelua Gjimnazi i plotë dhe i pavarur “Vëllezërit Frashëri”.
Gjimnazi i Deçanit do të fillojë nga puna ne vitin shkollor 67/68, fillimisht ne lokalin e vjetër te shkollës fillore në Deçan, kurse prej vitit shkollor 72/73 do të kalojë në objekte të reja, ku kushtet për zhvillimin e procesit mësimor do te jene shume me te mira. Gjimnazi filloi punën me profesorët Sali Imami, Bajram Januzaj, Njazi Ferizaj, Mehmet Kërveshi, Gëzim Basha, Selim Begolli, Ismajl Dula, Bardh Nitaj etj. Në vitin e parë të punës, klasën e parë e filluan 176 nxënës, prej tyre 12 vajza. Mirëpo, nga viti në vit Gjimnazi do të shënojë rritje si nga aspekti sasior ashtu edhe nga ai cilësor. Kështu, pas disa viteve ky gjimnaz do t’i ketë paralelet e veta të ndara edhe në Junik, Irzniq dhe Isniq, ashtu që shkolla në vitin shkollor 1980/81 do t’i ketë mbi 2300 nxënës, prej tyre 700 vajza si dhe një kuadër mjaft të profesionalizuar mësimdhënësish. Gjimnazi i Deçanit ishte njëri ndër tre gjimnazet e Kosovës që së pari filloi zbatimin e reformës për arsimin e mesëm të orientuar. Nxënësit e profesorët e këtij gjimnazi për sukseset e tyre të treguara në gara, manifestime e raste të tjera do të nderohen me shpërblime, mirënjohje e dekorata, kurse në rastin e jubileut të gjimnazit, në maj të vitit 1977 nxjerrin fletushkën “Rreze Drite”, e cila bëhet një tribunë mendimesh, veprash dhe krijimesh.
Paralelisht me themelimin e gjimnazit, më 1967 themelohet Bashkësia Komunale e Arsimit, pasi që më parë ishte themeluar edhe Fondi për Arsim e Kulturë. Me mjetet që kishin në dispozicion këto dy institucione u arrit të ndërtohen objekte të reja shkollore në Deçan, Gramaçel, Junik, Isniq, Dranoc, Lumbardh, Maznikë e Prapaçan. Shkolla të reja do të ndërtohen edhe në Strellc të Epërm, Irzniq dhe Prejlep, falë përgjigjes tej plani të huas popullore për arsim, të deçanasve. Edhe dy institucione të rëndësishme do të themelohen më vonë në komunën e Deçanit, më 1973 Inspeksioni Komunal i Arsimit dhe më 1982 Enti Komunal Pedagogjik. Këto, pra, ishin vitet vendimtare në arritjet në lëmin e arsimit, edukimit dhe kulturës në përgjithësi. Orientim kryesor ishte ngritja e institucioneve komunale, zgjerimi i rrjetit shkollor, ngritja dhe sigurimi i kuadrove, përmirësimi i kushteve të mësimit nëpër shkolla dhe ndërtimi i objekteve të reja shkollore.

Vitet e gjata të mbijetesës

Derisa vitet e 70-ta ishin vite të arta për arsimin dhe shkollën shqipe, vitet e 80-ta dhe 90-ta do të jenë vite të përjetimeve të rënda, por edhe vite të gjata të mbijetesës. Ngjarjet e vitit 1981, por edhe ato që do të pasojnë, nuk do të kalojnë pa pasoja edhe për arsimin deçanas. Kështu shkollat fillore të komunës  e sidomos Gjimnazi i Deçanit do të sulmohen në mënyrë të egër duke i konsideruar si çerdhe të nacionalizmit e separatizmit shqiptar. Dhjetëra nxënës e profesorë së bashku me drejtorin e kësaj qendre do të përjashtohen nga kjo shkollë, e shumë prej tyre edhe do të dënohen me vite të tëra burg. Ishte pra, kjo koha kur pushteti komunist eleminonte ata të cilët me mundin e djersën e derdhur ndër vite kishin arritur që shkollës shqipe t’i jepnin fizionominë e një shkolle moderne e të përparuar. Por, me gjithë këto erëra që ngjanin me ato të mesjetës, shqiptarët do të dinë t’i bëjnë ballë furtunës së kohës. Dhe, kështu jo vetëm që nuk do të ndalet hovi i zhvillimit por orientimi i njerëzve arsimdashës do të jetë zgjerimi i rrjetit shkollor, duke ndërtuar shkolla të reja (Jasiq, Voksh të Madh, Pobergjë, Baballoç, Shaptej, Beleg, Ratishë, Kodrali, Gllogjan, Llukë, Pozharë etj.), ose duke i pavarësuar ato (Prapaqan, Prejlep, Restavicë), ashtu që në vitin shkollor 88/89 do të funksionojnë 10 shkolla fillore (në Deçan, Isniq, Prapaqan, Junik, Irzniq, Dranoc, Gramaçel, Strellc të Epërm, Prejlep e Restavicë) me 9 paralele të ndara, si dhe shkolla e mesme “V. Frashëri” në Deçan. Në të gjitha këto shkolla do të punojnë rreth 500 mësues, arsimtarë e profesorë, kurse numri i nxënësve do të arrijë shifrën rekorde prej 10 mijë nxënësve fillor dhe 2500 nxënësve të mesëm.
Goditja më e rëndë arsimit shqip, iu dha me suprimimin e Autonomisë së Kosovës në mars të ’89-shes. Kështu, nuk do të shkojë larg dhe prej shtatorit ’91 mbyllen të gjitha shkollat e fakultetet në Kosovë, pasi më parë ishin mbyllur dhe ndaluar edhe institucionet më të larta arsimore. Por në mars të vitit 1992, populli edhe një herë në këtë shekull do t’i hapë zemrat, dhe kullat e gurit që nuk mundi t’i rrëzojë asnjë armik, do të bëhen tempuj diturie, si dikur nëpër mote... Kështu, në rrethanat aktuale të okupimit, edhe popullsia e Deçanit me rrethinë, e cila është në shumicë absolute shqiptare, po bën sakrifica të mëdha për të mbijetuar këtë errësirë që e ka pllakosur tërë Kosovën. Përpos organizimit në sfera të ndryshme vitale të jetës, kujdes i veçantë po i kushtohet edhe organizimit sa më të mirë të procesit edukativo-arsimor. Shkollat punojnë sipas varianteve C, B dhe A (në rastin e lirimit të lokalit). Aktualisht, në komunë punojnë 14 shkolla fillore, si dhe shkolla e mesme me 7 punktet e veta, me drejtimet e gjimnazit dhe shkollës teknike. Rezultatet janë inkurajuese, me gjithë dhunën që ushtrohet përditë ndaj nxënësve e pedagogëve të tyre. Është kjo dhunë shkaku që sot numri i nxënësve në mërgim shënon rritje, derisa këtu në Kosovë, ky numër është në rënie. Është po kjo dhunë shkaku që sot të mos jenë mes nesh Rasim Molliqaj, Haki Povataj, Salih Hadërgjonaj, Mentor Tolaj, Naim Turkaj, Armend Daci, Edmond Hoxha, Luan Haradinaj e dhjetëra të tjerë të rënë anekënd Kosovës. Prandaj, edhe sakrificat e shqiptarëve për shkollën shqipe e për atdheun e lirë janë më se të arsyeshme dhe më se të domosdoshme.
Thirrja e përbashkët e të gjithë atyre mësuesve të parë, e të gjithë atyre nxënësve këmbëzbathur por krenar, e të gjithë atyre luftëtarëve për liri e pavarësi, e të gjithë atyre të rënëve për këtë dhe, është më shumë për arsimin dhe shkollën shqipe, sepse këto janë shtylla të qëndresës kombëtare.

19 qershor 1997, Deçan                                                   Skënder (Bardh) NITAJ


P.S. U shfrytëzuan materiale të botuara dhe të pabotuara!

Numri i parë, i botuar më 3 shtator 1997, gazeta “Bujku” (Rilindja), faqe 6, me titullin kryesor: Shkolla – shtyllë e qëndresës dhe e vetëdijes kombëtare
Numri i dytë, i botuar më 4 shtator 1997, gazeta “Bujku” (Rilindja), faqe 7, me titullin kryesor: Themelohet gjimnazi “Vëllezërit Frashëri”

No comments:

Post a Comment