Wednesday, March 20, 2019

Rrugë e gjatë, në një kohë pa kohë

Në mbarimet e shkollimit të mesëm si dhe në fillimet e studimeve të larta, si të rinj që ishim, shumë plane e ëndrra ndërthureshin në mendjet tona. Këto kishin të bënin kryesisht, me përzgjedhjen e profesionit si dhe krejt natyrshëm për mundësitë që pastaj të jepte ajo përzgjedhje për ndërtimin e karrierës profesionale e jetësore. Me sa kujtoj, viti akademik 1989/90, ishte i fundit, që Bashkësitë Komunale të Arsimit, mbështetnin financiarisht studentët e rregullt të Universitetit të Prishtinës, në formë të së ashtuquajturës ‘kredi studentore’. Në nivel të ish-Federatës jugosllave, shuma e këtyre kredive, ishte më e vogla, ndërsa, nëse ishe fatlum që krahas kredisë, të përfitoje edhe ndonjë bursë nga ndonjë organizatë punuese, atëherë të dyja bashkë, mbërrinin mesataren e pagës në Kosovë. Pas suprimimit të Autonomisë, në mars të vitit 1989, populli shumicë shqiptar i Kosovës, i ishte nënshtruar një aparteidi klasik. Institucionet dhe gjithçka tjetër do të uzurpoheshin me shpejtësi nga serbo-malazezë nëpërmjet masave të dhunshme, duke dëbuar forcërisht shqiptarët nga to.

Konkurrimi për të fituar kredinë studentore, pos tjerash, krejt formalisht, kërkonte edhe gjetjen e garantuesve të kredisë, që aso kohe quheshin ‘zhirantë’. Meqenëse babai im ishte pensionuar dy vite më parë, e në qytezën ku unë jetoja, nuk kisha familjar tjetër që punonte, garantuesin e gjeta tek një i afërm. Babai im, edhe përkundër kontributit të tij prej një punëtori të pashembullt në fushën e arsimit e me një bagazh pune përmbi dyzet vjeçar, nuk kishte të punësuar asnjë fëmijë të vetin në Komunën e Deçanit, për gjatë gjithë asaj periudhe kur edhe shqiptarët kishin pushtet. Kështu, disa nga fëmijët e tij, që kishin kryer shkollimin, kishin mundur të punësoheshin vetëm në qytetet e tjera të Kosovës, nëpërmjet konkurseve publike të asaj kohe. Ai, pra, babai im, nuk e përdori asnjëherë autoritetin e tij, ashtu që të ndikoj që fëmijët e tij, pas shkollave të kryera, të mund të kontribuonin duke u punësuar, në vendin e tyre të lindjes.

Kështu, i afërmi im dhe kolegu i tij më i vjetër, u bënë dy garantuesit e mi formalë. Në zyrën e tyre, në një nga organizatat punuese të Deçanit, takova edhe një bashkëmoshatar, të cilin e njihja vetëm figurativisht e që i takonte komunitetit serbo-malazez. Ai ishte i akomoduar tek një tavoline pune, dhe duke qenë se kishim qenë të një gjenerate dhe të një vendi, më përshëndeti me një luhatje koke. I afërmi im, u kujdes që të bëjë prezantimin e ndërsjellë, me ç ‘rast e kuptova që bashkëmoshatari tashmë ishte emëruar në një pozite eprori aty. Bazuar në aktualitetin dramatik që zhvillohej në atë kohë, edhe nuk u befasova pothuajse fare, por as nuk bëra ndonjë reagim gjestikulativ. Sipas logjikës sime të përllogaritjes, ai do të duhej të ishte tash në vitin e tretë të studimeve, sikurse unë. Por, ai kishte ‘avancuar’ duke u bërë ‘shef’. Megjithëse, në çastet e para, të këtij kontakti me bashkëmoshatarin, unë pothuajse besova që edhe ai ishte aty për të njëjtat arsye sikurse unë. Por jo! Ai kishte zgjedhur rrugën më të shkurtër për t’u punësuar dhe për të drejtuar një organizatë, pa kryer asfarë shkolle superiore. Ani pse dyshoja, por doja të besoja, se ai në atë çast, në brendi të ndërgjegjes së tij do të duhej të ndjehej në siklet dhe i turpëruar, për përzgjedhjen që kishte bërë!... Në ndërkohë, rrugëtimi im i shkollimit dhe i ngritjes profesionale, si dhe i kultivimit të vlerave njerëzore, do të vazhdonte gjatë, shumë gjatë, në një kohë pa kohë!...

"Skica rinie"
Prishtinë, 20.03.2019


No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.