Saturday, March 23, 2019

Rënia e Autonomisë

Më kujtohet që vetëm vitin e parë të studimeve 1987/88, e kisha kaluar pa përjetuar situata të ndezura në rrafshin politik. Jo që shkëndijat nuk kishin filluar të ndizeshin, që nga ardhja në pushtet e Millosheviqit. Porse, situata në Kosovë do të vinte duke u përkeqësuar dhe sidomos në gjysmën e dytë të vitit 1988 e tutje, kur tubimet antishqiptare të serbo-malazezve, pothuajse ishin bërë të përditshme. Ishte e tmerrshme dhe ndjeheshe i pashpresë, po të rastisje të gjendeshe në mes karvanit të autobusëve gjatë ‘ekskursioneve’ të tyre, qytet më qytet të Kosovës. Ky vit edhe do të mund të quhej viti kulmor i durimit shqiptar, ndërsa vitet 1989-90 vitet e shpërthimeve të mëdha. Kështu, më 23 mars 1989, delegatët e Kuvendit të Kosovës e nënshkruan kapitullimin, përderisa më 28 mars 1989, Kuvendi i Serbisë, "i bëri aminin" dhe kështu Kosova së bashku me Vojvodinën, e humbën autonominë që e kishin fituar me Kushtetutën e vitit 1974. Kjo ishte tradhtia më e madhe prej pasluftës që iu bë popullit shqiptar nga pjesëtarë të vet dhe nuk kishte se si të shihej ndryshe, pos me skepticizëm, e ardhmja e Kosovës. Kështu, edhe de juro aneksohej Kosova, e tash gjithçka kthehej në pikën zero.

Më 23 mars 1989, studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, ditën e filluan me bojkot të ligjeratave dhe aktiviteteve të tjera akademike. Ashtu, krejt spontanisht, e të paorganizuar, duke qenë edhe mot mesatarisht i ngrohtë, të ndarë në grupe të vogla, ata kishin zënë vend mbi barin e njomë të hapësirës së gjelbëruar të Qendrës Studentore. Me ankth pritnin ndonjë lajm nga Kuvendi i Kosovës. Unë po dëgjoja lajmet kryesore të Radio Prishtinës, të orës 15, ku u konfirmua rënia e autonomisë. Më pyeti një student tjetër nga grupi aty afër, se: “çfarë kishte ndodhur?” I tëri i mërzitur, iu përgjigja shkurt: “e falën Kosovën!”

Pasi, kishte zëra që rreth mbrëmjes do të kishte demonstratë masive në qendër të Prishtinës, ne studentët, vazhdonim të qëndronim ashtu të grumbulluar në oborrin e Qendrës. Për të na bindur, që të ndërpritnim grumbullimin, krerët e politikës kuislinge vendore, siç shihej, kishin sjellë emra eminentë të mësimdhënësve universitarë, në mesin tonë, e të cilët sikurse ne, ishin ndarë në grupe-grupe. Ndonjë prej tyre, edhe nuk bënte shumë përpjekje për t’na bindur që të shkapërderdheshim, por të paskrupullt ishin disa të tjerë që na thonin: “se në një ditë festive si kjo, ju po e prishni imazhin e kësaj dite!” Shpesh, i kujtoj me pezm, ato skena, kur profesorë shqiptarë, bile edhe me kërcenime të llojit të UDB-së, na u kundërvunë atë pasdite marsi.

Në mbrëmje, kur ishte errësuar, e duke besuar që edhe qytetarë të shumtë po organizoheshin për të demonstruar në kryeqytet, ne, studentët e mbetur atë natë, u t’filluam shkallëve të menzës së vjetër, për të demonstruar me fuqinë e zërit kundërshtues, si e vetmja armë e jona. Kordone të dyfishta të  forcave policore dhe ushtarake kishin rrethuar tërë zonën. Vetëm deri te Posta Nr. 6, kemi arritur të shkojmë, ngase vërsulja e këtyre forcave ishte shumë brutale dhe krejt në disproporcion me mundësitë tona. Rrahje e palgosje, si dhe arrestime të shumta kanë ndodhur atë natë. Të gjithë ata që kishin mundur t’i shpëtonin kësaj reprezalje, kishin arritur disi të riktheheshin në Qendrën Studentore. Disa mësimdhënës, duke sfiduar rrethanat, atë natë kanë qëndruar deri vonë me ne, e të cilët pastaj kanë bërë përcjelljen e studentëve jo-konviktorë për në banesat e tyre.

Ndërsa, studentët konviktorë, atë natë do të përjetojnë hakmarrjen e plotë, ku rreth mesnate, me tërë brutalitetin që mund të paramendohet, u bënë pre e policisë serbe, të cilët edhe përkundër disa premtimeve boshe, që nuk do të ndodhte që ata të shkelnin në ‘tokën studentore’, filluan aksionin e madh të arrestimeve të studentëve, të cilët të gjithë tashmë mund të kishin qenë demonstrues. Krejt ky aksion i tyre, është përcjellur me thyerje dyersh nëpër dhoma, rrahje çnjërëzore dhe arrestime.

Të nesërmen, të gjithë studentët që nuk e kishin patur fatin për t’u arrestuar një natë më parë, duke e ndjerë që gjithçka kishte marrë fund, kishin vendosur që të braktisnin mësimet dhe konviktet, e të ktheheshin në shtepitë dhe familjet e tyre. Disa nga këta studentë, pastaj do të ndodhen në krye të demonstratave të pas disa ditëve, që do të shpërthejnë anëkënd vendit. 

"Skica rinie"
Prishtinë, 23.03.2019

2 comments:

  1. Të lumtë Skender...shumë e mirë dhe me vlerë per kujtesen tonë historike!

    ReplyDelete
  2. Ju falemnderit për vlerësimin, i nderuar!

    ReplyDelete

Note: Only a member of this blog may post a comment.